Kthehu lart

Shqipëria mund ta ndihë Kosovën për ç’bllokimin e parlamentit

Shqipëria mund ta ndihë Kosovën për ç’bllokimin e parlamentit Autori: Ben Andoni GazetaExpress E premte, 11 Gusht 2017 10:56

Shqipëria mund edhe duhet të bëjë punën e saj me këshillimin, element që do t’i japë dimension politikës së saj, por edhe një këndvështrim për të ardhmen e marrëdhënies mes të dy shteteve shqiptare. Tek e fundit, kryeministri Rama ka treguar fleksibilitet por ka edhe qasje të mira me dy kandidatët kryesorë, Haradinaj dhe Kurti dhe kjo mund t’i japë lehtësinë e duhur për të vepruar në një situatë të tillë

Imazhet që ndau pak ditë më parë kandidati për kryeministër i Kosovës Ramush Haradinaj në pushime me kryeministrin Edi Rama u dukën si një përpjekje e të parit për ta tërhequr kreun e qeverisë shqiptare në problematikën e Kosovës. Ky i fundit shpesh dhe me shumë saktësi ka thënë se Kosova është një shtet i pavarur dhe se administrohet vetë, pa nevojën e ndonjë patronimie. Dhe, se ai vetë nuk e kishte ndërmend një gjë të tillë.

Kjo është e vërtetë dhe në një farë mënyre e ndih Kosovën në rrugën e gjatë të shtetformimit të vështirë. Anipse, problemi qëndron në atë se para situatave të tilla, si këto të fundit, kush më pastër sesa Shqipëria mund ta ndihë vallë Kosovën?!
Nga ana tjetër, partia që kryeson Edi Rama ka lidhje shumë institucionale dhe me Vetëvendosjen, forcën politike që tashmë ka marrë numrin më të madh të votave dhe tejet faktorizuese në zhvillimet e kohës. Janë pikërisht kalkulimet që e lidhin këtë parti me të gjithë forcat e tjera të skenës politike, veç PDK-së, që e afrojnë po ashtu shumë në pushtet.
Ku është në të vërtetë ngërçi kosovar? Mazllum Baraliu, një ekspert i njohur konstitucionalist i Kosovës, e paraqet shumë thjeshtë: “Neni 67, paragrafi 2 i Kushtetutës në fuqi, i jep mundësinë koalicionit parazgjedhor fitues që t’i propozojë Kuvendit kryetarin e tij, ndërkaq nuk ka asnjë dispozitë vazhduese, përkufizuese, definuese, shteruese për të paraparë situatat juridike të mundshme.
Si për shembull, ajo çfarë na ndodhi ditët e fundit, si ishte rasti se çka nëse koalicioni PAN, i cili ka autorizim, ka mundësi nuk e propozon atë (kryetarin e Kuvendit) ose nëse kandidati i propozuara nga grupi më i madh parlamentar, në këtë rast koalicioni PAN, nuk pranohet.
Kjo çështje nuk është e përpunuar dhe kjo paraqet një vakum të madh kushtetues”.
Ajo që shikohet qartë është se në Kosovë ka tendencë, për ta shtyrë në kalenda konstituimin e organeve të Kuvendit, e mund të vazhdojë në pakufi me propozime të reja prej këtij handikapi. Dhe, kushtetuta e Kosovës nuk e parashikon këtë situatë, kur koalicioni që ka maxhorancën nuk e zgjedh dot me numrat që ka kryetarin. Kështuqë i mbetet vullnetit të forcave politike të Kosovës, zgjidhja e munguar që duhet thënë se tashmë janë tejet të varura në situata edhe nga orekset e Listës Serbe.
E gjithë kjo panoramë të bën të mendosh se para se të hyjnë për zgjidhje edhe si zakonisht ambasadorët e huaj, Shqipëria mund edhe duhet të bëjë punën e saj me këshillimin, element që do t’i japë dimension politikës së saj, por edhe një këndvështrim për të ardhmen e marrëdhënies mes të dy shteteve shqiptare. Tek e fundit, kryeministri Rama ka treguar fleksibilitet por ka edhe qasje të mira me dy kandidatët kryesorë, Haradinaj dhe Kurti dhe kjo mund t’i japë lehtësinë e duhur për të vepruar në një situatë të tillë. (Javanews)

    Data: 11 Gusht 2017 10:56
    Autori: Ben Andoni

    Të tjera