Kthehu lart

Shkruan Berat Buzhala: POR’ja kriminale e Hashim Thaçit

Shkruan Berat Buzhala: POR’ja kriminale e Hashim Thaçit GazetaExpress

I kemi dëgjuar me qindra herë, ata që shfajësojnë krime të ndryshme që ndodhin në botë, kur fjalinë e fillojnë duke e dënuar krimin, e përmbyllin atë me një "por". Kështu e nisi, e kështu e mbylli Presidenti i Kosovës paraqitjen e sotme para medieve. E dënonte deportimin, sepse nuk kishte rrugë tjetër, por thoshte “por”.

Çdo fjalë që thuhet para lidhëzës “por” është bajgë. Nëse dikush ju tregon diçka, ose mban qëndrim për diçka, dhe diku kah mesi i fjalimit e thotë një “por”, dijeni që pesha e vërtetë e qëndrimit të tij fillon aty, e jo te ajo çfarë është thënë më parë.

I kemi dëgjuar me qindra herë ata që shfajësojnë krime të ndryshme që ndodhin në botë, kur fjalinë e fillojnë duke e dënuar krimin, krejt kah fundi e përmbyllin me një "por". Harrojeni çfarë kishin thënë ata më sipër. Te “por” fillon qëndrimi i tyre i vërtetë. Deri te “por” krejt çfarë është thënë, është thënë sepse duhej thënë ashtu, sepse opinioni e priste një qëndrim të tillë.

E dëgjova, po besoj edhe shumë prej jush, me vëmendje qëndrimin e Presidentit Thaçi për deportimin nga Kosova të gjashtë turqve, të cilët në Turqi do t'i nënshtrohen një gjyqi politik, për të cilin të gjithë janë të bindur që vetëm drejtësia nuk do të ndahet. Kjo për shkak të proceseve të deritashme që janë zhvilluar atje, prej kur Presidenti autoritar turk, Recep Taip Erdogan, e kishte sajuar një puç ushtarak kundër tij, duke i shpallur luftë një organizate që udhëhiqet nga ish-miku i tij, Fetullah Gulen. Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja deri tash nuk u janë nënshtruar kërkesave të Erdoganit që t'i deportojnë personat e kërkuar.

Ngjarja që ndodhi në vendin tonë, ditën e enjte, kur gjashtë turq që po vepronin në Kosovë qe më shumë se një dekadë, me të drejtë, ngjalli reagime të forta gjithandej. Tash së fundmi për këtë reaguan edhe organizatat prestigjioze për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, siç është Human Rights Watch.

Për shkak se të gjithë sytë ishin kah ai, sot Presidenti Thaçi vendosi që t'i drejtohet popullit për këtë rast. Në vend që të hiqte mjegullën ai e shtoi edhe ca më tepër. Fillimisht, siç i ka hije secilit mashtrues, deklaroi që Kosova është e pavarur dhe demokratike, ku respektohen të drejtat individuale. Kuptohet, përveç atyre të drejtave të gjashtë turqve të mjerë, që tash mbi kurrizin e tyre është lëshuar me krejt furinë kërbaçi i Presidentit Erdogan.

Thaçi tha se rastet e tilla nuk do të përseriten më dhe se gjendja e sigurisë në vendin tonë është shumë stabile. Të huajt, sipas tij, nuk duhet të kenë frikë që të jetojnë dhe të veprojnë në vendin tonë. Kuptohet, përveç atyre gjashtë të deportuarve, që tash nuk kanë më nevojë të kenë frikë: atë çfarë kishim për t'ua thënë atyre, ua thamë.

Në këtë paraqitje para gazetarëve, me këmishë të bardhë, pak nervoz, Thaçi vazhdoi të notonte në stil të lirë, duke përzgjedhur tema që eventualisht do të mundë të shpërqendronin temën për të cilën ai i kishte thirrur gazetarët. Kështu, ai hidhte ca barut në drejtim të Vetëvendosjes, që, sipas tij, po mbajtkan trajnime në Turqi, ose e nënvizonte emrin e Milan Radojçiqit, mikut të Ramush Haradinajt, si person që po e trazon veriun. Ideja e Thaçit, sigurisht që do të ketë sukses deri në njëfarë mase, ishte që mediet tash të raportonin se si ai e goditi Haradinajn - gjë që vërtet e bënë - ose që Kurti dhe LVV-ja qenkan të lidhur me Turqinë, më shumë sesa është i lidhur vetë Thaçi. Edhe kjo, teknikisht, mund të jetë e vërtetë, por problemi është që aktualisht këto nuk janë temat për të cilat publiku është i brengosur thellë.

Tema është kjo: Pse u deportuan për në Turqi gjashtë turq? Kush dha urdhër që ata të deportoheshin? Mbi çfarë baze ligjore ata u deportuan pa të drejtë ankese? Pse Turqia solli në Kosovë agjentët sekretë, të cilët besohet që e udhëhoqën operacionin? Në asnjërën prej këtyre pyetjeve Thaçi nuk dha përgjigje. Në vend që të jepte përgjigje, ai hapi shteg për më shumë pyetja të tjera.

Presidenti Thaçi pas çdo fjalie me të cilën e dënonte operacionin, e shtonte edhe një “por”. "Nuk do të duhej të ndodhte deportimi i tyre, por, sipas AKI-së, ata ishin të përfshirë në krime."

Në këtë rast, duke e bërë digresionin me “por”, Thaçi dëshironte të manipulonte opinionin se gjashtë turqit paskan qenë edhe persona keqbërës në vendin tonë. Nëse paskan qenë të tillë, nëse AKI-ja e paska ditur këtë gjë, atëherë përse ndaj tyre nuk u hap një proces gjyqësor.

"Deportimi nuk do të duhej të ndodhte, por raste të ngjashme të deportimeve kanë ndodhur edhe në të kaluarën."

Prapë Presidenti dëshironte ta paraqiste rastin si diçka që nuk ishte jonormale. Është e vërtetë që Kosova ka deportuar edhe më herët, por të gjithë ata që ishin deportuar më herët kishin kaluar në procedura të rregullta gjyqësore - rasti i Dedë Gecit për në Zvicër - ose të tjerët që janë deportuar, rasti i aktivistëve të LVV-së, nuk po kërkoheshin në vendet e tyre për t'u gjykuar politikisht. Pastaj nuk krahasohet Zvicra me Turqinë në segmentin e të drejtave të njeriut.

Ah, po, është deportuar edhe një imam kontrovers nga Drenica, para një dekade ndoshta, mirëpo për deportimin e tij kishim diskutuar me vite të tëra. Nuk ishte marrë me thes në kokë dhe nuk ishte hedhur në një kënetë me krokodilë.

Gjatë gjithë përpëlitjes së tij mediale - në disa raste i vinin në ndihmë edhe mediet e afërta me të, duke i bërë pyetje idiote - Thaçi tha çdo gjë që mund të thyejë për ta relativizuar gjithë skandalin, ku ai është i përfshirë.

Pati fytyrë edhe të thoshte që Kosova karshi Turqisë sillet me standardet e BE-së dhe të SHBA-së. Kjo është një gënjeshtër aq e madhe, sa janë të mëdha kontinentet respektive, ai evropian dhe ai amerikan. SHBA-ja, e as BE-ja, nuk i deportojnë për në Turqi ata që Erdogani i kërkon me akuza të tmerrshme politike.

Vendi i vetëm evropian që i është nënshtruar vullnetit të Presidentit turk është Serbia, e cila muaj më parë e deportoi për në Turqi një person që po kërkohej nga ky shtet.

Thaçi bëri thirrje për hetime të pavarura për këtë rast. Kjo tingëllon pak a shumë sikur ajo që thotë Erdogani kur fton për gjykime të pavarura ndaj këtyre personave.

Mënyra e vetme për të ardhur deri te e vërteta është që kushdo që e heton rastin, të mbahet në karantinë nga ndikimi i Presidentit Thaçi. Ai sot doli ta shfajësojë emisarin e tij në AKI, Driton Gashi.

Prokuroria e Kosovës ka bazë të mjaftueshme për të nisur hetimet ndaj Gashit, që Thaçi po provon ta veshë me imunitet. Jo pse e mbron Gashin, sepse Thaçi ka shitur edhe miq më të ngushtë se sa ky piun, por sepse po e mbron veten e tij.

Gashi deri tash do të duhej të ishte arrestuar, kurse ai, sipas të gjitha gjasave, ende nuk e ka liruar as zyrën e tij.

    Data: 31 Mars 2018 14:27
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera