Kthehu lart

Rama – Basha dhe pakti i ri sekret

Rama – Basha dhe pakti i ri sekret Autori: ALFRED PEZA GazetaExpress

Ka një pakt të ri mes kryetarit të PS Edi Rama dhe atij të PD Lulzim Basha. Eshtë një pakt “sekret”, më i fshehtë, më i sofistikuar e i rafinuar se sa ai i arritur mes tyre në mesnatën mes 17 dhe 18 majit të këtij viti në ambjentet e Kryesisë së Parlamentit të Shqipërisë. Madje, një pakt shumë më ambicioz sesa ai që e nxorri opozitën nga çadra e bulevardit dhe çoi vendin drejt zgjedhjeve parlamentare të 25 Qershorit. Njësoj si i pari, as për këtë nuk ekziston ndonjë dokument i shkruar, ndonjë firmë apo vulë e hedhur mbi të. Mungojnë ndërmjetësit e dëshmitarët gjithashtu. Kamerat dhe gazetarët po e po. E si të mos mjaftonin të gjitha këto, madje për këtë mungon edhe një takimi fizik mes tyre.

I pari që e ka zbuluar të gjithën këtë, që e denoncoi dha alarmin dhe e bëri publike, është ai kundër të cilit duket se edhe është adresuar ky pakt. A ju kujtohet se sa herë në seancën e fundit plenare të Parlamentit, Sali Berisha kërkoi e kërkoi disa herë me insistim, këmbëngulje dhe nervozizëm praninë në sallë të Kryeministrit Edi Rama? E kërkonte dëshpërimisht. E donte aty, ta kishte përballë. A ju kujtohet se çfarë tha? Se ai kishte disa kohë që ishte zhdukur! Që ishte fshehur. Që po i shmangej. Ç’farë nënkupton kjo në kodin e komunikimit të liderëve politikë e me përvojë si Ai? Se Edi Rama nuk dukej. Nuk përgjigjej. Nuk fliste. Nuk replikonte. Nuk kundërpërgjigjej. Nuk hynte më në polemika të drejtërdrejta me të.

Me një fjalë, Sali Berisha e ka kuptuar se Edi Rama ia ka hequr shikimin!

Se ç’farë do të thotë kjo shprehje, këtë më mirë se kushdo në këtë vend, e di ai që edhe e ka shpikuar, aplikuar, e ka bërë mënyrë të funksionuari dhe filozofi të komunikimit me vartësit, bashkëpunëtorët, kundërshtarët dhe me armiqtë e tij. E ai është as më pak e as më shumë, por Sali Berisha dora vetë. Ti heqësh dikujt shikimin, është shenjë e parë e madhe dhe kryesore se atë nuk e ke më në defter, në llogari, në listë me një fjalë. A e mbani mend sesi nisi largimi i Spartak Ngjelës përshembull nga Partia Demokratike? E dinë të gjithë në ambjentin politik dhe mediatik të Tiranës. Ditën që Berisha i hoqi shikimin, ai e kuptoi se nisi ftohja rreth e rrotull, menjanimi, mosfutuja në listat e kandidimit për deputet dhe në fund, erdhi edhe akti formal i largimit. Kaq mjafton për të kuptuar se si ka funksionuar edhe për shumë e shumë të tjerë.

Sali Berisha ishte i shqetësuar këtë radhë, sepse Edi Rama i ka hequr shikimin. Kjo do të thotë, se Kryeministri nuk e konsideron më si “homologun” e tij tek opozita, si “të barabartin”, “të singjashmin”, “simetrikun”, pikën e referimit të tij ish Kryeministrin. Këtë “privilegj” tashmë e gëzon vetëm Kryetari i PD, Lulzim Basha. Shikimi, fokusi, pika e referimit tashmë për liderin e mazhorancës, nuk është më lideri “de facto” por ai “de jure” i opozitës kryesore shqiptare. Ndaj, është kjo edhe arësyeja se përse prej disa kohësh, Edi Rama dhe Lulzim Basha replikojnë vetëm e vetëm me njëri tjetrin.

A doni prova për paktin e ri mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës? Mjafton përshembull që për këtë të shihni postimet e tyre në faqet zyrtare të facebook-ëve respektivë. Ku më e fundit, ishte debati i sotëm për median. Për gazetarët. Për lirinë e shtypit. Për raportin e tyre si politikanë dhe liderë politikë e drejtues të mazhorancës e opozitës shqiptare, me punonjësit e redaksive, reporterët, analistët, botuesit dhe pronarët e tyre. “Mos e harro, ta kam thënë shpesh, në publik po edhe sy më sy, kush i merr shqiptarët për budallenj e pëson dhe sa më shumë t’i bëjë për budallenj aq më keq e pëson! Çudi e madhe me ty o mik që nuk mëson”,- ishin fjalët e Edi Ramës për Lulzim Bashën.

Fjalë kofidenciale për dy liderë kundërshtarë ballkanikë. Një gjuhë e re, megjithëse ende e ashpër në brendësi dhe pa një adresim konkret, thelbësor, substancial për një çështje të caktuar që kërkon zgjidhje dhe kontribut të të dyja palëve. Por gjithësesi duhet inkurajuar si një qasje e re. Si një mënyrë e re. Një kulturë e re. Një fazë e re cilësisht ndryshe e diskurit të tyre politik në publik.

Pikërisht kjo është edhe marrëveshja e tyre e re. Kjo është kontrata e re. Pakti i ri “sekret” mes Edi Ramës dhe Lulzim Bashës. Një pakt që i bën ata të dy faktorët dhe aktorët realë e të vetëm të lojës dhe të skenës së madhe politike të Tiranës. Dy pikat e vetme të referimit në mazhorancë dhe në opozitë. Dy majat më të larta politike të Shqipërisë, që japin e marin mes tyre, në të mirë e në të keq, pa pengesa, interferenca, mbivendosje dhe zhurmues në mes. Sali Berisha ka arësye të ndihet i shqetësuar për këtë, sikundër edhe lidershipi i LSI.

Lulzim Basha tani që është rikthyer në sallën e Parlamentit. Ndodhet vetë aty çdo të enjte, në arenën kryesore të betejës politike të opozitës në një sistem demokratik. Duke patur një mundësi të re për tu ngjitur realisht në lartësinë e të qenit jo vetëm “de jure”, por edhe “de facto” lideri i vetëm dhe real i PD dhe opozitës shqiptare. Edi Rama ia zgjati edhe njëherë dorën e ndihmës dhe shpëtimit. A do ia dali që ta shfrytëzojë si duhet ai mundësinë e re këtë radhë? Varet vetëm nga Lulzim Basha nëse do të rezistojë deri në triumf, qoftë edhe me çmimin e heqjes së shikimit për të, nga Sali Berisha.

    Data: 12 Nentor 2017 14:39
    Autori: ALFRED PEZA

    Të tjera