Kthehu lart

Vetvrasja e një Republike që lindi nga genocidi politik

Vetvrasja e një Republike që lindi nga genocidi politik Autori: Mero Baze GazetaExpress

Republika e Kosovës ka bërë një akt vetvrasje, duke u përfshirë në përndjekjen politike të një shteti autoritar, që persekuton kundërshtarët politik dhe duke kthyer shtetin e Republikës së Kosovës në një polici politike në shërbim të problemeve politike të Presidentit të Turqisë Rexhep Erdogan. Ekstradimi jashtë çdo procedure ligjore i gjashtë musuesve turq që kanë shërbyer në kolegjin “Mehmet Akif” në Kosovë, vetëm se ata i ka kërkuar ti burgos Turqia si “armiq politik” të Presidnetit Erdogan është vetvrasje shumplanëshe.

Së pari ajo godet arsyen përse është themeluar shteti i Kosovës. Kosova ndryshe nga çdo shtet tjetër në botë, është një investim i Perëndimit për të shpëtuar një popull që persekutohej politikisht për shkak të origjinës etnike. Shqiptarët e Kosovës, u kthyen në viktima të një rregjimi politik diktatorial dhe si të tillë mijëra veprimtarë kosovarë të pavarësisë, dhe liderët e saj politik, mërguan në Perëndim për të organizuar prej andej rezistencën politike.

Kosova është sot shtet dhe Republikë, fal vendeve perëndimore që strehonin veprimtarë politik, të cilët në Jugosllavi quhehsin terroristë. Jusuf Gërvalla u përndoq nga UDB deri në Gjermani dhe u vra bashkë me dy shokët e tij atje, por policia gjermane ende e heton vrasjen e tij.  Hashim Thaci, Ramush Haradniaj, Kadri Veseli, Bujar Bukoshi, Isa Mustafa, dhjetra drejtues të Vetvendosjes , e mijëra të tjerë më pak të njohur, kanë provuar të gjithë një herë dokumentin e azilantit politik në Perëndim dhe etiketimin terrorist në atdheun e tyre. Është e pafalshme që në dhjetvjetorin e parë të Republikës së tyre, këta njerëz ekstradojnë jashtë çdo procedure në Turqi, gjashtë mësues të shpallur terrorist nën një paranojë puçi, që është pjesë e luftës politike për pushtet në Turqi.

Kosova ka asgjesuar kryearsyen përse është bërë Republikë dhe shtet i pavarur me këtë gjest që ka bërë, dhe kjo do të ketë pasoja të pariparueshme në imazhin e saj dhe të ardhmen e saj politike në Evropë. Ajo është kthyer papritur në vendin më të pasigurt në botë, në vendin ku adhurohen diktatorët dhe persekutohen arsimtarët e akuzuar si puçistë.

Ai është sot vendi i qeverisur nga njerëz të papërgjegjshëm, që me veprimet e tyre të dëshpëruara pas këtij akti tragjik, tregojnë se nuk funksionojnë si shtet, por si bandë.

Së dyti Kosova ka kryer vetvrasje sa i përket imazhit të udhëheqësve të saj. Kosova është e “dënuar” të ketë udhëheqës demokratë. E di që askush prej tyre nuk ka dëshirë të jetë i tillë, por janë të dënuar të jenë të tillë. E di që ëndrra e çdo udhëheqësi në Ballkan është modeli i Erdoganit dhe lehtësia me të cilin ai qëndron në pushtet, abuzon dhe merr vendime, por janë të dënuar të jenë “demokratë” proevropianë dhe jo osmanllinj.

Sido që Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj, Kadri Veseli, Albin Kurti apo Isa Mustafa të sillen në Kosovë si demokratë, ky rast i nxjerr ata zbuluar si adhurues diktature. Një demokrat është demokrat, jo vetëm aty ku është i detyruar të sillet si i tillë , por sidomos aty ku shkelen liritë njerëzore. Ai nuk mund të bëj kurrë aleancë politike dhe marrëveshje me një tip si Erdogani, përveç marrëdhënieve shtetërore korrekte që reflektojnë historinë mes dy vendeve.

Gjesti i dorzimit të gjashtë mësuesve mjafton për të njollosur çdo lider në Kosovë si autokat dhe erdoganist, pamvarësisht ka apo jo përgjegjësi. Mënyra si e pranuan këtë gjest tregon, se ata adhurojnë diktaturën.

Së treti ky është një gjest vetvrasës dhe për shtetin e Kosovës. Kryeministri Ramush Haradinaj shkarkoi sot Ministrin e Brendshëm dhe një zëvendësministër, por kjo vetëm sa e komplikon dhe më shumë problemin, pasi dëshmon egzistencën ose të një shteti të papërgjegjshëm, ose të një strukture paralele brenda shtetit.

Ky rast është pak të haj dhe gjithë qeverinë e Kosovës. Ai dhe me aq nuk shlyhet. Të shkarkosh vetëm ministrin e brendshëm, do të thotë, ose që nuk je kryeministër, ose që dikush të është ul këmbkryq brenda shtetit dhe nuk të pyet.

Incidenti i rënd duhet të rrëzoj qeverinë e Kosovës dhe ti fus në listën e zezë gjithë këta zyrtarë që njollosën Kosovën me këtë gjest. Kurrë më atyre nuk u duhet besuar as një zyrë në shtetin e Kosovës, jo se kanë dorzuar gjashtë mësues turqë, por se kanë bërë Kosovën një vend të pasigurt, të paqartë, të pashpresë, të pafytyrë dhe mbi të gjitha të papërgjegjshëm. Një shtet që jashtë çdo procedure dorzon gjashtë qytetarë se ja kërkon një diktator, është shteti i një Republike të vdekur. Përndryshe sot qeveria duhet të kish rënë dhe Kosova do ti dëshmonte Perëndimit se nuk e ka tradhëtuar atë, për interesa dhe paranoja të një Sulltani që ka ca hysmeqarë në Prishtinë.

    Data: 30 Mars 2018 18:22
    Autori: Mero Baze

    Të tjera