Kthehu lart

“Tërheqja taktike” si dështim

“Tërheqja taktike” si dështim Autori: Imer Mushkolaj GazetaExpress

Dështimet në qeverisje nuk mund të mbulohen me “tërheqje taktike” e “pragmatike”. Rastet e aplikimit për anëtarësim në Interpol e UNESCO tregojnë se është zgjedhur rruga më e lehtë, në vend që tregohet përgjegjësi e qasje institucionale. Edhe veprime të tjera “pragmatike”, por jo domosdoshmërisht të dobishme, janë marrë që në fillim të mandatit të qeverisë së re.

Sa herë përmend dikush “tërheqjen taktike” na vjen ndërmend koha e luftës dhe arsyetimet që jepeshin atëherë nga komandantë të ndryshëm, për tërheqje nga një territor i caktuar. Në pamundësi për t’u përballur me ofensivën e forcave serbe, ata thoshin se ishin tërhequr taktikisht nga zonat që i mbanin nën kontroll.

“Tërheqja taktike” u kthye sërish këto ditë në vëmendje, kur Qeveria vendosi të tërhiqet nga riaplikimi për anëtarësim në UNESCO pak kohë pasi, po ashtu, për arsye “taktike” e “pragmatike” ishte tërhequr nga aplikimi për Interpol. Në të dyja rastet, qeveria u arsyetua se rrethanat për të aplikuar ishin jo të favorshme, por se kështu kishin sugjeruar edhe SHBA dhe vendet e Quintit.

Zakonisht për dështimet e Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare është fajësuar Serbia, e cila vazhdon luftën e ashpër diplomatike për ta penguar shtetin e ri në çdo hap. Por, këtë vit Kosova ka hequr dorë vullnetarisht nga aplikimi.

Në rastin e parë problematik është parë aplikimi i Palestinës e cila, megjithatë, u bë pjesë e Interpolit. Në të dytin, frika se mos nuk mund të sigurohen votat e mjaftueshme. Një dështim i dytë në UNESCO do të ishte fatal.

Rezistenca e Serbisë në çfarëdo përpjekje të Kosovës për të shtuar subjektivitetin ndërkombëtar është e madhe por, përtej kësaj, në të tilla raste nuk përjashtohet as përgjegjësia e institucioneve shtetërore kosovare.

Qasja individualiste, e jo institucionaliste ka bërë që dështimet të jenë të pashmangshme. Anëtarësimi në UNESCO nuk është përgjegjësi vetëm e një dikasteri të caktuar qeveritar, por e një bashkëpunimi serioz ndërmjet disa ministrive. Ky bashkëpunim ka munguar dhe nga dështimi i vitit 2015 leksioni nuk është mësuar.

Në vend se të intensifikohen përgatitjet brenda vendit dhe koordinimi me partnerë ndërkombëtarë, klasa politike kosovare u mor me rrëzim qeverie e organizim zgjedhjesh. Qeveria e kaluar akuzohej për mungesë vendimesh të mëdha, ndërkohë që qeveria aktuale u tërhoq nga marrja pikërisht e vendimeve të tilla.

* * *

Jo vetëm çështja e Interpolit dhe UNESCO’s mund të mbeten “tërheqje taktike e pragmatike” në përpjekjet e zyrtarëve të qeverisë aktuale. Demarkacioni me Malin e Zi, një ndër problemet e ngritura në kauzë politike nga kryeministri i tashëm, po provohet të paraqitet si çështje që do të mund të zgjidhet sipas premtimeve të tij, pavarësisht se një gjë e tillë është e vështirë, për të mos thënë e pamundur.

Kryeministri Ramush Haradinaj vazhdon të insistojë se kufiri është në Çakorr dhe Kullë të Zhlepit dhe se Kosova ka humbur më shumë se tetë mijë hektarë tokë. Qytetarët e Kosovës presin që ky pretendim të përligjet dhe humbja e pretenduar e territorit të përmirësohet.

Por, zyrtarë qeveritarë tash po thonë se Haradinaj e kryen obligimin ndaj demarkacionit duke i dërguar në Kuvend gjetjet e komisionit të ri. Një zgjidhje “pragmatike” kjo, por që nuk jep përgjigje në pretendimin thelbësor - që kufiri të kthehet në Kullë dhe Çakorr.

Ndërkohë, një përpjekje për “tërheqje taktike” nga përgjegjësia shtetërore për të zgjidhur demarkacionin e bëri edhe shefi i diplomacisë, Behgjet Pacolli, i cili në Bruksel kërkoi që për liberalizimin e vizave “të shmanget” ky kusht, një kërkesë kjo që nuk është marrë parasysh nga zyrtarët e Bashkimit Evropian.

E shmangie nga përgjegjësia institucionale provohet të bëhet edhe kur flitet për demarkacionin, si i vetmi kusht për heqjen e vizave, ndërkohë që zyrtarë të BE’së jo më larg se para pak ditësh përmendën edhe kushtin e dytë që rrallë zihet në gojë nga udhëheqësit e institucioneve kosovare – luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit. Dështimi për liberalizimin e vizave nuk mund të mbulohet me propozime taktike e pragmatike, por është përgjegjësi e institucioneve të Kosovës.

* * *

Me vendime “pragmatike” Qeveria e re nisi që në ditët e para, siç ishte rasti i banorëve të Hades e Shipitullës. Në vend se me veprimet e tyre antiligjore të merren organet përkatëse, u vendos që ata të shpronësohen për dhjetëra shtëpi të ndërtuara jashtëligjshëm. Ata që shantazhuan shtetin, u shpërblyen nga shteti. Veprime të ngjashme mund të konsiderohen edhe ato për shkarkimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë - një vendim i ngutshëm dhe i paarsyetuar si duhet, si dhe shkarkimi selektiv i anëtarëve të bordeve të ndërmarrjeve publike, që shërbejnë për pazare ndërmjet partive politike.

Pritjet e qytetarëve për Qeverinë Haradinaj janë të mëdha dhe kjo bën që edhe presioni të jetë i madh. Por, kjo nuk nënkupton se vendimet duhet të merren pa i studiuar mirë problemet. “Tërheqjet taktike” mund të kenë qenë të nevojshme dhe të pashmangshme në luftë. Tash koha është për vendime të mëdha, që thuhej se i kanë munguar qeverisë së kaluar. 

    Data: 06 Tetor 2017 15:37
    Autori: Imer Mushkolaj
    • 22 vite pa drejtësi, 22 vite plagë…

      22 vite pa drejtësi, 22 vite plagë… 0

    Të tjera

    • Ballkani nuk u bë dot Zvicër

      Ballkani nuk u bë dot Zvicër 0

    • Shkatërrimi i panatyrshëm i uraganeve

      Shkatërrimi i panatyrshëm i uraganeve 0