Kthehu lart

Kryeministri i kazanit

Kryeministri i kazanit Autori: Berat Buzhala GazetaExpress

Të paktë janë ata që nuk kanë dyshuar se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka një lidhje speciale me drogën.

Fatkeqësisht, ajo të cilën e dinim të gjithë, ose shumica, u konfirmua këto ditë. Përmes një bisede telefonike të përgjuar, dy veprimtarë të shquar të fushës së narkotikëve po qanin hallet për sfidat që po hasnin çdo ditë për të operuar në këtë treg të komplikuar.

Ashtu siç kishin raportuar të gjitha mediat e kazanit, me theks të veçante ato të fundit të kazanit, pjesë e rëndësishme e ciklit zinxhiror - krijimin e kushteve më të favorshme për transport të marihuanës - duket të jetë edhe beniamini i Ramës, ish-ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri. Kështu kanë thënë kushërinjtë e Tahirit, të përgjuar nga policia italiane.

Le të kuptohemi, tha Saimir Tahiri, kjo është tepër e rëndësishme për t'u nënvizuar, po flasim për kushërinj të shkallës së 10'të, që ne në Kosovë i themi shokë. Pra, jo për kushërinj të shokës së parë, as të shokës dytë...., të së dhjetës. Të gjithë ne e dimë se sa të poshtër janë kushërinjtë e shkallëve të dhjeta. Ata kryesisht merren me trafikime dhe kanë tendenca për të njollosur kushërinjtë e tyre në politikë. Më të poshtër se këta të shokës së 10’të mund të jenë vetëm ata të së 11'tës e tutje.

Me një fjalë, ishte legjendar shfajësimi i ish-ministrit me shokët, ose shkallët, ose brezat, kushëriror. Përveç tjerash, në këtë rrafsh, Ish-ministri më bëri përshtypje që doli të ishte edhe merakli i madh i gjenealogjisë farefisnore. Pra, paraardhësit e Saimirit dhe narkotrafikantit Habilaj, del të kenë qenë vëllezër, të puqën, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit - Skënderbeut. Ndoshta Pjetër Bogdani ka qenë gjallë. Përndryshe nuk është aspak punë e lehtë të të shkohet prapa deri në 10 shkallë. I bie që të shkohet prapa 200 - 300 vjet. Aferim! Unë, pas konsultave të ngjeshura me babën, nuk shkoj assesi më shumë se 5 a 6 breza. Prandaj nuk gjej dot edhe më tutje narkotrafikant. Ata fshihen te shkalla e 10'të.

Tash kthehemi prapë në temë. Jo më në temën e Sajos, por në atë të Edi Ramës, i cili na kishte sharë, na kishte tallur, na kishte ofenduar, sa herë që kishim guxuar t'i thoshim se e ka shndërruar Shqipërinë në një strehë dhe parajsë të drogës, në një Kolumbi të Evropës. Që e kishte shndërruar Shqipërinë edhe në arë, por edhe në autostradë të drogës. Na quante, në shumës, "o portala". Sepse sipas tij, nëse një portal qenka joprofesional, tendencioz, të tillë janë të gjithë të tjerët. Rama, duke mos mundur t'i mbyllte të gjitha vrimat që i hapeshin në internet, e zgjodhi një metodë më të thjeshtë dhe më efikase për t'u mbrojtur: njollosjen e të gjitha portaleve në bllok. Tek tuk digjej edhe ndonjë dru i njomë bashkë më të thatin, por kjo nuk e pengonte Ramën. Ai e kishte shumë me rëndësi të digjte çdo gjë që i dilte para vetës.

Për të mos u dukur keq, për arsye personale, më shumë kriminale, Rama nuk hezitonte t'i digjte edhe miqtë e tij, që kishin hapur ndonjë portal për të balancuar raportimet online. E kishte shumë më rëndësi të dukej i paanshëm: Ja, ky i shan të gjithë. Kuptohet, rezervohej në kritika vetëm kur ishte fjala për mediat e vërteta të kazanit. Ato me të cilat ky bën marrëveshje multimilionëshe. Për Ramën, dhe për avokatët e tij, më të dëmshme ishin ca media online me dy-tre gazetarë, të paguar për ibret, sesa koorporatat e mëdha me qindra punëtorë që po bënin propagandë në emër të tij. Sipas tij, e ardhmja e Shqipërisë rrezikohet më shumë nga një lajm i saktë për kanabisin, fatkeqësisht me gabime drejtshkrimore, sesa bie fjala nga një lajm i pasaktë, por i plasuar plot shkëlqim në mediat super të pasura.

"E shikoni se sa gabime drejtshkrimore i kanë", thoshin të lemerisur avokatët e Ramës nëpër debate televizive. "Këta punojnë vetëm për klikime", ia priste tjetri me po kaq dramë. "Kjo nuk është gazetari", thoshte i treti, duke treguar ca tituj të tjerë në Facebook. Gjatë gjithë kësaj kohe, kushërinjtë e Saimirit, të shkallës së 10'të, po e shtrinin hegjemoninë e monopolit të drogës në të dy brigjet e Adriatikut, sipas të gjitha gjasave, duke paguar 30 mijë euro për një turrë.

Kuptohet, Sajo dhe Rama nuk dinin asgjë për çfarë po ndodhte rreth Adriatikut, sepse ishin me armë në krah, në vijat e para të frontit, duke luftuar portalet që po shpifnin për drogën. Të cilat në mënyrë joprofesionale po raportonin se si Rama dhe Saimiri po e kontrollonin këtë industri, në Shqipëri dhe me gjerë. Tash e pamë të gjithë, se këtë nuk e paskan bërë Rama dhe Tahiri, por e paskan bërë disa kushërinj shumë të largët. Prandaj Rama, me të drejtë, thoshte se mediat e kazanit po gënjenin. Do të duhej të kishim qenë më të kujdesshëm. Është shumë më rëndësi të bëhen të ditura shkallët e largësisë ose të afërsisë së kushërinjve.

Pas kësaj çfarë ndodhi, çfarë u publikua, ne morëm mësim. Rama vetëm duhet edhe të na tregojë se deri në çfarë shkalle, ose shoke, ne mbajmë përgjegjësi për të afërmit tanë? Unë do të thosha deri në të dytën, jo më larg. Gjithashtu, duhet të shërbejë si standard gazetarie që bisedat e përgjuara të trafikantëve të merren me rezerva. Qafirët kur flasin në telefon përmendin emra politikanësh, sa për t'u mburrur para njëri tjetrit.

Sido që të jetë, siç e tha edhe një mik i imi në FB: "Unë s’e kuptoj pse këta italianët i fusin hundët në punët tona... Ne nuk kemi vërejtje".

Me një fjalë, italianët le ta luftojnë drogën dhe kontrabandën, por nuk kanë asnjë arsye që ta njollosin elitën politike shqiptare në këtë mesele.

    Data: 18 Tetor 2017 19:00
    Autori: Berat Buzhala
    • Urgjenca morale për shëndetin mendor

      Urgjenca morale për shëndetin mendor 0

    Të tjera

    • Reflektime nga renia e Murit të Berlinit

      Reflektime nga renia e Murit të Berlinit 0

    • Pesha e kryqit tonë medial

      Pesha e kryqit tonë medial 0