Kthehu lart

Viti i Dytë i Europës

Viti i Dytë i Europës Autori: Richard Haass GazetaExpress

Europa ka shansin të vulosë fatin e saj në disa aspekte politike. Zgjedhje presidenciale në Francë mbartin një peshë të madhe, ndërsa institucionet duhet t’i përshtaten më shumë kërkesave të shtetasve europianë duke u larguar nga elitarizmi burokratik

Më shumë se katër dekada më parë, Këshilltari i SHBA për Sigurinë Kombëtare, Henry Kissinger e shpalli vitin 1973 si “Viti i Europës”. Synimi i tij ishte të nënvijëzonte nevojën për modernizim të marrëdhënies së Atlantikut dhe, më veçanërisht, nevojën që aleatët europianë të Amerikës të bëjnë më shumë me SHBA në Lindjen e Mesme dhe kundër Bashkimit Sovjetik në Europë.

Kissinger do të ishte i pari që pranoi se europianët nuk e përmbushën sfidën e tij. Megjithatë, ne po përballemi sërish me një vit të Europës. Këtë herë, gjithsesi, shtysa nuk po vjen më nga një qeveri e zemëruar amerikane sesa nga brenda Europës.

Rreziqet janë po aq të mëdha sa në vitin 1973, në mos më të larta. Rusia nuk tregon shenjë tërheqjeje nga Krimeja apo ndalim të përpjekjeve për të destabilizuar Ukrainën lindore. Ka shqetësime të arsyeshme që Rusia mund të përfshihet në taktika të ngjashme kundër një ose më shumë vendesh të vogla në NATO, me të cilat kufizohet.

Refugjatët i janë shtuar barrës së Europës, ashtu si terrorizmi i frymëzuar nga ngjarjet në Lindjen e Mesme ose i kryer nga sulmues të tjerë nga rajoni. Brexit, dalja e Mbretërisë së Bashkuar nga BE-ja tani ka filluar formalisht; ajo që mbetet për t’u zgjidhur janë koha dhe kushtet, të cilat do të përcaktojnë ndikimin e referendumit në të ardhmen ekonomike dhe politike të Mbretërisë së Bashkuar dhe të shtetet e tjera që po e mendojnë daljen nga Unioni. Greqia dhe disa vende të tjera në Europën lindore vazhdojnë të jenë të rënduara nga papunësia e lartë, borxhi në rritje dhe një hendek i vazhdueshëm mes asaj që u kërkohet qeverive dhe asaj që ato mund të përballojnë.

Por nga të gjitha sfidat me të cilat përballet BE-ja, zgjedhja presidenciale franceze mban rëndësinë më të madhe për të ardhmen e Europës dhe ndoshta të botës. Sondazhet tregojnë se secili prej katër kandidatëve mund të jetë fitimtar. Ç’ka e bën këtë të ndryshme dhe me pasoja është që dy prej katër kandidatëve, liderja e Frontit Kombëtar Marine Le Pen dhe lideri i të majtës ekstreme Jean-Luc Melenchon, mbështesin politika larg zakonshmërisë franceze dhe europiane. Nëse secili prej tyre fiton raundin e dytë më 7 maj, kjo do të thotë fund të anëtarësisë franceze në BE dhe NATO, si dhe ngre pyetje ekzistenciale për të dyja organizatat dhe për të gjithë Europën.

Skenarë të tillë ishin të paimagjinueshëm deri vonë. Për dekada, Europa ka qenë rajoni më i suksesshëm, më i qëndrueshëm dhe më i parashikueshëm i botës, një vend ku historia dukej se ishte e vulosur. Synimi për ta bërë kontinentin të paqtë, të plotë dhe të lirë ishte realizuar gjerësisht.

Por ndryshim dramatik ka ndodhur në Europë. Një faktor është vullneti dhe aftësia e treguar nga Rusia e Vladimir Putinit për të përdorur forcë ushtarake, ekonomike dhe manipulim kibernetik për të çuar përpara axhendën e vet. Por një sfidë edhe më e madhe për Europën moderne vjen nga politikanët e saj, të cilët gjithnjë e më shumë vënë në pyetje vlerën e BE-së, trashëgimtaren e Komunitetit Ekonomik Europian i krijuar në 1957 nga Traktati i Romës.

Arsyeja pas procesit gjashtë-dekadësh të integrimit Europian – shpesh quajtur “projekti Europian” – ka qenë gjithnjë e qartë. Europa Perëndimore dhe mbi të gjitha Gjermania dhe Franca, duhej të bashkoheshin në një pikë që lufta, e cila shpesh ka karakterizuar të shkuarën e kontinentit, të bëhej e pamendueshme.

Kjo është arritur dhe ka pasur progres të madh ekonomik. Por përgjatë rrugës, projekti europian e humbi mbështetjen e shtetasve europianë. Institucionet e BE-së u bënë shumë të largëta, shumë elitare dhe shumë të forta, pa llogaritur identitetet kombëtare me të cilat europianët mbetën të lidhur. Krijimi i keq-menduar i një bashkimi monetar pa një homolog fiskal i bëri punët edhe më keq. Burokratët e kaluan kufirin.

Fuqizimi i kandidatëve populistë, nacionalistë të majtë dhe të djathtë në Francë dhe gjetkë në Europë është rezultat i kësaj. Edhe nëse ndonjë nga këta dy kandidatë do të prevalojë në Francë, shumëçka do të mbetet e pasigurt. Kriza imediatie do të ketë kaluar, por sfida afatgjatë do të mbetet.

Është e dukshme që BE-ja ka nevojë të rimendohet. Duhet të kalojë nga “një përmasë për të gjitha” për t’u bërë më freksibël. Ka gjithashtu nevoja për të ribalancuar pushtetin larg nga Brukseli, vendi ku ndodhen shumica e institucioneve të BE-së, drejt kryeqyteteve të tjera kombëtare.

Qeveritë duhet të bëjnë më shumë për të krijuar kushtet paraprake për rritje ekonomike ndërsa shtojnë aftësinë e punëtorëve për të luftuar me eliminimin e pashmangshëm të shumë vendeve ekzistuese të punës si rezultat i inovacionit teknologjik. Gjermania, e drejtuar nga kancelarja aktuale apo nga kundërshtari i saj kryesor në zgjedhjet e shtatorit, duhet të marrë drejtimin për këtë.

Europianët, duhet ta përcaktojnë të ardhmen e Europës. Por administrata Trump gjithashtu duhet të luajë rol. Mbështetja miope e Trump për Brexit dhe dalje të tjera nga BE-ja duhet të marrë fund; një Europë e përçarë, më e dobët dhe e shpërqendruar nuk do të jetë një partner i mirë në NATO. Mund të jetë e vërtetë që Azia ka më shumë gjasa se Europa t’i japë formë historisë së shekullit 21. Por mësimi i shekullit të shkuar nuk duhet humbur: çfarë ndodh në Europë mund dhe do të prekë stabilitetin dhe begatinë globale.

/Project Syndicate

    Data: 19 Prill 2017 11:26
    Autori: Richard Haass
    • Doktor, lëri djemtë e tu të shkojnë

      Doktor, lëri djemtë e tu të shkojnë 0

    Të tjera

    • Mashtrimi i paralajmëruar

      Mashtrimi i paralajmëruar 0

    • Çfarë e mundon Sali Berishën

      Çfarë e mundon Sali Berishën 0