Kthehu lart

Harmonizimi i legjislacionit me BE-në, shtyllë bazë për një sektor financiar të qëndrueshëm dhe atraktiv në Kosovë

Harmonizimi i legjislacionit me BE-në, shtyllë bazë për një sektor financiar të qëndrueshëm dhe atraktiv në Kosovë GazetaExpress

Komponenta e integrimeve financiare, si njëra ndër shtyllat bazë të procesit të integrimit evropian në përgjithësi, pa dyshim se manifeston efektet e saj edhe në sektorin financiar të Republikës së Kosovës.

Harmonizimi i legjislacionit financiar, në aspektin kohor, deri më tani është shfaqur në dy forma: 

1) në frymën e marrëdhënieve jo kontraktuale (para MSA-së) dhe 

2) në frymën e mar­rëdhënieve kontraktuale (pas hyrjes në fuqi të MSA-së).

Harmonizimi i legjislacionit në fazën e parë bazohet në një proces jo gjithëpërf­shirës dhe të pa afatizuar në kuptim të harmonizimit të plotë të legjislacionit fi­nanciar vendor me atë të BE-së, ndërsa në fazën e dytë bazohet në një proces mjaft të konkretizuar si për nga përmbajtja, ashtu edhe për nga afatet e përmbushjes.

Zhvillimi i infrastrukturës ligjore për sektorin financiar të vendit bazuar në fazat si më sipër është përballur me shumë karakteristika të cilat kronologjik­isht paraqesin një trend shumë progresiv, i cili kulmon me harmonizimin aktual të legjislacionit financiar të vendit me atë të BE-së. Ky trend ka filluar me nxjerrjen e legjislacionit për të ndërtuar nga zeroja sistemin financiar të vendit, i cili leg­jislacion fillimisht ishte i përgjithësuar, përmbante zbrazëtira juridike, paraqiste nevojën e rregullimit “ad hoc” të çësht­jeve që realisht duhet të kishin zgjidhje më afatgjatë, si dhe impononte nevojën e nxjerrjes dhe ndryshimit të shpeshtë të legjislacionit sekondar. Qëllimi i këtij legjislacioni më tepër ishte funksional­izimi i sektorit se sa harmonizimi i tij me direktivat e BE-së. Trendi vazhdoi tutje me nxjerrjen e akteve ligjore më të avancuara dhe maksimalisht të harmonizuara me aktet juridike të BE-së dhe standardet ndërkombëtare, duke na sjellë te një fazë kur flitet për përpjekjet e vendit që legjislacioni përkatës të harmonizohet në tërësi. Arsyetimi i evoluimit të trendit si më sipër mbështetet në vlerësimet si në vijim:

1. Harmonizimi i legjislacionit finan­ciar të Kosovës është duke ecur në kuadër të kornizave dhe dinamikës së duhur si rezultat i avancimit të vazh­dueshëm të kapaciteteve rregullative si edhe vetë zhvillimit të sektorit për të absorbuar avancimin e infrastruk­turës legjislative;

2. Mbështetur në kapacitetet insti­tucionale dhe në nivelin e zhvillimit të sektorit financiar, zotimet e dhëna në kuadër të Marrëveshjes së Sta­bilizim Asociimit (MSA) lidhur me fushën në fjalë janë të realizueshme konform afateve të përcaktuara;

3.Legjislacioni financiar në masë të madhe ka integruar dhe është duke integruar standardet ndërkombëtare dhe evropiane sipas një dinamike të organizuar në kuptim të afateve për harmonizimin e këtij legjislacioni;

4. Legjislacioni financiar nuk përm­ban asnjë dispozitë të vetme që bie në kundërshtim me parimet bazë mbi funksionimin e sektorëve financiarë brenda BE-së dhe sidomos me lëviz­jen e lirë të kapitalit dhe pagesave, ku si dëshmi për këtë është vetë prezen­ca dominuese e kapitalit të huaj në këtë sektor. Prezenca e kapitalit të huaj në sektorin financiar i atribuo­het legjislacionit financiar adekuat dhe flet për një sistem financiar sta­bil, të qëndrueshëm dhe atraktiv për investimet e huaja; dhe

5.Bashkëpunimi me institucionet financiare ndërkombëtare, siç janë Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore dhe Banka Qendrore Evropi­ane mundësojnë që sfidat e sistemit financiar të vendit të përmbushën në mënyrë cilësore.
Përfundimisht, Kosova deri më tani në mënyrë të suksesshme ka kaluar nëpër fazat e zhvillimit të legjislacionit finan­ciar dhe harmonizimit të tij me direktivat e BE-së. Kjo shërben si një garancë e fuqishme se Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me kapacitetet moderne që ka ndërtuar, si dhe niveli aktual i zhvillimit të sektorit financiar të vendit në përgjithësi, na sigurojnë se jemi të përgatitur për të tejkaluar me sukses të gjitha sfidat e kësaj fushe që do t’i sjellë procesi i integrimit të plotë financiar të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.

(Autori është kryetar i Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës)

    Data: 06 Maj 2018 13:20
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera