Kthehu lart

Trumpi po abuzon me fuqinë e politikës së jashtme të Amerikës

Trumpi po abuzon me fuqinë e politikës së jashtme të Amerikës Autori: Fareed Zakaria GazetaExpress

Amerika ka ndërtuar besueshmërinë e saj dhe kapitalin politik gjatë shekullit të kaluar. Administrata Trump po shpërdoron këtë fond besimi për avantazhe politike afatshkurta, në mënyra që do ta zhdukin përgjithmonë atë

Si shpjegim për disa nga lëvizjet e çuditshme të politikës së jashtme të Presidentit Trump, shpesh na thuhet se ai është “jo-konvencional” dhe se kjo mund të jetë një aset i vlefshëm. Është sigurisht e vërtetë se ai nuk ndjek procedurën standarde të veprimit për pothuajse asgjë, që nga marrja e informacioneve ditore të inteligjencës deri tek vendosja e stafit në Departamentin e Shtetit. Por shkëputja e tij më domethënëse nga presidentët e mëparshëm ka qenë në retorikën e tij. Presidentët amerikanë kanë prirjen të peshojnë me kujdes fjalët e tyre, duke besuar se ata duhet të ruajnë besueshmërinë e fuqisë udhëheqëse botërore.

Dhe pastaj vjen Trump, për të cilin fjalët janë pa pashë. Gjatë fushatës, ai shmangu Arabinë Saudite si një vend që “dëshiron që gratë të bëhen skllevër dhe të vrasë homoseksualët”, ndërsa udhëtimin e tij të parë presidencial jashtë vendit e bëri në këtë mbretëri dhe përqafoi ngrohtësisht sundimtarët e saj. Ai tha se NATO ishte e vjetëruar dhe më pas pohoi të kundërtën. Kina ishte një manipulatore monetare që “përdhunonte” Shtetet e Bashkuara, derisa doli e kundërta.

Retorika e lirshme dhe kërcënimet e papërshtatshme shpesh kanë dështuar. Pasi u zgjodh Trump, ai kërcënoi Kinën duke menduar për njohjen e Tajvanit. Qeveria kineze e ballafaqoi bllofin e tij dhe ngriu marrëdhëniet me Uashingtonin. Trump-it ju desh të telefononte Presidentin Xi Jinping dhe të hante fjalët e tij.

Por ka situata në të cilat një “fleksibilitet” i tillë mund të funksionojë. Me Korenë e Veriut, Trump kërcënoi të sillte mbi atë vend shi “zjarri dhe tërbimi”, për të mirëpritur tashmë një takim me udhëheqësin e saj. Përkrahësit e Trump thonë se ky lloj manovrimi mund të prodhojë një marrëveshje që ka anashkaluar qasjet më konvencionale ndaj problemit.

Ne të gjithë duhet të shpresojmë se do të funksionoj. Por deri më tani, vlen të përmendet se atmosfera e cirkut nga kërcënimet tek përqafimet e alternuara të Trump ka nënvzuar një pikë kyçe: Është Trump, e jo Kim Jong Un, i cili bëri koncesionin. Pozicioni i Shteteve të Bashkuara prej kohësh ka qenë që vetëm kur Koreja e Veriut të bënte disa hapa konkrete për denuklearizimin, do të kishte bisedime presidenciale. Deri së fundmi, vetë administrata Trump këmbëngulte se nuk do të shpërblejë ndërtimin e armëve bërthamore me negociata.

Ka një argument të mirë për të qenë fleksibël në këtë çështje procedurale. Por ne duhet të jemi të vetëdijshëm se Kim duket se është duke zbatuar një strategji të zgjuar në mënyrë brilante. Ai filloi me një ndërtim të shpejtë të armëve nukleare, duke krijuar një arsenal të vërtetë bërthamor me raketa që mund të përmbajnë armë dhe të arrijnë kudo botë, duke rrezikuar tensionet dhe madje edhe marrëdhëniet e tij me Kinën. Me ndërtimin e arsenalit, ai tani po përmirëson marrëdhëniet me Kinën, duke shtrirë dorën Koresë së Jugut dhe duke ofruar negocimin me Uashingtonin.

Aftësia e Trump këtu mund të jetë gatishmëria e tij për të braktisur plotësisht pozitën e kaluar dhe për të miratuar një të re. Shtetet e Bashkuara do të duhet të pranojnë diçka më pak se qëllimi i saj i shpallur prej kohësh – denuklearizimin e plotë – dhe ndoshta Trump do të jetë në gjendje të gjejë një mënyrë për ta bërë këtë.

Ka, megjithatë, një lloj tjetër të diskutimit të ashpër që është më shqetësuese. Administrata shtyn fort një çështje – tregtia me Korenë e Jugut, për shembull – dhe më pas shpall një marrëveshje, duke pretenduar se ka fituar koncesione të rëndësishme. Në fakt, këto kanë qenë kryesisht lëshime simbolike të bëra nga aleatët për të lejuar administratën për të shpëtuar fytyrën. Koreja e Jugut ra dakord të rrisë numrin e makinave që secili prodhues automjetesh amerikan mund të shesë në vend nga 25,000 në 50,000. Është një koncesion i lehtë për t’u bërë. Asnjë kompani amerikane nuk shiti më shumë se 11,000 makina atje vitin e kaluar.

Shtetet e Bashkuara mbeten një superfuqi. Aleatët e saj kërkojnë mënyra për ta përshtatur këtë. Administrata Trump mund të vazhdojë të bëjë kërkesa të çuditshme dhe do të marrë disa lëshime, sepse askush nuk dëshiron një konflikt të hapur me Shtetet e Bashkuara. 

Nëse Trump thotë se evropianët duhet të dalin me disa ndryshime në marrëveshjen e Iranit, ata do të përpiqen të gjejnë një mënyrë për ta bërë këtë, sepse ata nuk duan ta shohin kolapsin e marrëveshjes dhe Perëndimin të bjeri në kaos.
Kjo nuk është një shenjë pushteti, por më tepër abuzim të saj. Kur administrata e George W. Bush detyroi një seri shtetesh për të mbështetur Luftën e Irakut, kjo nuk sinjalizonte forcën amerikane – ajo në fakt e rrëmbeu atë forcë. Ky është një stil që shkon përtej presidencës. 

Në vitet e fundit, Shtetet e Bashkuara janë mësuar me të gjitha llojet e trajtimeve të veçanta. Për shembull, shteti i Nju Jorkut ka përdorur fuqinë e dollarit si valutë rezervë botërore për të detyruar bankat e huaja të paguajnë gjoba dhe të bëjnë marrëveshje. Kjo funksionon, por krijon pakënaqësi të mëdha dhe i udhëheq vende të tilla si Kina për të kërkuar mënyra për të punuar jashtë sistemit, sepse ata mendojnë që ky ekzistuesi i jep shumë avantazhe Shteteve të Bashkuara.

Amerika ka ndërtuar besueshmërinë e saj dhe kapitalin politik gjatë shekullit të kaluar. Administrata Trump po shpërdoron këtë fond besimi për avantazhe politike afatshkurta, në mënyra që do ta zhdukin përgjithmonë atë.

/ The Washington Post – Lexo.al

    Data: 03 Prill 2018 11:03
    Autori: Fareed Zakaria

    Të tjera