Kthehu lart

T’i ndihmojmë Ramushit

T’i ndihmojmë Ramushit Autori: Imer Mushkolaj GazetaExpress

Kryeministri Ramush Haradinaj duhet ta zgjidhë çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Ka mundësi që këtë ta bëjë duke mos u tërhequr nga deklaratat e bëra, as duke e dëmtuar shtetin. Por, problemin nuk duhet ta shohë si akt, por si proces. Inatet çojnë në qorrsokak. Duhet kompromis. Të gjithë mund të ndihmojmë

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, e ka marrë seriozisht integrimin e shtetit të tij në strukturat euroatlantike, duke bërë veprime që vetëm pak muaj më parë do të mund të konsideroheshin të pamundshme, madje edhe tradhti shtetërore. Në përpjekje për të riparuar marrëdhëniet përtokë me Greqinë, e cila po e bllokon më shumë se një dekadë shtetin maqedonas në ecjen përpara, qeveria ka marrë vendim që aeroportit “Aleksandri i Madh” t’ia ndërrojë emrin në Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit, ndërkaq autostradën me të njëjtin emër ta quajë “Miqësia”. Në këtë mënyrë, Shkupi bëri një hap të madh në zgjidhjen e kontestit me Athinën, që çon drejt arritjes së pajtimit edhe për ndryshimin e emrit të Maqedonisë.

Propozimet e deritashme për emrin e ri kanë hasur në kundërshtime të ashpra në të dyja shtetet, por duket se Zaev dhe homologu i tij grek do të ecin tutje, për t’i dhënë fund hasmërisë dekadëshe.

Ndryshe nga paraardhësi i tij Nikola Gruevski, i cili qeverisi vendin me dorë të fortë dhe nuk denjoi ta zhbllokojë situatën, Zaev po tregohet lider që di dhe duhet të marrë edhe vendime jopopullore dhe të dhimbshme, por në të mirë të qytetarëve dhe të vendit. Ai po vepron si burrështetas që di të rezonojë përtej mentalitetit ballkanik të të bërit të gjërave, si politikan pragmatik që kërkon dhe gjen zgjidhje - pavarësisht kundërshtive të shumta.

* * *

Një situatë bllokimi, shkaku i mosmiratimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, tash tre vjet po e vuan edhe Kosova. Kjo çështje ishte kthyer në kauzë të ish-opozitës, veçanërisht Ramush Haradinajt. Qeveria e Isa Mustafës u rrëzua me arsyetimin se nuk ishte në gjendje të marë vendime të mëdha, ndër të cilët ishte edhe demarkacioni.

Përkundër dështimit që këtë problem ta zgjidhë brenda tre muajsh si kryeministër, Haradinaj nuk mund të amnistohet nga përgjegjësia për të. Pavarësisht se marrëveshja është proceduar në Kuvend, i takon koalicionit qeveritar, veçanërisht atij, që ta kalojë atë.

Në vazhdimësi Haradinaj ka përsëritur se kufiri i Kosovës është në Çakorr e Kullë të Zhlepit. Edhe mund të jetë kështu, por këtë nuk ia kanë dalë ta dëshmojnë dy komisione shtetërore. Në një situatë të tillë, më e lehta do të jetë që marrëveshja të hidhet poshtë dhe procesi të nis nga e para. Por, kjo nuk është zgjidhje.

Demarkacionin me Malin e Zi nuk duhet lidhur vetëm me liberalizimin e vizave. Kalimi i marrëveshjes është më shumë se kaq. Është dëshmi e forcimit të shtetndërtimit të Kosovës dhe respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare. Natyrisht, duke mos e dëmtuar territorin e vendit.

Askush nuk po thotë që marrëveshjen duhet ratifikuar me çdo kusht dhe duhet falë tokë një shteti tjetër. Por, një zgjidhje pragmatike duhet gjetur. Dhe mundësitë për këtë ekzistojnë. Në nenin e dytë të projektligjit që deputetët duhet ta votojnë është lënë e hapur mundësia që, nëse ka fakte të reja ligjore, mund të ndryshohen dhe plotësohen me pëlqimin e palëve. “Me pajtimin e palëve, për ndryshimin e dispozitave të marrëveshjes mund të kërkohet edhe arbitrazh ndërkombëtar”, thuhet aty.

Kjo mundësi duhet të shfrytëzohet pas kalimit në Kuvend të versionit aktual të demarkacionit. Vendi duhet të shkojë përpara dhe nuk ka kohë më për të humbur.

* * *

As që duhet diskutuar se dyshimet për humbje territori e falje toke duhet marrë seriozisht. Qoftë edhe për tetë metra katrorë, e lëre më për 82 kilometra, sa është thënë se i janë dhënë Malit të Zi.

Askush nuk po thotë që marrëveshja për demarkacionin të miratohet në dëm të Kosovës. Por, duhet shfrytëzuar mundësinë që në pajtim me Podgoricën të përmirësohen gabimet eventuale, pas miratimit të saj në Kuvend. Natyrisht, procesi mund të zgjasë, por zgjidhje më fatlume nuk është as zvarritja e kësaj çështjeje që nuk çon askund.

Përtej emocioneve, këngëve të trimërisë e legjendave, politika kosovare duhet të tregojë pragmatizëm që ta tejkalojë këtë sfidë. Nëse dy komisione shtetërore nuk na kanë mbushur mendjen se cila është zgjidhja e drejtë, atë herë kujt t’i besohet?

Ramush Haradinaj e ka shansin që të tregohet lider që merr vendime edhe kur ato janë të vështira. Lider që di dhe duhet të marrë edhe vendime jopopullore e të dhimbshme, por në të mirë të qytetarëve dhe të vendit. Ai duhet të tregohet pragmatik e praktik që çështjet kontestuese të zgjidhen në një proces. Por të mos e bllokojë edhe më tej ecjen e vendit përpara.

Atij i duhet ndihma e gjithësecilit prej nesh, që ta inkurajojmë ta çojë procesin para. Në diskursin publik, termet “tradhtarë” e “patriotë” nuk duhet të kenë vend. Kompromisi është i nevojshëm. Inatet çojnë veç në qorrsokak.

    Data: 07 Shkurt 2018 18:00
    Autori: Imer Mushkolaj

    Të tjera