Kthehu lart

Politikat biblike dhe universitetet kosovare

Politikat biblike dhe universitetet kosovare Autori: Xhavit Rexhaj GazetaExpress

Me e keqe se themelimi i shkujdesur dhe joserioz i këtyre universiteteve mund të jetë tjetërsimi ose mbyllja e tyre e pamenduar

Para pesë vitesh kam qenë me tërë qenien kundër themelimit të universiteteve të reja në Kosovë - para së gjithash për arsyen dhe mënyrën se si janë themeluar. Arsyeja ka qenë qartësisht politike, ndërsa mënyra e themelimit ka qenë nënçmuese. E para sepse kanë qenë në kundërshtim me nenet 9 dhe 11 të Ligjit për Arsimin e Lartë, të cilët përcaktojnë se universitetet themelohen me miratimin e Kuvendit të Kosovës. Pos kësaj, thirrja e tyre “universitet” ishte o ashtu në kundërshtim me dispozitat ligjore që përcaktojnë se kur një institucion I arsimit të lartë mund të quhet universitet (për dallim nga institucionet private kundrejt të cilave këto dispozita imponohen në mënyrë tejet strikte). E dyta sepse kanë qenë universitete politike, të themeluara për mbledhjen e votave dhe për rehatimin e militantëve ‘të intelektualizuar’ partiakë; e treta sepse ka qenë politikë e mendësisë së bajraqeve: njerëzit e fortë të qyteteve bënin garë se kush mund të hapë universitet. Kulmi i nënçmimit dhe i talljes me idenë e universitetit ka qenë kur dialogët e Prontos treguan se si janë përzgjedhur me favore anëtarët e Bordeve të këtyre universiteteve.

Pos kësaj, këto universitete politike, me përjashtim të atij në Ferizaj, janë krijuar pa kurrfarë planifikimi, elaborati dhe vlerësimi paraprak. Çdo fshatarë i pashkolluar në Kosovë bën më shumë plane për të lëruar arën në vjeshtë e për ta punuar atë në pranverë. Pra, për t’i rënë shkurt, shumica e këtyre universiteteve të reja janë themeluar si universitete politike - për përfitime afatshkurta të një partie dhe për rehatimin e militantëve partiakë. Në këtë logjikë ka vazhduar edhe emërimi i anëtarëve të këshillave drejtuese dhe përzgjedhja e menaxhmentit, mësimdhënësve dhe administratës. Për të gjitha këto arsye, kam qenë shprehimisht kundër arsyes dhe mënyrës së themelimit të tyre. Bindja ime vetëm sa është forcuar me kalimin e kohës sepse universitetet e reja u themeluan dhe u lanë pothuajse pa asnjë mbështetje që të përballeshin me sfidat e panumërta: prej mungesës së objekteve, financave, personelit, programeve, mjeteve shpenzuese, zyrave e të tjera vërtetë të panumërta.

Këto ditë po dëgjoj se Ministria e Arsimit ka vendosur që këto universitete t’i mbyllë, t’i kthej në fakultete, në kampuse ose në degë të Universitetit të Prishtinës. Në thelb, një lajm i këtillëç do të duhej të më gëzonte – por ja që nuk po ndihem aspak i gëzuar!

Kjo sepse në ndërkohë kam bashkëpunuar me këto universitete qoftë privatisht qoftë në kuadër të projekteve të ndryshme vendore e ndërkombëtare. Dhe kam qenë vazhdimisht i befasuar këndshëm nga entuziazmi i menaxhmentit, personelit dhe i studentëve pothuajse në secilin prej këtyre universiteteve. Edhe menaxhmenti edhe mësimdhënësit që vinin kryesisht nga një parti, dhe do të duhej të ishin të politizuar, i karakterizonte një entuziazëm dhe angazhim i pashembullt që të ndërtohej diçka e mirë për popullatën. Është ky entuziazëm besoj unë - jo përkrahja e shtetit - që ka bërë që këto universitete të mos mbylleshin vetvetiu. Nga vizitat në rektoratet e këtyre universiteteve në kuadër të një projekti ndërkombëtar kam kuptuar se edhe nga një fillim i keq mund të ndërtohet diçka e mirë.

Të kuptohemi, gjendja nuk është aq e mirë dhe gjithsesi disa vuajnë më shumë se të tjerat. Ndonjëri nga këto universitete nuk po mund të konsoldiohet as pas 7-8 vitesh, të tjerët ende kanë problem thelbësore me mungesën e personelit, objekteve e të tjera. Shumë prej tyre ende nuk kanë arritur kriteret (madhësia, numri i programeve studimore, dhe programet doktorale) të kërkuara sipas ligjit për t’u quajtur universitete. Këto e probleme të tjera e bëjnë situatën shumë komplekse sa i përket këtyre universiteteve.

Megjithatë, mendoj se kjo Ministri është e obliguar që ta marrë këtë çështje më seriozisht dhe ta trajtojë në kuadër të një qasjeje kombëtare (sepse universitetet janë entitete kombëtare) e jo në kuadër të një qasjeje të ngushtë partiake, ministrore ose grupore. Situata duhet të shikohet me thellë, me kujdes të shtuar dhe të ndërtohet mbi arritjet e mira dhe mbi entuziazmin e njerëzve dhe të eliminohen pasojat negative të politizimeve të arsimit në të kaluarën. Kjo Ministri ka rastin që të ndërpresë qasjen e deritanishme të stilit biblik: gjithçka fillon me mua dhe kryhet për shtatë ditë dhe të mbështesë vendimet e veta në analiza të themelta e serioze të bazuara në ekspertizë e jo në opinione e në përshtypje sipërfaqësore. Dhe, asgjë nuk duhet bërë pa përfshirjen aktive të komunitetit akademik gjithandej.    

Me e keqe se themelimi i shkujdesur dhe joserioz i këtyre universiteteve mund të jetë tjetërsimi ose mbyllja e tyre e pamenduar. 

    

    Data: 10 Janar 2018 17:11
    Autori: Xhavit Rexhaj

    Të tjera