Kthehu lart

Sikur Shqipëria e Kosova zhurmën e lobimit rus ta bënin për turizmin

Sikur Shqipëria e Kosova zhurmën e lobimit rus ta bënin për turizmin Autori: Ben Andoni GazetaExpress

Pesha e “Ariut” të madh rus tashmë ndihet për fat të keq kudo dhe sidomos në Ballkanin e zhgënjyer. Gjithsesi, sikur ta zhvendosnim vëmendjen prej tij dhe të merreshim me tregun tonë do të mjaftonte pse jo edhe të lobonim për turistët rusë (jo vetem t’ua heqim vizat enkas në sezonin e verës) të vinin e t’i linin këtu paratë cash të tyre

Kosova dhe Shqipëria janë përfaqësuar në ditët e fundit në panairin më të madh ndërkombëtar të Turizmit ITB në Gjermani. Nëse nuk do të ishte burimi i DW, atëherë ne do të merrnim vetëm feedback-un e Ministrisë tonë që Shqipëria u përfaqësua me sukses dhe këtë vit priten boom turistësh…

Në fakt, Shqipëria, sipas burimit të medias prestigjioze kishte stendë shumë modeste, në hapësirë shumë të përmbledhur për 28 operatorët turistikë që kishte përcjellë në Berlin. Krejt ndryshe Kosova kishte një stendë gjigande për operatorët e pakët të saj.
E përbashkëta mes dy shteteve shqiptare ishte se të dyja stendat linin shumë për të dëshiruar sa i përket prezantimit të konceptit të vendeve respektive. Që do të thotë prezantimi dinjitoz i ofertës dhe mundësitë reale. Në një prononcim atje, Kliton Gërxhani, president i ATOA, Shoqata e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike të Shqipërisë do të shprehej: “Shteti nuk ka dashur të marrë përgjegjësitë e veta. Çdo gjë është lënë në dorë të privatit të sajohet me kushtet e veta dhe se bashkëpunimi me Ministrinë është minimal dhe fjala e biznesit vendor nuk ka asnjë peshë”(Citohet DË). Fjalë të rënda, por thënë nga pronari i Albania Holidays që prej afro 15 vjetësh merr pjesë rregullisht në ITB ishin të dhimbshme. Jo më ndryshe paraqitej Kosova. Fisnik Reçica, përfaqësues i Shoqatës Zvicerane për Bashkëpunim Teknik, filiali i së cilës është në Kosovë, do shprehej se “ndryshe nga Shqipëria, Kosovës i mungojnë tërësisht institucionet e dedikuara turistike, kurse sektori i turizmit trajtohet si objekt i Tregtisë dhe Ekonomisë dhe se Qeveria e Kosovës nuk e ka pasur turizmin deri tani me prioritet”.
Në programet qeverisëse, Turizmi gjykohet se është një nga fushat që mund të gjenerojë shumë të ardhura për të dy vendet tona. Por, jo vetëm bashkëpunimi nuk është në nivelin e duhur, por edhe ai po bjerret nga rastësia që mbizotëron në këtë fushë vërtetë interesante.
Ndërkohë dy qeveritë që nënshkruajnë vazhdimisht memorandume dhe bashkëpunime, si edhe kanë organizuar katër mbledhje të përbashkëta mund t’ia kursenin vetes disa gjëra për t’u paraqitur me koncepte më të drejta kuratoriale dhe të ofronin një mundësi më të mirë për vizitorët e shumë. Kurse fjalët e pafundme të zyrtarëve nuk mund të ndryshojnë asgjë në këtë vazhdë inercie, që vazhdon prej vitesh.
Si për çdo vit, kur mbaron sezoni turistik ose në fillesat e tij, operatorët turistikë përsërisin të njëjtat gjëra duke u ankuar, kurse shteti u përgjigjet me mefshtësinë ose me parimin sa për të larë gojën. Dhe, ndaj, ndodh që ofertat tona janë larg atyre që premtohen, ashtu  si kaosi që krijojnë operatorët e shumtë përbën më shumë një kakofoni të lodhshme sesa sfidë tregu. Biznesi i vogël nuk ndihmohet dhe lehtësohet t’i japë peshë turizmit, pushteti lokal ende nuk po e kupton rëndësinë, kurse sistemi hotelier vuan ende nga mungesa e kapaciteteve por edhe kushteve të domosdoshme të akomodimit.
Të gjitha këto të shkojnë ndërmend në ditët kur flitet për skandalin e radhës të politikës shqiptare me paratë e lobimit. Po sikur të reshtej fare pak për lobimin rus, që brenda ka skandalin moral se deri ku arrihet me skrupujt për të fituar ndaj kundërshtarit, dhe të merreshim me problemet reale, atëherë Shqipëria dhe Kosova do të thithnin mundësi nga shumë investitorë që e lakmojnë natyrën ende të virgjër të dy vendeve tona. Ky është ende aseti më i madh bashkë me qejfin e zbulimit për Kosovën dhe Shqipërinë.
Pesha e “Ariut” të madh rus tashmë ndihet për fat të keq kudo dhe sidomos në Ballkanin e zhgënjyer. Gjithsesi, sikur ta zhvendosnim vëmendjen prej tij dhe të merreshim me tregun tonë do të mjaftonte pse jo edhe të lobonim për turistët rusë (jo vetem t’ua heqim vizat enkas në sezonin e verës) të vinin e t’i linin këtu paratë cash të tyre… (Javanews)

    Data: 14 Mars 2018 10:54
    Autori: Ben Andoni

    Të tjera