Kthehu lart

Edhe sa do të presim për komplet e për shtatore

Edhe sa do të presim për komplet e për shtatore Autori: Riza Krasniqi GazetaExpress

(Me rastin e ditëlindjes së Prof. Anton Çettës)

Nuk e di a ne si popull jemi të çuditshëm, apo historia jonë është e çuditshme. Për secilën ngjarje të madhe historike kemi shumë pikëpyetje: Kush i organizoi? Pse i organizoi? Në shërbim të kujt ishin organizatorët? Kujt i shërbeu kjo ngjarje? Etj. etj.

Si rrjedhojë e kësaj logjike, pothuajse për të gjitha figurat historike ka shumë mendime kontradiktore. Tek ne figurat historike për disa janë tradhtarë e për të tjerë janë bijtë më të mëdhenj të kësaj toke! Sikur të donim të bënim përjashtim nga ky rregull, atëhere duhet të flasim për “Lëvizjen për Pajtimin e gjaqeve 1990” dhe udhëheqësin e saj, Prof. Anton Çettën.

Pata fatin që Profesorin ta njihja që nga pajtimi i parë në Raushiq, më 10 shkurt 1990. Por sot, më 3 janar 2018, kur mbushen plot 98 vjet nga lindja e tij, nuk do ta kujtoj asnjë nga veprimtaritë e shumta të Profesorit. Do të ndalem pak në qëndrimin e institucioneve tona ndaj veprës së Profesorit. Si është e mundur që as pas kaq vitesh nuk e kemi kompletin e veprave të tij dhe as shtatoren e Profesor Antonit. Vallë nuk e ka merituar, apo për çka është fjala? A mund të më tregojë dikush? Ka vite që me disa miq kemi provuar të punojmë për shtatore dhe komplet. Me të gjithë politikanët që kemi biseduar, pa përjashtim, e vetëm njëri prej tyre nuk ka pasur kohë të na pranojë, na janë përgjigjur kështu:

“Profesori gjithsesi e meriton dhe do të bëjmë çmos që sa më shpejt ta kryejmë këtë obligim ndaj tij”.

I vetmi dallim në mes tyre ishte se kush e lëvdonte veprën e Profesorit më shumë. Dhe secili na thoshte se e ka për nder të bëjë diçka për Profesorin dhe Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve, si një lëvizje shumë e dobishme dhe e domosdoshme për Çështjen tonë. Dhe se shumë shpejt do t’i kemi edhe shtatoren edhe kompletin. Dhe unë doja t’u besoja, sepse i di 100 arsye pse duhet ta kemi kompletin e veprave të Profesor Antonit dhe shtatoren e tij dhe nuk di as një të vetme pse nuk duhet t’i kemi.

Por, po ndërrohen qeveritë, ministrat, kryeminstrat… e rezultati i njëjtë. Nuk ka as komplet të veprave as shtatore. A thua pse?  A thua edhe sa ditëlindje të Profesor Anton Çettës do t’i presim pa komplet e pa shtatore?

    Data: 03 Janar 2018 14:26
    Autori: Riza Krasniqi

    Të tjera