Kthehu lart

Skënderbeu – përbashkim në orientim

Skënderbeu – përbashkim në orientim Autori: Burim Ramadani GazetaExpress

Kosova, si kornizimi më i ri shtetëror ku shqiptarët kanë përgjegjësinë e mirëmbajtjes së shtetit qytetar – duke ofruar dhe u kujdesur për mundësitë e prosperitetit dhe përfaqësimit të etnive tjera të këtushme –nuk ndryshon asnjë detaj të orientimit, ndërveprimit dhe përkatësisë perëndimore.

Orientimi strategjik kombëtar ka rrënjët e vulosura te Skënderbeu. I tillë, ky orientim mbetet një prej vlerave kryesore të shqiptarëve edhe sot, 550 vjet pas vdekjes së tij. Jo pse asnjëherë nuk është sfiduar ky orientim, por se përkatësia shqiptare nuk mund të ndryshohet. As dje, as sot dhe asnjëherë!

Vështirësitë e etnisë shqiptare, të kornizuara më pas në shtete të ndryshme në Ballkan, nuk kanë pasur asnjëherë fuqinë e tillë sa që të ndikojnë në ndrrimin e thelbit. Nuk mund ta kenë as tash dhe as në tw ardhmen e perceptuar.

Kosova, si kornizimi më i ri shtetëror ku shqiptarët kanë përgjegjësinë e mirëmbajtjes së shtetit qytetar – duke ofruar dhe u kujdesur për mundësitë e prosperitetit dhe përfaqësimit të etnive tjera të këtushme –nuk ndryshon asnjë detaj të orientimit dhe përkatësisë perëndimore.

Si rast i veçantë, shteti i Kosovës është projekt i përbashkët vendor dhe perëndimor, duke dhënë kështu shembullin më konkret në rendin e tashëm botëror se, pwrpos tw drejtws historike qw herwt a vonw arrihet nw zbatim, abuzimi me konceptin e sovranitetit dhe shkelja masive e të drejtave e lirive themelore të njeriut deri në gjenocid nuk mund të pranohet. Atë që Kissinger e quan, “rendi botëror i bazuar në rregulla”, është përgjegjës për ndëshkimin e “papërgjegjshmërisë së akterëve të rendit botëror”.  

Sigurisht, një rol i tillë i komunitetit ndërkombëtar demokratik ka marrë vëmendjen edhe për shkak të orientimit të elitës dhe popullatës së këtushme.  

Janë të paktën dy mësime, që në kontekstin e sotshëm, mund të merren nga esenca e sjelljes politike dhe strategjike të Skënderbeut:

Së pari, Skënderbeu ka përbashkuar princërit e atëhershëm. Patjetër se forma dhe modalitetet e atëhershme për këtë kanë qenë proporcionale me kontekstin kohor dhe kulturor. Porse, kjo i ka dhënë atij legjitimitetin e udhëheqjes kombëtare, duke forcuar rrugën e përbashkët për të gjithë, në të mirë dhe në të keq.

Sigurisht se përbashkimi (unifikimi) strategjik është i domosdoshëm sot. Janë më të vogla dhe më të parëndësishme mendimet ndarëse. Është krejtësisht më e ngushtë rruga ndarëse në të cilën duam të lëvizim në tërësi si shoqëri dhe si shtet. Përkundrazi, elementet thelbësore që mbajnë komunitetin së bashku nuk janë vendosur në krizë të përkatësisë. Mund të ketë ndarje në organizime dhe bindje të ndryshme politike, por këto nuk duhet të largojnë apo shmangin ndërveprimin e përkushtuar në interesat nacional.

Edhe sot, përbashkimi rreth interesit nacional në Kosovë është i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm. Në procese të rëndësishme për shtet-ndërtimin e Kosovës, në kompletimin e shtetit të Kosovës, nuk duhet të ketë veprime që ndajnë shoqërinë dhe shtetin.

Së dyti, Skënderbeu ka qartësuar dhe, më pas, ndjekur objektivat strategjikë pa asnjë luhatje. Në asnjë moment, qëndrimi dhe kontributi në aleancat e Skënderbeut nuk është vënë në lajthitje. Edhe atëherë kur jo të gjitha detajet e jetës kishin nivelin më të lartë të ndërveprimit.

Shoqëria dhe shteti i Kosovës nuk kanë asnjë dilemë në arritjen e objektivave strategjike dhe interesit nacional. Duke mësuar nga periudhat e kaluara, në atë që Kujtesa Historike na risjellë në tavolinë, interesi nacional i Kosovës është i pandarë dhe i pandashëm nga ndërveprimi me perëndimin.

I tillë, i pandarë dhe i pandashëm, është veprimi strategjik për arritjen e interesave nacionale. 

    Data: 19 Janar 2018 11:07
    Autori: Burim Ramadani

    Të tjera