Kthehu lart

Ndaj kujt kam fobi unë?

Ndaj kujt kam fobi unë? Autori: Berat Buzhala GazetaExpress E hënë, 31 Korrik 2017 19:20

Unë kam fobi ndaj atyre që i quajnë kurva gratë që lahen në det, që e quajnë vepër të satanit pishinën në oborr dhe që i thonë gazetares: Oj motër myslimane, ku me marrë me e qeverisë Kosovën me sheriat. Kam fobi të jashtëzakonshme ndaj të gjithë atyre që e interpretojnë ngushtë e në mënyrë jokontekstuale, religjionin që ka lindur para 1400 viteve, ose edhe 2000 viteve.

Kryeministri i Francës, ai që e udhëhoqi vendin e tij përgjatë Luftës së Parë Botërore, Georges Clémenceau, ka thënë se "lufta është një çështje shumë e rëndësishme, që t'u lihet në dorë gjeneralëve për të vendosur ".

Në këtë linjë të mendimit, historiani britanik Bernard Lewis, i cili mund të thuhet se e posedon certifikatën më të besueshme studimet islame, ka thënë se "religjioni është çështje shumë e rëndësishme, që t'u lihet në dorë teologëve për të vendosur ".

Një rregull e tillë do të duhej të vlente edhe në Kosovë, e edhe në secilën shoqëri ku qëllim është ndarja e shtetit prej fesë. Një krizë të tillë Perëndimi e ka mbyllur me mjaft mund, gjak po se po, para 3 - 4 shekujve. Mos të harrojmë, në kohën e inkuzicionit, kur bota e krishterë po i ndezte turrat e druve për të djegur sa më shumë shtriga e shtrigana, të përndjekurit, ata më fatlumët arrinin të gjenin shpëtim duke u zhvendosur në Spanjë, e cila qeverisej nga kalifati i Umaidëve. Për shkak të harmonisë fetare, kjo kohë në Spanjë njihej edhe si periudha e Conviviences - e bashkëjetesës.

Përveç kësaj, Voltairi në shkrimet e tij, kur e sulmon dhunën sektare fetare në Evropë, e merr si shembull të mirë Perandorinë Osmane, në kuadër të së cilës jetonin në një paqe të admirueshme për kohën, myslimanët, të krishterët dhe hebrenjtë. Me shumë dhimbje, me miliona të vrarë, kisha dhe politika arritën të ndahen në Evropë. Tash kjo lëngatë, nga e cila Evropa vuajti për qindra vjet, rreth 1000 vjet, e ka përfshirë botën myslimane. Megjithatë, vlen të thuhet se prej tri religjioneve abrahamike, monoteiste, islami dhe hebraizmi e kanë shumë më problematik ndarjen e punëve të fesë me punët e shtetit, se sa bie fjala krishterimi. Kjo për disa arsye, por për këtë çështje, në vazhdimin e nesërm.

Të kthehemi tash në vendin tonë.

Sipas porosisë së Lewis'it, edhe te ne, posaçërisht te ne, teologet do të duhej të mbaheshin sa më larg, jo religjionit, sepse këtë nuk mund t'ua ndalojmë, e edhe nuk do të duhej, por së paku prej mundësisë së interpretimeve sezonale të shkrimeve të shenjta, se çfarë është e çfarë nuk është e lejueshme, se çfarë është islami i vërtetë, ose krishterimi, e çfarë nuk është.

Dijetari, kështu e quajnë, Shefqet Krasniqi, njëri prej imamëve me më së shumti influencë te rinia, i thotë gazetares në RTV Dukagjin se "Oj motër myslimane, ku do ta kishim fatin që të qeveriseshim me sheriat". Por tashmë nuk është dijetar i islamit vetëm Shefqet Krasniqi. Për shkak të rrjeteve sociale, numri i tyre është i barabartë, pothuajse, me numrin e banorëve. Secili që din të bëjë copy-paste një ajet kuranor, a një hadith, e ka të drejtën e plotë për të lëshuar fatwa kundër të gjithë të tjerëve që mendojnë ndryshe.

Pra, ata kanë të drejtë të dalin me propozime antikushtetuese, siç është zbatimi i sheriatit, ata kanë të drejtë t'i gjykojnë të tjerët që shkojnë në deti, si kurva, ata kanë të drejtë që ta demonizojnë pishinën si vepër satanike, e ne nuk paskemi të drejtë t'i themi disa fjalë, për disa kode të veshjes, që për mendimin tim, për opinionin tim, nuk kanë as bazë fetare.

I tillë ishte postimi im për niqabin, veshje kjo që ia mbulon femrës të gjitha pjesët e trupit, duke ia zbuluar vetëm dy kokrrat e syrit. Për këtë, për një përqeshje që e bëra, i pranova, siç e kam thënë edhe herë të tjera, rreth 1500 mesazhe, nga ata që e quajnë vetën myslimanë. Disa që janë zgjuar më vonë nga gjumi, ose për çfarëdo arsye nuk e kishin parë postimin tim në ditët e para, vazhdojnë të më nisin porosi. Fillimisht mendova t'i publikoja të gjitha ato, në mënyrë që secili prej nesh ta gjejë aty vëllain, nipin, dajën, fqinjin, kushëririn etj., por ishte e pamundur që të ruhet edhe niveli minimal i pranueshmërisë së komunikimit publik, marrë parasysh gjuhën e përdorur.

Në mesin e atyre 1500 personave ka pedofilë, nekrofilë, zoofilë, vrasës të shumëllojtë, përfshirë këtu edhe vrasës serikë. Gjuha që ata e përdorin, nuk dallon me asgjë nga veprat që i kanë kryer ndër vite pjesëtarët e ISIS'it. Dallimi i vetëm është se këta janë kriminelë në tentativë, që nuk iu ka dhënë shansi edhe më tutje, kurse Lavdrim Muhaxherit i ishte dhënë. Mirëpo vullneti për vrasje në emër të fesë ekziston edhe te mijëra të tjerë, që nuk e kanë për gjë që të shkruajnë me emër dhe mbiemër.

Pse?

Sepse dikush paska thënë që niqabi dhe burka, si veshje, duhet të ndalohen, edhe ejani o burra të marrim hak në emër të fesë. Apriori ai që e thotë atë është islamofob, blasfemues, prandaj, ai së bashku me familjen, duhet të ndëshkohen kolektivisht dhe mizorisht. Kështu thotë islami, sipas tyre, e që ironikisht kohë pas kohe, të njëjtit, thonë se Islam do të thotë Paqe. Mirë, nëse kjo është paqe, atëherë është mirë të ulemi e ta definojmë dhunën pastaj. Sipas tyre, ata vendosin se çfarë është paqe. Jo paqe dhe pikë. Jo, kjo nuk është e garantuar, sipas tyre. Paqja është e garantuar vetëm sipas kushteve që ata i caktojnë.

Tash, nëse ky është islami, nëse këta vërtetë e prezentojnë islamin, atëherë unë patjetër jam islamofob. Unë jam islamofob edhe ndaj atij islami që e propagandon Arabia Saudite, burimi i të gjitha formave të ekstremizmit religjioz, në emër të të cilit nuk lejohet asnjë besim tjetër brenda atij shteti, në emër të të cilit njerëzve u këputet qafa më shpatë, në emër të të cilit të drejtat e grave, gjithmonë me pretekstin e dashurisë ndaj tyre, janë te të njëjtin nivel, në mos të ulët, me qeniet tjera johumane. 

Mos më keqkuptoni, sepse as unë nuk dëshiroj që tjetri, ai besimtari rigoroz, as Shefaqet Krasniqi, të mos e gëzojë të drejtën e plotë dhe të patjetërsueshme për t'i thënë mendimet e tij në mënyrë të lirë dhe pa frikë, për sa kohë nuk thërret në dhunë, përmbysje kushtetuese, luftë civile dhe linçim.

Unë frikësohem shumë, kam fobi, ndaj të gjithë atyre që në njërën anë polemizojnë dhe ftojnë për paqe, kurse në dorën tjetër, për për çdo eventualitet, e mbajnë një guri ose një sakicë. Në këtë rast e ndiej një fobi të jashtëzakonshme, ndiej një padurueshmëri ekstreme ndaj të gjithë atyre që, jo vetëm në islam, e interpretojnë ngushtë e në mënyrë jokontekstuale religjionin që ka lindur para 1400 viteve, ose edhe 2000 viteve. Të tillët quhen fundamentalist. E ky term, në kuptimin pezhorativ, nuk ka lindur për t'i përshkruar myslimanët, por ka lindur diku në fund të shekullit të 19'të për t'i përshkruar të krishterët. Unë kam fobi, në krye të herës, ndaj fundamentalistëve të të gjitha ngjyrave, e rrjedhimisht edhe ndaj myslimanëve, nëse janë të tillë.

(Vijon)

    Data: 31 Korrik 2017 19:20
    Autori: Berat Buzhala
    • Iluzionet tona të humbura 0

    Të tjera

    • Hipokrizi dështakësh 0

    • ​Rikthimi i Milladin Popoviqit 0