Kthehu lart

Të riatdhesuarit që shteti nuk i integroi

Të riatdhesuarit që shteti nuk i integroi Autori: Nezaqete Rukovci GazetaExpress

Qytetarëve të kthyer në Kosovë nga vendet perëndimore u është garantuar gjendje më e mirë socio-ekonomike konform udhërrëfyesit për riatdhesim, por në realitet ata kanë përfituar shumë pak beneficione. Disa luftojnë për mbijetesë

“Punoj 192 orë në javë për të mbajtur gjashtë anëtarë të familjes”, thotë i riatdhesuari N.N. nga  Austria ( emri i të cilit nuk publikohet për të ruajtur identitetin) .“Me profesion jam roje i licencuar dhe me kontratë më është caktuar paga 170 euro në muaj, por asnjëherë nuk kam marr pagë mujore më shumë se 130 euro. Kohëve të fundit marr vetëm nga 65 euro”, tregon ai.

 “ Në fakt për këto dy vjet e disa muaj sa punoj në sigurim as mua e as kolegëve të mi nuk na janë paguar më shumë se 5 muaj kontributet te Trusti. Ata janë ankuar në disa instanca, por ankesat e tyre deri tash kanë hasur në vesh të shurdhër”. Tani ai jeton nga paga e bashkëshortes e cila punon në një spital.“Me ato pak mjete mezi e lidhim skajin me skaj”.Faktikisht ata janë duke jetuar sikur të ishin të varur nga skema  sociale prej të cilës shteti i largoi me premtimin se u ka  gjetur  punë në një  nga skemat e punësimit për të ri atdhesuar.Të riatdhesuarit , sipas tij, janë kthyer në vendlindje “për të parë se si nuk funksionojnë institucionet e shtetit”.

Gjatë bisedës personat e riatdhesuar përmendin ndonjë lloj mbështetje që atyre u është ofruar, por nënvizojnë se ballafaqohen me peripeci të shumta në përpjekje për të siguruar ekzistencën. Ata kanë thënë se ballafaqohen me vështirësi në qasjen në banim, arsim, asistencë sociale dhe gjetje të një pune të  qëndrueshme. E për ndihmë kanë trokitur edhe në derën e Kryqit të Kuq.

Gjatë periudhës janar qershor 2016 rreth një mijë familje kosovare kanë marrë pako ushqimore  dhe higjienike në 26 degë të Kryqit të Kuq sa veprojnë në Kosovë. “Mirëpo nga ajo datë ndihma  është ndërprerë ngase marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet Kryqit të Kuq të Kosovës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës ka skaduar për shkak të mungesës së fondeve të cilat i ka pas siguruar kjo ministri”, thotë Agron Humolli, sekretar  i përgjithshëm i Kryqit të Kuq të Kosovës. “Ne vazhdojmë t’i marrim dosjet me shpresë se një ditë  do të aktivizohet marrëveshja dhe  ne sërish do të mund të shtrijmë dorën e ndihmës kategorive më të rënda, të cilat jetojnë buzë skamjes. Shumë  nga bashkatdhetarët të cilët kishin dalë  jashtë vendit  për arsye shëndetësore  kishin  shitur tërë pasurinë e tyre të vogël të cilën e kanë shpenzuar derisa kanë qëndruar  jashtë vendit dhe tash  jetojnë  në varfëri edhe më të madhe”,thotë  ai. 

Vetëm për vitin 2016 Qeveria kishte alokuar 3 milionë euro për Fondin për riatdhesim. Ndërkohë që edhe fondet e tjera që janë dhënë për konsulenca e për punësim të qëndrueshëm arrijnë shuma qindra mija euro, megjithatë shumë nga të riatdhesuarit ankohen se nuk kanë marrë përkrahjen e nevojshme.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të bëra publike në janar 2016 gjatë një takimi të ish-ministrit Skender Hyseni me institucionet përgjegjëse për ri integrimin e të riatdhesuarve, nga fundi i 2014-ës deri në fillim të 2015-ës nga Kosova janë larguar 80 mijë qytetarë. 

Në një raport të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë të publikuar në dhjetor 2016 thuhet se mes janarit 2005 dhe dhjetorit 2015, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) afërsisht 52,000 persona janë riatdhesuar në Kosovë. Gjatë periudhës raportuese që është mbuluar nga ky raport (mes janarit 2014 dhe dhjetorit 2015), sipas statistikave të qeverisë, 21,156 persona janë riatdhesuar në Kosovë. Vetëm në vitin 2015, janë riatdhesuar 16,546 persona. Sipas MPB-së, në vitin 2014 dhe 2015 personat e riatdhesuar që i përkasin komuniteteve në pakicë numerike kanë përbërë afërsisht 22.5 për qind dhe 10.2 për qind respektivisht, të numrit të përgjithshëm të personave të riatdhesuar në Kosovë.

 Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale u zotuan për punësim të qëndrueshëm të të riatdhesuarve, por në fakt shumë nga të riatdhesuarit përfunduan në tregun gri të punës. Ata u ballafaquan me diskriminim në vendin e punës, me orar të gjatë të punës, me paga të vogla dhe me kushte që nuk ofrojnë mbrojtje elementare në punë. Ndonëse ankesat e tyre nuk munguan te autoritetet përkatëse përfshi këtu edhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Agjencinë Kundër Korrupsion, personat  me të cilët  biseduam  kurrë nuk morën as përgjigje e lere më ndonjë mbështetje konkrete.

I riatdhesuari A.A. nga Gjermania,tregoi se me t’u kthyer në Kosovë u ballafaqua me mungesë të punës adekuate për të cilën ishte i  kualifikuar dhe filloi të punojë si punëtor krahu, sepse e tërë familja varet prej punës së tij.

Këtu jeta është shumë më e shtrenjtë se në Gjemani. Çmimet e artikujve ushqimorë janë deri 50 për qind më të larta. Përgatitja e fëmijës për shkollë është barrë shtesë për buxhetin e familjes. Puna është e lodhshme dhe me stres, kurse në pushim kemi të drejtë vetëm dy ditë gjatë muajit. Bashkëbiseduesi tjetër nga Prizreni, jashtë vendit kishte jetuar afro një dekadë. Besonte se sapo të kthehej në vendlindje do t’ia dilte të zhvillonte veprimtarinë e qeramikës në Kosovë. Por biznesi i tij kishte falimentuar ende pa filluar mirë.

I pyetur se si po gjendet pas kthimit përgjigjet shkurt:“Kurrqysh. Kam kërkuar punë gjithkah, jam ankuar, por punë nuk ka. Zejen e zotëroj, por vetëm zeja pa kushte nuk vlen aspak “, thotë prizrenasi i dëshpëruar. Kohën e fundit bashkëshortja e tij ka filluar të punojë me një pagë prej 150 eurosh në muaj, “duhet të punoj pa shikuar sa është paga”, shton ai.

Më të dëmtuarit -personat me aftësi të kufizuara dhe grupet jo shumicë

Në udhëzuesin për ri integrim të të riatdhesuarve në Kosovë shkruan se vëmendje e veçantë në ofrimin e ndihmës dhe mbështetjes do t’u ofrohet personave të riatdhesuar të cilët kanë nevojë për masa të veçanta të ri integrimit si pasojë e kapacitetit të tyre të zvogëluar funksional, për shkak të sëmundjes apo aftësive të kufizuara, apo si pasojë e gjendjes së tyre familjare, moshës, analfabetizmit apo arsyeve të ngjashme, ose personat të cilëve u mungojnë njohuritë adekuate të gjuhëve zyrtare të Kosovës. 

Mirëpo, ky kriter nuk është zbatuar në rastin e vajzës, babai i të cilës kishte preferuar të mbetej anonim emri i saj. Ajo me prindërit  kishte emigruar para disa vitesh në Francë, ndërsa  është kthyer para katër vitesh. Përveç  një diplome, të cilën e ka marrë për floktare nuk ia ka dalë të realizojë të ardhura të qëndrueshme për shkak të  problemeve me të dëgjuar.

Kjo familje gjashtë anëtarëshe jetojnë në skamje dhe pritje. Ata kishin edhe një fëmijë tjetër me probleme me të dëgjuar në shtëpi dhe kushte banimi jo për të qenë, ndërsa shkaku i kushteve materiale edhe trajtimet shëndetësore shpesh u mungojnë.

Pa kulm mbi kokë

B.B., pjesëtar i një komuniteti jo shumicë, ka jetuar më shumë se katër vite jashtë Kosovës. Ishte kthyer pa dëshirë, por me shumë premtime në letër. ”As një e treta e premtimeve që më janë dhënë me dokumente nuk janë realizuar”, thotë ai. Pas kthimit e ka mbaruar kursin për një zeje por nuk ka gjetur punë. Për shkak se nuk ka pasur mundësi të paguajë qiranë e banesës në Prizren është detyruar të kthehet në fshat. Tani ai dhe familja e tij jeton nga ndihma sociale prej 100 eurosh që merr për njërin nga tre fëmijët, i cili është i mitur .

“S’kam lënë derë pa trokitur. Kam marrë një ndihmë me material ndërtimor dhe me të mendoj të bëj një strehë për familjen. Unë u jam përmbajtur të gjitha rregullave. Kam një krah letrash me ankesa që i kam bërë, por në të cilat nuk kam marrë përgjigje”, thotë ai . 

Një pjesëtare tjetër e një komuniteti jo shumicë e kthyer nga Gjermania thotë se pas kthimit në Kosovë ka punuar 3 muaj si rrobaqepëse. “E kam këshilluar edhe vajzën ta merr këtë zeje që ta nisim një biznes të rrobaqepësisë bashkë, por nuk kemi si, sepse askush nuk po na ndihmon”.

Kjo bashkëbiseduese tregon se kishin kërkuar të pajisen me një makinë qepëse që t’ia nisnin zejes për së mbari por kjo ndihmë nuk u është ofruar.“ Shyqyr djali gjeti punë dhe po e mban familjen tonë prej gjashtë anëtarëve”, thotë e ëma e cila këtë e konsideron sakrificë të të birit sepse ai mbeti pa u regjistruar në fakultet.

Kthimi i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë nga vendet e rajonit vazhdon të mbetet problematik. Institucionet e Kosovës u sigurojnë atyre strehim të përkohshëm deri në 12 muaj. Por pas kësaj periudhe, shumica e familjeve ende përballen me vështirësi të mëdha dhe pamundësi për të zgjidhur problemin e tyre të strehimit, ka konstatuar Avokati i Popullit në raportin vjetor të 2016-ës. Ndonëse edhe më tutje vazhdohet të ndërtohen shtëpi dhe banesa për të kthyerit, nuk është e mjaftueshme vetëm të ndërtohet dhe të mundësohet kthimi, por duhet edhe të tërhiqet brezi i ri për të marrë këtë hap dhe t’u sigurohet atyre mundësi për punësim/vetë-punësim, apo si mbështetje për projektet e bizneseve fillestare dhe qëndrueshmërinë ekonomike. 

(Ky shkrim është mbështetur nga Friedrich Ebert Stiftung Prishtinë)

    Data: 09 Nentor 2017 12:59
    Autori: Nezaqete Rukovci

    Të tjera