Kthehu lart

Çfarë duhet të dinë prindërit për adoleshencën, si periudhë e trazirave dhe stuhive emocionale?

Çfarë duhet të dinë prindërit për adoleshencën, si periudhë e trazirave dhe stuhive emocionale? Autori: Brikena Krasniqi-Hoti GazetaExpress

​Pyetja më e shpeshtë që prindërit i bëjnë vetës është: Një fëmijë aq i urtë dhe shembullor si u bë që u shndërrua në një rebel të pamëshirshëm? Në këtë rast, përmes kësaj pyetje ne po e shohim vetëm sjelljen e fëmijës sonë, dhe po e anashkalojmë botën e tij të brendshme dhe vuajtjet e stresin nëpër te cilën kalon një adoleshent. Dhe kjo nuk është për fajin e tij/saj dhe as nuk është në vullnetin e tyre.

Periudha e jetës ndërmjet moshës 12 dhe 19 vjeç është një tranzicioni i shpejtë biologjik, psikologjik dhe shoqëror, i lidhur me nevojën për pavarësi, autonomi, formimin e identitetit dhe pranimin nga ana e moshatarëve.

Humbja e fëmijërisë mund të jetë e dhimbshme, sfidat zhvillimore janë kaq të frikshme, pasiguria është aq e madhe, kërkesat e rritjes janë kaq të shumta, konfliktet mbi pavarësinë janë kaq frustruese dhe dëshira për të qenë i/e rritur është e fuqishme sepse bota e të rriturve duket shumë joshëse. Këtu do të ishte kulmi kur prindi është gjykues dhe jo mirëkuptues e as ndihmues.

As prindërit e adoleshentëve nuk e kanë të lehtë. Dyert që përplasen për përdorimin e tepërt të telefonit dhe zgjedhjen e shoqërisë se gabuar, për shkak të netëve të vonuara jashtë shtëpisë, vozitja e makinave me shpejtësi të lartë, dhe me e keqja e prindit është ndjenja e kotë që gjithçka që ju thoni shkon në një njërin vesh dhe del nga tjetri. Dhe sa më shumë që prindërit luftojnë më dëshirën për të kontrolluar jetën e adoleshentit, adoleshenca për vet adoleshentët do të jetë shumë më e rëndë.

Sjellja rebeluese e adoleshentëve mund të rrjedhë më shumë nga faktorët biologjik sesa kokëfortësia, thonë studimet. Mos e mendoni se, ju kur e parashtroni argumentin ose tregoni arsyet, adoleshentët po e interpretojnë atë në të njëjtën mënyrë si ju që e keni paraqitur. Të gjitha struktura e trurit që na bëjnë të mundur ne të rriturve te arsyetojmë, logjikojmë dhe marrim vendime, në adoleshencë janë në zhvillim e sipër. Kur nuk është struktura nervore në vend, adoleshenti nuk mund t’i mendojë me të vërtetë gjërat në të njëjtin nivel si një i rritur. Prandaj adoleshentët janë impulsiv dhe të pamatur. Pra, kjo nuk është e qëllimshme nga ana e tyre, por është e pashmangshme.

Megjithatë, ky nuk është shqetësimi kryesor. Nëse fëmija juaj që tashmë është adoleshent, ka sjellje agresive, ose ka nota të këqija, po vonohet shpesh natën, me siguri se do të ndërmerrni diçka në këtë drejtim. Shpeshherë për këto arsye prindërit edhe drejtohen tek psikologu për ndihmë. Por në anën tjetër, nëse adoleshenti është i tërhequr, më i shmangur nga bisedat apo takimet me shokët, apo edhe në familje, rri kryesisht në dhomën e vet dhe le përshtypjen që i pëlqen të jetë “në botën e vet”? Çfarë do të bënit në këtë rast? A do të mendonit se ka diçka që nuk shkon? Nëse përgjigja juaj është JO, atëherë mund ta keni gabim. Fëmija juaj mund të ketë vështirësi të ndryshme emocionale dhe të mos e dini. Fëmija juaj mund të jetë sistematikisht i ngacmuar nga moshatarët në shkollë, dhe ju nuk jeni në dijeni. Fëmija juaj mund ta ketë të vështirë ta përballoj këtë tranzicion të hyrjes në botën e të rriturve dhe ju nuk e keni vërejte. Është e vërtetë që ka edhe adoleshentë që e kalojnë këtë fazë pa ndonjë vështirësi, por e kundërta është më e shpeshtë.

Gjatë kësaj periudhe ka një rritje të prevalencës së sëmundjeve në të gjitha aspektet e shëndetit, së bashku me rritjen e nivelit të aktivitetit seksual, përdorimit të drogës dhe alkoolit. Studimet tregojnë që ka gjithashtu nivele të larta të shqetësimit dhe trazirave emocionale, ku adoleshenca është një periudhë kritike për fillimin e shumë çrregullimeve mendore. Për më tepër, ka rritje të shkallës së depresionit, numrit të vetëvrasjeve dhe tentimeve për vetëvrasje.

Çka do të thotë kjo? Çka mund të bëjnë prindërit? Së pari ta kuptoni se sjellja e adoleshentit nuk është e qëllimshme ndaj jush, madje edhe nëse ua ka përplasur derën para fytyrës duke ju thënë që “ju urren” ose “ia keni shkatërruar jetën dhe do të ik nga shtëpia”. Nuk është fëmija juaj që po flet me ju, është mosha apo adoleshenca, dhe janë hormonet dhe strukturat e trurit jo të maturuara sa duhet.

Më poshtë është një shembull si mund të ndihet një adoleshentë: Paramendoni se jeni në një vaskë dhe duke dashur të rregulloni ujin, ju lëshohet papritmas uji i nxehtë dhe ju përvëlon. Ndërkohë që u përpoqët ta rregulloni prapë, u lëshua uji i ftohtë akull dhe u ndjetë sikur ju shpoi në zemër. Tash paramendoni se tubi i ujit u prish dhe vazhdimisht, herë ju përvëlon uji i nxehtë dhe herë ju shpon uji i akullt. Kështu janë stuhitë emocionale tek një adoleshentë. Nëse e keni vështirë ta paramendoni, ndoshta edhe e keni harruar kohen kur ishit adoleshentë ju vet. Po e vërtetë, atëherë koha ishte ndryshe, mund të thoni. Por mos harroni se kohërat gjithmonë ndryshojnë, edhe ajo e prindërve tuaj ishte kohë ndryshe. Koha nuk është arsyetim që ju te mos ndërmerrni asgjë.

Vendosni komunikimin me fëmijën tuaj. Flisni edhe për gjerat më të vështira dhe “tabu” siç mund të jetë seksi, droga dhe alkooli, depresioni apo edhe vetëvrasja. Vetëm komunikimi me fëmijën tuaj mund të ndihmoj të kuptoni se nëpër çka po kalon fëmija juaj adoleshentë, dhe kështu mund të ndërmerrni hapa për ta ndihmuar. Nëse nuk po ia dilni vet, kërkoni ndihmë tek një psikolog. Ndihma që do të merrni për të vendosur komunikimin e mirëfilltë do të jetë e pakrahasueshme. Kështu do të jeni një hap më afër drejt parandalimit të gjërave të këqija dhe dhimbjes së madhe nëpër të cilën mund të kaloj një adoleshentë

Mos harroni: Shëndeti mendor i fëmijës suaj është shumë më i rëndësishëm se normat dhe vlerat e moralit të shoqërisë sonë dhe se sa kërkesat dhe pritjet që keni pasur ju për të. Fëmija juaj nuk është ju dhe nuk mund të jetë. E as nuk do të duhet të jetë si ju. Ju duhet ta ndihmoni atë që të jetë vetvetja. Kjo është pikënisja që të arrij të bëhet një i rritur i mirë dhe i përgjegjshëm. Këtë obligim e keni. Nuk është e lehtë, e di.

Brikena Krasniqi Hoti-Specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë
Mr.sc në Psikologji Klinike dhe Shëndeti


    Data: 02 Qershor 2018 13:22
    Autori: Brikena Krasniqi-Hoti

    Të tjera