Kthehu lart

Amësia e përshpejton plakjen

Amësia e përshpejton plakjen GazetaExpress

Dihet se lindja e fëmijëve rezulton me ndryshime fizike dhe psikologjike tek femrat, por të dhënat për rezultatet e analizës së ADN-së të mbledhura kohët e fundit në 2000 femra amerikane në moshën reproduktive kanë treguar ndryshime në karakteristikat gjenetike të femrave që kanë lindur.

Të gjitha të dhënat sugjerojnë se qelizat kanë pësuar plakje të shpejtë, transmeton koha.net.

"Vërtet na kanë befasuar këto rezultate të hulumtimit. Të dhënat tregojnë se qelizat e femrave që lindin iu nënshtruan plakjes së përshpejtuar dhe me këtë arritëm në përfundimin se lindja dhe amësia e përshpejtojnë plakjen e qelizave për rreth 11 vjet", tha Anna Pollack, epidemiologe në Universitetin George Mason. Ajo dhe kolegët e saj i analizuan të dhënat për mirëqenien e banorëve të Shteteve të Bashkuara në periudha të caktuara.

Gjatë analizës së të dhënave nga periudha 1999-2002 të cilat i monitoruan të dhënat e gjatësisë së telomereve - si një indikator i shëndetit të përgjithshëm të organizmit, ata vunë re diçka të pazakontë.

Vlerësimi i gjatësisë së telomereve është një tregues i shëndetit të përgjithshëm të organizmit, sepse këto janë struktura në skajet e kromozomit dhe detyra e tyre është ta mbrojnë materialin e tyre gjenetik. Thënë figurativisht, ato funksionojnë si pjesët plastike në lidhëset e këpucëve të cilat i mbrojnë lidhëset nga dëmtimi.

Telomeret me çdo ndarje qelizore shkurtohen, dhe ndërkohë që qelizat plaken, edhe telomeret bëhen më të shkurtra. Në fund, ato janë shumë të shkurtra për t’ia mundësuar qelizës ndarjen, që është arsyeja se pse qelizat vdesin. Kështu duket një proces normal biologjik.

Telomeret e shkurtra lidhen me sëmundjet si kanceri, sëmundjet e zemrës ose çrregullimet kognitive, ndërsa shkencëtarët në këtë listë e kanë shtuar edhe lindjen.

Kur i mblodhën të gjitha të dhënat në dispozicion nga mosha, përkatësia etnike, niveli arsimor, pirja eventuale e duhanit dhe shumë karakteristika të tjera, shkencëtarët tek ato femra që e kishin lindur të paktën një fëmijë zbuluan telomere që janë më të shkurtra mesatarisht me 4.2 për qind në krahasim me telomeret e femrave që nuk kishin lindur asnjëherë.

Studimi gjithashtu tregoi se shkurtimi i telomereve varionte varësisht nga numri i lindjeve.

"Kemi konstatuar se telomeret ishin më të shkurta tek femrat që i kishin lindur pesë ose më shumë fëmijë, në krahasim me ato femra që nuk kishin lindur, dhe se ishin relativisht të shkurtra në krahasim me telomeret e femrave që e kishin lindur një, dy, tre ose katër fëmijë", shpjegoi Pollack.

"Duke e pasur parasysh natyrën hulumtuese të studimit, ne ishim në gjendje ta konstatonim vetëm një lidhje, por nuk konkluduam se cili është shkaku i saktë i plakjes së përshpejtuar të qelizave tek femrat që lindin. Tani vetëm mund të spekulojnë se në pyetje është stresi i rritjes së fëmijëve dhe kujdesi për ta, por rezultatet duhet të analizohen me kujdes. Duhet thënë se në asnjë rast nuk po u themi femrave të mos lindin fëmijë", konkludoi Pollack.

Rezultatet e studimit u publikuan në revistën Human Reproduction.

    Data: 21 Prill 2018 11:02
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera