Kthehu lart

Vrasësit e ëndrrave...!

Vrasësit e ëndrrave...! Autori: Petrit Beqiri GazetaExpress

Një diplomate evropiane verbalizoi këto ditë një të vërtetë publike që në vete përmban realitetin bizar të shoqërisë sonë! "Qytetarët e këtij vendi janë më të avancuar se klasa politike që i udhëheq!“ Si erdhi deri këtu? Si është e mundur që popullata e gjerë të ecën në aspiratat për avancim më shpejt se elita shoqërore? Normaliteti duhej të ishte i kundërt me këtë! Gjithherë janë elitat ato që trasojnë rrugën për avancim shoqëror dhe përcaktojnë diskursin shoqëror për të ardhmen! Pikërisht normaliteti, ai që me mungesën e tij bëhet prezent në të gjitha poret e jetës shoqërore!

Rëndom e kam parë burimin e forcës së shoqërisë kosovare në fuqinë e admirueshme për të ëndërruar. Aftësia e kësaj shoqërie që ëndrrat t'i kthejë në motivacion qenësor për avancim është enorme. Këtu e shoh sekretin e forcës së kësaj shoqërie për mbijetesë, regjenerim dhe gjetje të vazhdueshme të vetvetes. Ëndrra për barazi e intelektualëve të brezit të parë vendor, të viteve të shtatëdhjeta të shekullit të kaluar. Ëndrra për faktorizim e lëvizjes masive të studentëve të viteve të 80-ta dhe 90-ta dhe ëndrra e fundshekullit për arritje të lirisë përmes luftës, si mjet i fundit i mbetur në arsenalin e masave dhe përpjekjeve për mbijetesë të dinjitetshme.

Në përballjen me konsumimin e lirisë së këtyre 17 viteve të pasluftës, ndoshta si periudhë e parë për këtë shoqëri në rrethanat e vetorganizimit institucional, qytetarët e kësaj shoqërie sikur ndajnë gjithherë e më fuqishëm një ndjenjë të përbashkët. Ata ndihen të lënë vetëm në ëndërrimin e tyre për një jetë të dinjitetshme. Një jetë në rrethana që i karakterizojnë shoqëritë moderne, me institucione të qëndrueshme, ligjësi funksionale dhe mundësi për sendërtimin e vetvetes dhe familjes. Përtej kësaj, kam ndjesinë që qytetarët e këtij vendi i bashkon ndjenja e tradhtisë së elitës politike të vendit ndaj ëndrrave të tyre për "normalitet“. A kanë të drejtë? Nuk denjoj t'i përgjigjem kësaj pyetjeje direkt, meqë rrezikoj të humb në finesa, por një gjë dihet qartazi. 

Ndjesia shoqërore e krijuar ngadalë, karakterizohet rëndom me një vërtetësi tejet të përpiktë. Edhe pse ndonjëherë mëton të marrë nuanca dhe ngjyrime emocionale. Vrojtuar nga këndvështrimi historik i kësaj shoqërie dhe gjenerimi i forcës së saj për përballje me vështirësitë pikërisht në ëndrrat e saj, një elitë politike e kësaj shoqërie, që është e thirrur dhe përgjegjëse të mbështesë dhe të orientojë motivimin shoqëror për ecje përpara dhe që jo vetëm neglizhon këtë, por edhe pengon e përdhos pikërisht këtë përgjegjësi, më të drejtë mund te quhet "vrasëse e ëndrrave të qytetarëve të kësaj shoqërie". Ai që vret ëndrrat e një shoqërie ndikon në shuarjen e burimit të forcës më të madhe të kësaj shoqërie. Së këtejmi mëkaton në të tashmen  dhe në të ardhmen e kësaj shoqërie! 

Pb, Flensburg, 12.08.17

    Data: 20 Gusht 2017 11:07
    Autori: Petrit Beqiri

    Të tjera