Kthehu lart

A është populizmi rreziku më i madh sot?

A është populizmi rreziku më i madh sot? Autori: Tjitske Akkerman GazetaExpress E martë, 05 Shtator 2017 14:00

Shtytësat e përbashkët si të partive populiste, ashtu edhe të partive jopopuliste për të kërkuar kufijtë e sundimit të ligjit apo për të shkuar përtej tyre janë emigracioni dhe preokupimet për sigurinë. Nëqoftëse ka ndonjë ideologji që kërcënon sot demokracitë liberale, nacionalizmi dhe autoritarizmi janë shumë më tepër kandidatë sesa populizmi

Populizmi është ndoshta koncepti më i mbivlerësuar sot. Supozimi se populizmi po kërcënon të destabilizojë regjimet demokratike në Europë gëlon si në media, ashtu edhe në akademi. Populizmi, siç ka argumentuar Cas Mudde, është jo antidemokratik, por kundër demokracisë liberale. Ai mbështet idealin e një demokracia mazhoritare apo popullore, të bazuar mbi vullnetin e përgjithshëm të njerëzve. Megjithatë, ky kërcënim potencial ndaj demokracive liberale është thjesht hipotetik.

Ekziston një valë aktuale populizmi në Europë dhe ka presion ndaj lirive liberale në shumë vende europiane, por a është populizmi një shkak i konsiderueshëm i këtyre presioneve aktuale ndaj demokracive liberale? Që të identifikosh kërcënimet (apo korrigjuesve po deshët) ndaj demokracive liberale është e rëndësishme që të vlerësohet në vend që të supozohet impakti i populizmit. Kërkimet tregojnë se partitë populiste kanë pasur impakt të vogël ndaj reformave institucionale demokratike në Europën Perëndimore deri më tani. Me sisteme elektorale në shumicë dërrmuese proporcionale dhe qeveri koalicioni ku partitë populiste janë më së shumti partnerë të vegjël, opozita të konsiderueshme gjyqesh, parlamentesh dhe shoqëri civile, në total demokracitë liberale në Europën perëndimore sigurojnë kontekste të qëndrueshme.

Megjithatë, kjo e lë ende të hapur mundësinë që populizmi ka qenë një forcë e madhe në vendosjen e regjimeve iliberale në Hungari, Poloni apo Amerikë Latine dhe se mund të rritet e të bëhet një forcë e tillë në Europën Perëndimore. Argumentet e mia për të hetuar impaktin potencial të populizmit në demokracitë liberale janë më të përgjithshme.
Së pari, populizmi nuk është një ideologji thelbësore e partive apo lëvizjeve politike në Europë. As partitë populiste, as votuesit e tyre, nuk tentojnë që t’u japin shumë peshë çështjeve të reformës demokratike. Pakënaqësia me politikën është një arsye anësore për votuesit në Europën Perëndimore që të votojnë parti radikale të krahut të djathtë dhe nuk luan aspak rol si motivim për të mbështetur elektoralisht parti populiste të krahut të majtë. Njëlloj si votuesit e tyre, partitë populiste nuk u japin shumë rëndësi çështjeve të reformës demokratike. Për shembull, për partitë populiste radikale të krahut të djathtë propozimet për futjen e formave të drejtpërdrejta të demokracisë apo për të reformuar gjyqësorin tentojnë që të jenë instrumentale për politikat antiemigracion dhe çështjet e sigurisë. Nacionalizmi dhe autoritarizmi janë burime ideologjike shumë më të rëndësishme për këto parti sesa populizmin. Për partitë populiste e krahut të majtë akoma mbetet për t’u parë nëse synojnë apo jo që të reformojnë demokracitë liberale në demokraci popullore.

Së dyti, jo të gjitha partitë populiste janë kundër demokracisë liberale. Disa parti janë thjesht populiste nga pikëpamja retorike. Për shembull, Partia Socialiste Hollandeze (SP) konsiderohet gjerësisht si një parti populiste. Sigurisht, partia shpesh kundërvë njerëzit e mirë me elita të korruptuara si puna e bankierëve, por SP-ja është gjithashtu e përkushtuar ndaj një demokracie liberale. Kjo është në kontrast me Partinë për Liri (PVV) e krahut të djathtë radikal të Geert Ëilders, e cila nuk është populiste vetëm nga pikëpamja retorike, por edhe tregon pak përkushtim ndaj demokracisë liberale.

Së treti, presioni ndaj demokracive liberale nuk është i kufizuar vetëm tek partitë populiste. Propozime politike dhe nisma legjislative që janë në tension me apo që shpërfillin liri themelore vijnë gjithashtu nga parti kryesore. Kërkimi sistematik krahasues akoma po mungon, por një i tillë i realizuar në Hollandë bën të qartë se politika që janë në konflikt me sundimit e ligjit nuk janë të kufizuara tek partitë populiste.

Krahasimi sistematik i posterave zgjedhore demonstron se partitë kryesore të djathta, gjithashtu tentojnë gjithnjë e më shumë që të mbështesin politika që ua nënshtrojnë të drejtat themelore objektivave politikë të tilla si kufizimi i emigracionit dhe përmirësimi i sigurisë. Me fjalë të tjera, shtytësat e përbashkët si të partive populiste, ashtu edhe të partive jopopuliste për të kërkuar kufijtë e sundimit të ligjit apo për të shkuar përtej tyre janë emigracioni dhe preokupimet për sigurinë. Nëqoftëse ka ndonjë ideologji që kërcënon sot demokracitë liberale, nacionalizmi dhe autoritarizmi janë shumë më tepër kandidatë sesa populizmi.

/The Time

    Data: 05 Shtator 2017 14:00
    Autori: Tjitske Akkerman

    Të tjera