Kthehu lart

Asgjë nuk është ashtu siç duket

Asgjë nuk është ashtu siç duket Autori: Brikena Krasniqi-Hoti GazetaExpress

Duhet ta kuptoni se nuk është aq e thjeshtë. Ankthi, depresioni dhe sulmet e panikut janë përjetime të tmerrshme.

Nëse keni një mik apo anëtar të familjes që vuan nga ankthi, depresioni, sulmet e panikut apo ndonjë vështirësi tjetër emocionale/mendore, më e keqja që mund të bëni është t’i gjykoni, duke u thënë: “Mos u komplekso pa nevojë”, “është thjeshtë në kokën tënde, largoje vet se mundesh”, “mos aktro se na lodhe”, “shqetësimi yt nuk është asgjë, ka gjëra më të këqija në këtë botë” apo “gëzohu pak, buzëqesh se të kalon”. Të gjitha këto janë të kota dhe ju vetëm po ua rëndoni problemin akoma më shumë.

Duhet ta kuptoni se nuk është aq e thjeshtë. Ankthi, depresioni dhe sulmet e panikut janë përjetime të tmerrshme. 

Ato nuk janë si një këmbë e thyer, e që mund të vërehet apo kuptohet se sa e rëndë është dhimbja. Dhimbjet shpirtërore nuk janë të dukshme. Jo vetëm se natyra e këtyre çrregullimeve është e tillë, por edhe për faktin se duke pasur ju një qëndrim gjykues, personi tjetër po përpiqet shumë që ta fsheh atë nga ju. Dhe ju po mendoni se gjithçka është në rregull, kur në fakt është krejt e kundërta: ASGJË NUK ËSHTË NË RREGULL DHE ASGJË NUK ËSHTË ASHTU SIÇ DUKET.

Sepse ju nuk po tregoni gatishmëri për mirëkuptim. Kjo arsye shpeshherë i bën të afërmit tuaj të bëjnë një lloj jete të “dyfishtë”, ku i afërmi juaj apo familjari kërkon ndihmë tek psikologu apo psikiatri dhe ju nuk e dini, askush në familje apo nga miqtë nuk e dinë, sepse ata kanë frikë se do t’i gjykoni dhe do tu thoni se janë bërë si të “çmendur”, apo do tu thoni “ke gjithçka që të duhet në jetë, pse s'po mundohesh ta tejkalosh vet”.

Familjarët dhe miqtë janë personat kyç, të cilët mund të jenë shumë mbështetës dhe të ndihmojnë që personi ta kaloj më lehtë. Ata mund të jenë një ndihmesë e madhe edhe gjatë procesit terapeutik të personit, sepse përfitimet që arrihen në seancat psikoterapeutike, ndërgjegjësimi dhe shkathtësitë që fitohen në psikoterapi, për tu aplikuar në jetën e përditshme varet shumë nga mjedisi social dhe familjar i personit. Kështu që përpiquni te jenë më shumë ndihmues e me pak pengues në këtë proces.

MOS GJYKONI NË ASNJË RRETHANË, DHE NËSE NUK DINI SI TË VEPRONI, HESHTNI DHE VETËM QËNDROJUNI AFËR. TREGOJUNI SE ATY JENI KUR ATA MUND TË KENË NEVOJË PËR NJË DORË QË T’I MBAJ. KJO ËSHTË MË E MIRA QË MUND TË BËNI.

Brikena Krasniqi Hoti-Specialiste e Psikologjisë Klinike dhe Psikoterapisë.

MSc. në Psikologji Klinike dhe Shëndeti

    Data: 12 Maj 2018 11:14
    Autori: Brikena Krasniqi-Hoti

    Të tjera