Bullgarët “betonojnë” veton kundër Maqedonisë - Gazeta Express
string(43) "bullgaret-betonojne-veton-kunder-maqedonise"

Bullgarët “betonojnë” veton kundër Maqedonisë

Ballina

Gazeta Express

29/05/2022 14:51

Partnerët e koalicionit në Bullgari janë pajtuar për konsensus të gjerë për çështjen me Maqedoninë, ndërsa kanë përsëritur se vetoja nuk do të hiqet pa zbatimin e plotë të Marrëveshjes së 2017-ës. “Sa i takon temës së Maqedonisë së Veriut nuk ka asgjë tjetër që mund ta ndryshojë pozicionin e BSP-së. Ajo që mund ta ndryshojë qëndrimin është zbatimi i Marrëveshjes nga viti 2017, gjë të cilën në këtë fazë nuk e shohim”, u shpreh Georgi Svilevski, kryetar i BSP-së në Qeveri

Qeveria bullgare duket se nuk do të lëshojë pe në heqjen e vetos ndaj Maqedonisë. Kjo në njëfarë mënyrë është konfirmuar në takimin treorësh mes katër partive të pushtetit në Bullgari, takim ky që u mbajt të shtunën mbrëma, ndërsa partnerët e koalicionit në Bullgari u pajtuan se duhet të ketë konsensus të gjerë për çështjen me Maqedoninë. Lena Borisllavova, shefe e kabinetit të kryeministrit bullgar, Kiril Petkov, ka thënë se çfarëdo marrëveshje e arritur me Maqedoninë, paraprakisht duhet të kalojë përmes Kuvendit Popullor dhe për këtë ka pajtim të plotë tek partnerët e koalicionit. “U dakorduam se për ne më me rëndësi është të ketë pajtim të plotë për këtë temë. U konfirmua edhe premtimi që e ka dhënë i gjithë koalicioni se kjo temë doemos duhet të kalojë përmes Kuvendit Popullor. E deri atëherë do të lëmë që diplomatët në Ministritë e Jashtme të vazhdojnë me punën e tyre. Ata për momentin punojnë në mënyrë aktive dhe mundohen që në mënyrë sa më të mirë t’i mbrojnë interesat bullgarë dhe qëndrimin e të gjithë koalicionit”, tha Borisllavova.Advertisements

Lexo Edhe:

Mbledhja e djeshme e Këshillit të ministrave u mbajt me kërkesë të kryeministrit Kiril Petkov për ta thirrur Këshillin Konsultativ për Siguri Kombëtare në të cilin tema e debatit do të jenë negociatat me Shkupin.  “Sa i takon temës së Maqedonisë së Veriut nuk ka asgjë tjetër që mund ta ndryshojë pozicionin e BSP-së. Ajo që mund ta ndryshojë qëndrimin është zbatimi i Marrëveshjes nga viti 2017, gjë të cilën në këtë fazë nuk e shohim”, u shpreh Georgi Svilevski, kryetar i BSP-së në Qeveri. “Është evidente. Po dëgjohen disa gjëra ose diku është thënë diçka lidhur me Maqedoninë, e kur këtë e mëson kryeministri, ai e mohon me panik. Ndoshta nuk ka pasur diçka të tillë, por ne vazhdimisht po dëgjojmë gjëra të tilla”-  tha Nikollaj Radullov nga partia ITN, gjithashtu partnere e koalicionit qeverisës.

“Nëse gjendet mes tre anëve – BE-së, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut në situatë kur ne do t’i ruanim garancitë se do të ketë zbatim të plotë, atëherë kjo duhet të shqyrtohet me shumë vëmendje”- tha Hristo Ivanov nga partia DB. Partnerët e koalicionit u ulën në tavolinë edhe pas kërkesës së eurokomisarit për zgjerim, Oliver Varheji – që negociatat e Maqedonisë me BE-në të fillojnë në qershor. “Nuk ka ndryshim në qëndrimin e Bullgarisë. Ne i përmbahemi pozicionit kornizë, Deklaratës së Kuvendit Popullor dhe Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë”, tha kryeparlamentari bullgar, Nikolla Inçev. Paraprakisht, Presidenti bullgar, Rumen Radev tha se garancitë nga Shkupi nuk mjaftojnë për ta tërhequr veton. “Takimet nuk janë aq të rëndësishme, të rëndësishme janë rezultatet. Pres që Këshilli i Koalicionit sonte të ndjekur konsensusin dhe mendimin që e arriti Këshilli Konsultativ për Siguri Kombëtare në janar, për të mbrojtur interesin bullgar dhe kriteret e Kopenhagës për anëtarësim, të cilat bazohen saktësisht në të drejtat e njeriut dhe mosdiskriminimin. Nëse e gjithë kjo ndodh, ne do t’i ndihmojmë Maqedonisë së Veriut që vazhdimisht të ndjekë këtë rrugë”, deklaroi Rumen Radev, president i Bullgarisë. Kuvendi i Bullgarisë, për çështjen e Maqedonisë do të diskutojë vetëm pasi Ministritë e Punëve të Jashtme të kumtojnë se është arritur përparim në negociatat. (koha.mk)