Kthehu lart

Statujat e gjalla të Fadil Hoxhës

Statujat e gjalla të Fadil Hoxhës Autori: Xhemal Ahmeti GazetaExpress E enjte, 13 Prill 2017 20:12

Sali Berisha dhe Fatmir Sejdiu nderuan si hero kombëtar Shaban Polluzhën. Gjakova donë t’i ngre përmendore njërit nga akterët kryesorë të vrasjes së tij dhe mijërave tjerë – këtë ai e ka pranuar edhe vetë. Kush thotë se shoqëritë shqiptare nuk gjenden në një skizofreni të thellë?

Komuna e Gjakovës nuk tërhiqet: ajo tashmë, sipas informacioneve të fundit, paska shpallur tenderin për ndërtimin e përmendores së ish kryefunksionarit jugosllav në Kosovë. Ideja e bustëzimit mund të merret edhe si finalja e një rehabilitimi që nisi me bërjen e tij si anëtar nderi i PDK-së, që përndryshe thirret krahu i luftës dhe varrimi i tij nga ish forcat e UÇK-së.

Si pas varrimit të tij ashtu edhe tash e saherë riaktualizohet ideja e ndërtimi të përmendores së tij shpërtheu një debat ndërmjet atyre që e konsiderojnë «tradhtar» dhe atyre që thonë: për çka përmendore atij? Cili është arsyetimi konkret i ngritjes së përmendore të vrasësit të vetëdeklaruar të po atyre që Sali Berisha i shpalli heronj më 1993 e Fatmir Sejdiu në vitin 2009. Ai ka organizuar e udhëhequr likuidimin e brigadave rezistuese të Shaban Polluzhës, bashkë me ata të Tivarit, Drenicës e gjithandej, të cilët u masakruan se ishin kundër instalimit të «komunizmit» serb në Kosovë?

Të shpallësh heronj, t’i rehabilitosh dorasët dhe viktimat në një kohë a nuk është skizofreni?

Problemi, mirëpo nuk kuptohet aq thjeshtë vetëm me «aferën e përmendores», nëse nuk i trajtojmë edhe kategoritë kryesore të involvuara të shoqërisë në këtë debat. Cilat janë ato?

KATEGORIA E PARË – Duhet të mos lexosh, informohesh apo reflektosh fare e mos ta vëresh mundin e ish funksionarëve militantë të ish Jugosllavisë dhe pasardhëseve të tyre për ta rehabilituar veten, prindit, familjet madje edhe fisin. Në vete ky aksion, ky shtrëngim bëhet me një arrogancë të theksuar dhe madje duke falsifikuar qëllimisht proceset historike nëpër të cilat kaloi Kosova. Metoda e pseudodoktrinës ka këtë thelb: Ishin ata funksionarë të kohës së ish Jugosllavisë që e bënë këtë Kosovë të gatshme ( shkollimi, infrastruktura, urbanizimi, kultura), të pjekur për pavarësinë që fitoi dikur. E assesi ata burgaxhinjtë, idealistët budallenj, katundarët dhe malësorët që me disa kallashnikovë të prishur luanin kaubojin me indianin maleve të Drenicës, Dukagjinit e gjetiu. Pikërisht se kjo kastë të «prapambeturish» janë pas luftës në pushtet Kosova është shndërruar në ferr bandash kriminele. Referencën pse janë më të shkolluar e thithin nga habituset reale të tyre, ngase si fëmijë funksionarësh shkolloheshin jashtë.

Kështu arsyetimi pasardhësve të aparatit jugosllav në Kosovë. 

KATEGORIA E DYTË – Kësaj kategorie, të parës,  i bashkëngjiten edhe pacifistët që deri në fund e kundërshtonin ekzistencën e krahut të luftës si shqiptar, e quanin pjellë serbe, të panevojshme, inekzistente. Shumica absolute e këtyre poashtu kanë pasur funksione të larta gjithandej sistemit jugosllav madje deri në çastet kur Millosheviqi me dhunë i nxori nga institucionet, shkollat dhe segmentet tjera të jetës së atëhershme kosovare. Tashti kur lufta është bërë një lloji kapitali historik me të cilin bëhet politika ditore dhe fitohen votat sajojnë historira nga më të ndryshmet për ta dëshmuar se vetëm këta kishin tru, infrastrukturë, përkrahje për ta bërë atë luftë që u bë e jo tjerët. Nëpërmjet vrasjeve të disa eksponentëve dhe aktivistëve të tyre tentojnë ta shfaqin luftën e krahut tjetër jo vetëm si infantile, por edhe kriminele. Natyrisht edhe atëherë kur ndajnë pushtetin me ta. 

KATEGORIA E TRETË – Ish të burgosurit politikë, ish njerëzit e UÇK dhe sidomos rajonet e shtypura dhe me shumë të vrarë gjatë LDB-së refuzojnë, luftojnë këtë lloj rehabilitimi veçanërisht të atyre që ishin në krye të përgjegjësisë dhe luftonin të drejtat shqiptare në Kosovë fillimisht me likuidime masive, më vonë me vrasje primatësh të lëvizjeve dhe me burgosje masive si «kundërrevolucionarë», «separatistë», «nacionalistë», e të ngjashëm. Shumica e viktimave të sistemit kërkonte barazi qytetare dhe trajtim të barabartë me popujt tjerë. Duke u shërbyer me doktrinën e komunizmit jugosllav të atëhershëm mijëra burgoseshin, hendikepoheshin dhe linçoheshin edhe pse shpreheshin lirë (delikti verbal). Kërkesat e kësaj kategorie e kanë poashtu një defekt të madh se paushalizojnë dhe fusin me një thes të gjithë që s’kanë qenë në burgje apo kanë punuar ndonjë funksion, për të cilin jo patjetër është dashur edhe militantizmi ideologjik antishqiptar. 

ANALIZA E FAKTEVE DHE KATEGORITË – Rehabilitimi dhe pajtimi i nevojshëm ndër gjenerata nuk bëhet duke falsifikuar historinë në favor të prindërve, farë e fisit. Bartësit e funksioneve të larta politike nuk duhet të sillen arrogantë por duhet të kërkojnë falje se kanë qenë përfaqësues dhe bërës të një politike diskriminuese totalitare, kundër të drejtave kombëtare shqiptare; vrasëse e lirisë së shprehjes dhe mendimit; pra sistemi monist që është dënuar tashmë pothuaj nga i gjithë qytetërimi (përveç ende komunistëve) si sistem politik kundër njeriut dhe lirive të tij. Njerëzit me poste kyçe të sigurimit të shtetit, gjykatave duhet të kërkojnë falje për të bëmat dhe dënimet që i kanë shqiptuar ngase kanë qenë të detyruar. Luftën nuk e bënë pacifistët por ata që i pa gjithë bota në televizor e në takime pothuaj me gjithë ndërkombëtarët që shkonin atje.

Shkollat nuk i bënë këta primat të politikës apo ndonjë mësues i fshatrave të Shkupit por njerëz tjerë si Mekulët e të llojit, pra inteligjencia e parë, e cila me leje të federatës jugosllave që dikur kuptoi se trushpëlarja ideologjike e popujve bëhet më lehtë në gjuhën e tyre se në ndonjë tjetër, ata ndërtuan institucionet e para arsimore.

Të burgosurit politikë dhe tjerët e diskriminuar, burgosur gjatë kohës së ish-Jugosllavisë nuk kanë të drejtë të vulosin gjithë gjeneratat si tradhtare pse nuk kanë qenë në burg. Qëndron fakti se Kosova në aspektin arsimor dhe tjera i poqi kushtet shumë më mirë pikërisht gjatë qenies në ish-Jugosllavi, dhe u shpëtua në shumë segmente pikërisht nga ata që jetonin e punonin «në liri». Merita kanë të gjithë, por jo ata me përgjegjësi të lartë në federatën jugosllave.

Dy kategoritë e para besojnë se me rehabilitimin e kryekomunistit Fadil Hoxha si patriot do ta kenë hapur portën më mirë për të rehabilituar edhe varësit e tij besnikë, pra prindit e tyre. Gabim fatal. Humbin të drejtën që të mos stigmatizohen për arsye të lidhjeve biologjike. 

FADIL HOXHA – Pse përmendore Fadil Hoxhës? Është njëri nga akterët kryesorë të tradhti mit të Konferencës së Mukjes. Është njëri nga akterët kryesorë të vrasjeve në Tivar, Drenicë e gjithandej. Është njëri nga lejuesit e kohës së Rankoviçit (pushtetin e ka pasur gjatë luftës dhe nga viti 1945 deri më 1984). Është përfaqësuesi kryesor i politikës Jugosllave në Kosovën, e cila u stabilizua nëpërmjet gjendjes së jashtëzakonshme ushtarake, ngase shumica e saj nuk donte të jetë nën Serbi. I dënoi demonstratat e vitit 1981. Ky është Fadil Hoxha i krimit politik. Pastaj kemi edhe Fadil Hoxhën që zhvilloi Gjakovën, ndihmoi të vetët bashkë me dashnoret dhe burrat e tyre të ngjiten hierarkisë së sistemit jugosllav. Kemi Fadil Hoxhën që i përqendroi plotë fabrika në Gjakovë. Dhe Fadil Hoxhën e tretë që nga një banesë e tij në qytetin e lindjes këshillonte politikanët e rinj se si të sillen me ata që u kishte shërbyer gjithë jetën?

Këto janë faktet.

Krahasimin banal se edhe këta të tashmit vjedhin, kanë vrarë disa aktivistë (supozojnë) e bëjnë vetëm ata që nuk dinë të dallojnë: krimin politik, historik, kulturor ndaj një populli nga krimi ordiner i vrasjes së kundërshtarëve nga të cilët nuk është varur kauza e një populli, por janë krime të fëlliqura ordinere për pushtetin e kësaj apo asaj kaste.

Çka do të kujtojë përmendorja e Fadil Hoxhës: Atë të viteve të luftës, të pasluftës deri më 1984, ndërtuesin e katër fabrikave për Gjakovë, përfaqësuesin e sistemit totalitar komunist apo çka? Humanistin, iluministin, paqësorin, liridhënësin e liridashësin nuk mund ta simbolizojë kurrë, ngase historia e tij është e tillë. Ka gabuar. Nuk kërkoi falje dhe pasi shqiptarët kanë shpirtin aq të madh madje edhe varrosën me nderimi, kështu duke e falur disi. Më shumë vartësit dhe pasardhësit e tij s’kanë ç’kërkojnë. 

Ose mundet edhe ndryshe: Komuna e Gjakovës i arsyeton gjitha veprimet e tij dhe ndjek rrugën drejt sistemit politik që përfaqësonte ai. Në demokracitë shqiptare lulëzojnë plotë totalitarizma edhe një më shumë nuk prish botën.

    Data: 13 Prill 2017 20:12
    Autori: Xhemal Ahmeti
    • Mos i besoni kurrë gazetarëve të pasur 0

    Të tjera

    • Blerim, o i gjori Sanço i Veselit 0

    • Elvis Don Kishoti 0