Kthehu lart

Politically incorrect: Çfarë nuk shkon sot me Islamin shqiptar? (II)

Politically incorrect: Çfarë nuk shkon sot me Islamin shqiptar? (II) Autori: Mustafa Nano GazetaExpress

Zgjidhja, sipas meje, është debati e ballafaqimi publik mes vedi. Në këtë kuptim, duhet t’i mirëpresim myslimanët që shprehen, sidoqë të shprehen... Kështu na japin mundësinë t’i njohim, na ftojnë edhe neve të tjerëve në debat, na bëjnë që të themi tonën, e krijojnë një lloj trazimi edhe brenda botës së tyre, ku deri më sot ka mbretëruar ose hipokrizia, ose militantizmi anti kombëtar. Dramatike e alarmante do të ishte nëse ata nuk do t’i shprehnin këto gjëra, nga momenti që i mendojnë. Sepse kështu problemi nuk do zgjidhej, por do fshihej

-Vijon nga numri i djeshëm
Pse një pjesë e mirë e myslimanëve tanë nuk e ndjekin traditën e Islamit shqiptar? “Sepse Islami shqiptar është një Islam konfuz e kontradiktor që ka marrë formë nën presione të natyrës politike e nën rrethana të caktuara historike”, mund të thonë më të shkolluarit ndër ta. Dhe kanë të drejtë me këtë. Por puna është që kjo nuk është një arsye për ta skualifikuar. E gjitha bota islame është e tillë. Shkollat, interpretimet, versionet e Islamit janë të shumta, për të mos folur pastaj për përthyerje të këtyre shkollave nëpër realitete kombëtare, që bëjnë shumëfishimin marramendës të ngjyrave në mozaikun islam. Sot edhe brenda botës arabe ka disa lloje Islami. Ka pastaj një Islam turk, brenda të cilit është edhe një gulenist, ka një Islam pakistanez, një malajzian e indonezian (që kanë të njëjtën moshë me Islamin shqiptar; në mos, janë më të rinj), një tunizian, një iranian, një azerbaxhanas, një të kurdëve, një të palestinezëve, një të boshnjakëve, një kosovar, një maqedonas, etj, etj, për të mos folur pastaj për Islamin e talebanëve, të ISIS-it, për Islamët e vendeve europiane, të SHBA-ve, të Kanadasë, të Australisë, apo për Islamët që po kërkojnë të “dizajnojnë” grupe të ndryshëm reformatorësh brenda botës islame, të cilët gjithashtu nuk bien në një mendje me sho-shoqin, e në fund janë Islamët nëpër histori, që nga Islami që praktikoi vetë Muhameti, te Islami i kalifëve abasidë, te Islami osman, e deri te Islami që u praktikua nën diktaturat laike deri në kapërcyell të shekujve XX e XXI. Sa Islamë ka, aq të mira qofshin! E në gjithë këtë mori Islamësh, mes të cilëve edhe vetë Muhameti, nëse do të rikthehej në këtë botë, do të shastisej, lind pyetja: Pse u dashka përçmuar Islami që të kanë lënë të parët e tu, babai, gjyshi, stërgjyshi, katragjyshi e u dashka përqafuar e admiruar një Islam tjetër, mes dhjetrave të tjerë? Çfarë kanë këta të tjerët që u dukërkan më ndjellës? Asgjë nuk kanë, përveç faktit që mbahen me të madh si Islami autentik.

Mirëpo, gara mes tyre për të marrë patentën e autenticitetit e për të përfaqësuar markën e Islamit të duhur është një lojë politike. Nëse jo, është thjesht një tentativë për ta rikthyer, e për ta mbajtur, botën islame në shekullin VII. Islami shqiptar duhet t’u rrijë larg këtyre lojrave. Dhe duhet të rekuperojë tiparet e Islamit të traditës së vet, i cili, jo vetëm që u bëhet krah përpjekjeve për një komb shqiptar të fortë (ç’është e vërteta, kombi shqiptar e ka Islamin e traditës ashtu si buka ka majanë, dmth pa të si zor të mbahet), por edhe nuk bie ndesh kushedi se çfarë qoftë me qytetërimin perëndimor, të cilit nuk mund t’i shqitemi, qoftë me përpjekjet që bëhen brenda botës islame për ta reformuar këtë botë. Janë të shumta këto përpjekje, pavarësisht se jehona e këtij diskutimi planetar nuk ka ardhur deri këtej nga anët tona. Pse? Sepse intelektualët publikë të lidhur me besimin islam, por në radhë të parë teologët e imamët, janë duke u marrë me lojën politike për ta forcuar Islamin në Shqipëri, për të ndërtuar xhami pa fund, për ta islamizuar territorin, e për të bërë që zëri i muezinëve të dëgjohet cep më cep të Republikës, mundësisht deri në Orosh të Mirditës. E janë duke harxhuar kohë e energji për të luftuar të ashtuquajturën islamofobi. Fokusimi te islamofobia është një marifet për t’u marrë me të tjerët, e jo me veten. Sepse kur një mysliman flet për islamofobi, afërmendsh që merret me të tjerët, me ata që Islamin nuk e duan, që e urrejnë, që e përbuzin, dhe përcillet mesazhi që Islami, tok me myslimanët, janë viktimat e pafajshme, dhe se faji është i europianëve. Mirëpo kjo, përveçse nuk ndihmon asnjë çikë në zgjidhjen e krizës në botën islame, nuk është as e ndershme. Nuk është e ndershme të bërtasësh, fjala vjen, që britanikët janë islamofobë, në një kohë që shteti britanik nuk ka lënë gjë pa bërë në mënyrë që myslimanët të ndihen për bukurí në Britaninë e Madhe. Fakti që 88% e myslimanëve atje të thonë se “Britania e Madhe është një vend shumë i mirë për të jetuar” flet vetë. Nëse myslimanët britanikë do të ishin të shqetësuar prej islamofobisë, nuk do ta kishin këtë mendim në shumicë. Shteti britanik duhet kritikuar për tjetër gjë, për të kundërtën, dmth për shtrirjen e manifestimin e tolerancës deri në kufij të pakuptueshëm, dhe është pikërisht kjo gjë që i ka sjellë dëm edhe Islamit atje. Britanikët kanë lejuar të ngrihen disa Këshilla, a Gjykata, të Sheriatit, madje ka edhe një Tribunal Mysliman të Arbitrazhit, në të cilët trajtohen ankesa të myslimanëve lidhur me çështje familjare, me divorcin, me probleme e konflikte që lindin mes tyre, etj. Këto struktura, edhe sikur të mos u mbivendosen atyre të shtetit britanik, inkurajojnë krijimin e një shoqërie paralele, bëjnë getoizimin kulturor të myslimanëve, dhe i mbajnë këta të fundit në nivelin e mishit të huaj në atë shoqëri. Dhe kështu, këtë sjellje të britanikëve mund ta quajmë edhe tuafllëk, po të doni, por jo Islamofobi.

Mbi të gjitha, kjo është një tërheqje e kapitullim përballë radikalizmit islamik. Kudo nëpër Europë vihet re kjo tërheqje. Liria e shprehjes nuk është më siç ka qenë në Perëndim. Kritika ndaj Islamit konsiderohet tanimë, siç e thamë, Islamofobi. Edhe intelektualët europianë të së majtës i mbajnë iso kësaj kënge, dhe nuk kuptohet pse Islamin duan ta lënë jashtë rrezes së goditjes së kritikës në një kohë që Islami, me metrin kulturor europian, është ideologji si gjithë ideologjitë e tjera, të cilat në Perëndim i janë nënshtruar e i nënshtrohen kritikës, denoncimit, përqeshjes, sulmit, përbuzjes, etj, në një kohë që Muhameti nuk ka asgjë më shumë se Zarathustra, Jezu Krishti, Joseph Smith-i mormonëve, etj, e në një kohë që Allahu i myslimanëve nuk ka, për aq sa shqisat e truri i europianëve është në gjendje të kapë, asgjë më shumë sesa Zoti i të krishterëve, Jehovai, Krishna, e çdo Qënie tjetër almighty, all-knowing, all-hearing, all-seeing, all-forgiving, all-possessing, all-powerful, all-glorious, omniscient, omnipotent që kanë shpikur njerëzit.

Sot në Perëndim, të transmetosh një spot komercial që ka për personazh shenjtët e kishës katolike, apo t’i vësh epitete Jezu Krishtit, është ok, por të bësh një karikaturë të Muhametit, ah, jo, kjo nuk ka kuptim, kjo është ta teprosh. Kjo drojë për t’u marrë me botën islame është përcjellë edhe në Shqipëri. Është interesante e kureshtare që në “Portokalli”, apo te programi tjetër komik “Al Pazar”, e kanë përqeshur në një numër rastesh Papën e Romës, madje edhe tipologjinë e priftit katolik, por nuk janë tallur në asnjë rast qoftë edhe me një imam province. Dhe një imam i Portokallisë kishte për të qenë alamet personazhi. Pyetje: Pse nuk e kanë sajuar një personazh të tillë butaforik, në një kohë që ai ekziston edhe në realitet (shihni në youtube shfaqjet televizive të ndonjërit syresh; nuk ka estradë më të mirë sesa ato shfaqje; ai mjafton të imitohet e të riprodhohet, dhe tërë dynjaja do gajaset). Përgjigjja dihet: Myslimanët ia kanë dalë ta shndërrojnë në tabú shqyrtimin kritik a satirik të botës së tyre. Me ta nuk duhet të merret njeri. Ndryshe...

Dhe e keqja nuk ndalet këtu. Disa myslimanë nuk janë thjesht lëkurëhollë. Janë edhe gjykatës të ashpër të kësaj bote. Me fjalë të tjera, marrin atribute që ata vetë ia japin vetëm Zotit të tyre, i Cili gjykon, por nuk mund të gykohet. I japin të drejtë vetes pra të bëjnë atë që nuk duan t’ua bëjnë të tjerët atyre. Një imam shqiptar, por edhe myslimanë të tjerë, çfarë nuk thanë për Skënderbeun këto ditë, duke e ditur fare mirë se me këtë fyejnë me qindra mijra njerëz, që Skënderbeun e kanë heroin e vet kombëtar, thënë ndryshe, profetin e kombit të vet. Dhe ngritën zërin në kupë të qiellit kundër histerisë që shpërtheu në rrjetet sociale e në blogje kundër tyre. “Çfarë bëhet kështu? Nuk jemi të lirë të themi atë që mendojmë?”, ia bëri njëri prej tyre në programin e fundit të Rudina Xhungës.

Në fakt, e drejta e tyre për t’u shprehur as që mund të diskutohet. Atyre u takon ta thonë të tyren për gjithçka që ka të bëjë me Shqipërinë, që është vendi i tyre njësoj siç është i yni. Në këtë kuptim, më janë dukur të çakërdisura ca thirrje drejtuar këtyre imamëve anti atdhetarë që ta lënë këtë vend e të ikin në Arabi, në Turqi, apo ku di unë se ku, apo thirrjet drejtuar shtetit që t’i arrestojë e t’i dënojë!!! Përsëris: Ky është vendi i tyre, pavarësisht se çfarë thonë, ashtu siç është edhe vendi i ne të tjerëve. Po të isha i pranishëm në programin “Dritare”, do t’i thoja atij myslimanit: “Jo, mos ki gajle prej atyre që të sulmojnë. Mos u step prej zhurmës së krijuar. Shprehu, ashtu si di! Shprehu ashtu si je! Asgjë të keqe nuk ka po të shprehesh. Por njihu të tjerëve – kjo është elementare dreqi ta hajë! – të drejtën që kërkon për vete, njihu të tjerëve të drejtën të thonë çfarë ata kanë në kokë për fenë islame, për Kuranin, për Muhametin, e kështu me radhë.” Është e rëndësishme kjo klimë e debatit publik të sinqertë, ku palët i shprehin gjërat ashtu si i mendojnë. Në këto rrethana, edhe nëse ndarja është e thellë, ka një shans për t’u përafruar, e për t’u bashkuar rreth ca vlerave, apo ca interesave, apo ca emocioneve, apo ca simboleve të së shkuarës, që mund t’i kemi të përbashkët. Nëse ne e fshehim veten, dhe qëndrimet tona, përafrimi nuk ka për të ardhur kurrë. Sepse nuk do dimë se çfarë të përafrojmë.

Nuk është e vërtetë ajo që thuhet, se paqja fetare ka ardhur prej faktit që ne nuk e kemi prekur temën e feve, që ne nuk e kemi bërë publik animozitetin që ekziston, që ne nuk kemi bërë një debat të hapur, që ne kemi bërë sikur nuk ka asgjë që nuk shkon mes nesh. Bashkëjetesa ndërfetare është bërë e mundur falë vetëdijës së identitetit të përbashkët etnik, e mbi të gjitha për një trill rrethanash historike. Konfliktet fetare nuk ka patur se nga, e se si, e se kur, të vinin. Perandoria osmane as i inkurajonte, as i lejonte konfliktet fetare. Më pas erdhi pavarësia. Entusiazmi i krijimit të shtetit kombëtar, tok me një si një kompleks faji të myslimanëve shqiptarë që ishin shumicë, nuk e bënin të mundur asnjë konflikt fetar. Më pas erdhi regjimi komunist, i cili ndaloi praktikimin e besimit fetar. Për rrjedhojë, nuk kishte se si të kishte konflikte fetare. Dua të them me këtë se ne shqiptarët kemi pasur harmoni fetare, por historia nuk është se na ka vënë përpara ndonjë prove kushedi se çfarë në këtë drejtim. Ja, sfida e parë e madhe është kjo e kësaj kohe që po jetojmë. Përplasja fetare është sheshit nëpër botë. Jehona e saj ka mbërritur deri në Shqipëri. Do të ishim të verbër po të mos e shihnim. Të krishterët tanë, me zë apo nën zë, po kërkojnë t’u njihen kredencialet e hershme perëndimore e t’u çmohet besnikëria ndaj fesë së të parëve, po kërkojnë që e shkuara e tyre të kapitalizohet si dëshmia e vetme e ekzistencës me nder të shqiptarëve në histori, duke qenë të sigurtë se kjo kohë që po jetojmë është koha e tyre. Nga ana tjetër, myslimanët nuk po tregojnë se kanë ende sot ndonjë kompleks faji; përkundrazi të shtyrë prej vetëdijës se janë shumicë në vendin e tyre, janë duke nxjerrë në pah e theksuar identitetin e tyre fetar, e duke lënë në plan të dytë, ose fare mënjanë, identitetin kombëtar, janë duke ndërtuar një histori tjetër të Shqipërisë, që në fakt është historia e tyre, dhe mbi këtë bazë janë duke ndërtuar një vizion të Shqipërisë së nesërme, që nuk ka asnjë lidhje me aspiratën e rilindësve dhe të elitave kulturore të çdo kohe të mëpasme “për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa”; për myslimanët po punon edhe komunikimi i lirë kombëtar, i cili ka rritur peshën specifike të Islamit në arealin shqiptar, dhe i ka bërë një pjesë myslimanësh, përveç të tjerash, që bashkimin eventual kombëtar ta konfondojnë në planin perspektiv me një komb shqiptar islamik, e kështu me radhë. Përsëris, është bash në këto kohë që ne po ballafaqohemi për herë të parë, e seriozisht, me sfidën e harmonisë ndërfetare. Kjo është ora e provës së madhe. E prandaj, në vend të dënglave mbi modelin e harmonisë ndërfetare, ne do bënim mirë të vrisnim mendjen se çfarë duhet bërë në mënyrë që kombi  shqiptar, jo vetëm të mbetet më këmbë, por të bëhet më i fortë. Nëse është kjo që duam.

Zgjidhja, sipas meje, është debati e ballafaqimi publik mes vedi. Në këtë kuptim, duhet t’i mirëpresim myslimanët që shprehen, sidoqë të shprehen. Nuk ka asgjë dramatike e alarmante te fakti që një imam a teolog a dijetar a besimtar mysliman flasin hapur, dhe thonë, fjala vjen, se Skënderbeu për ta është një mercenar, se Skënderbeu nuk është hero i tyre, se konceptin e kombit nuk e njohin fare, se për ta është veç besimi që ka rëndësi, se bustet e statujat janë vepër e shejtanit, se shqiptarët janë me origjinë arabe a turke, se sheriati është më i mirë se ligji shekullar, se gruaja duhet t’i nështrohet burrit, etj, etj. Le t’i thonë këto gjëra, pasi kështu na japin mundësinë t’i njohim, na ftojnë edhe neve të tjerëve në debat, na bëjnë që të themi tonën, e krijojnë një lloj trazimi edhe brenda botës së tyre, ku deri më sot ka mbretëruar ose hipokrizia, ose militantizmi anti kombëtar. Dramatike e alarmante do të ishte nëse ata nuk do t’i shprehnin këto gjëra, nga momenti që i mendojnë. Sepse kështu problemi nuk do zgjidhej, por do fshihej.

/Mapo.al

    Data: 12 Shtator 2017 10:52
    Autori: Mustafa Nano

    Të tjera