Kthehu lart

Hienat në çndukje të sigurimeve shëndetësore

Hienat në çndukje të sigurimeve shëndetësore Autori: Arben Idrizi GazetaExpress

Mashtruesit e tillë, veteranët e rremë, janë vetëm ca hiena që janë liruar nga vetë zyrtarët politikë të na çndukin. Jo se kanë gjetur ndonjë pre të majme, por, si hienat e shkretëtirës, kanë gjetur një pre të shkretë, e cila, bash në momentin kur pritet të fillojë të jetojë me dinjitet dhe në mirëqenie, përfundon nën dhëmbët e atyre hienave të ndërsyera nga banditët. Kështu ndihem unë, kështu mendoj se ndihen të gjithë ata qytetarë që po prisnin prej vitesh të fillojë të funksionojë fondi i sigurimeve shëndetësore

Dje, Qeveria e Kosovës mori një vendim të papritur: 17 milionë eurot e parapara për themelimin e fondit të sigurimeve shëndetësore, i ndau për pensionet e veteranëve të luftës.

Vendimi bart një mori padrejtësish, ndër të cilat dy janë më kryesorët.

Së pari, edhe pas 18 vitesh nga mbarimi i luftës, qytetarët kosovarë mbesin, megjithë premtimet e vazhdueshme, pa sigurime shëndetësore.

Së dyti, lista e veteranëve, prej 70.000 sish, ka rezultuar të jetë një mashtrim. Zakonisht është tentuar të pranohet zyrtarisht një shifër prej 20.000 sish, sado që edhe ajo e fryrë, duke qenë se numri realë i pjesëmarrësve në luftën e armatosur nuk e kalon shifrën e pesëmijë vetave. Në fund, kemi përfunduar në këtë shumëfishim skandaloz. Pra, kemi të bëjmë, nëse e pranojmë atë 20 mijësh, me rreth 50 mijë veteranë të rremë, mashtrues, të cilët do të vazhdojnë të marrin ndihmë të pamerituar.

Mjaft vende përballen me mashtrimin qytetar, në forma të ndryshme, ndaj shtetit. Njëra prej tyre, mbase ndër më të përhapurat dhe skandalozet, është mashtrimi me pensione: individë të tërë mashtrojnë shtetin me gjendjen e tyre shëndetësore, duke u shtirë të kenë shqetësime që në të vërtetë nuk i kanë. Njëri prej rasteve më me nam, që mbaj mend, është ai i një fshati në Greqi, banorët e të cilit, që të gjithë, ishin shtirë të verbër. Po flasim për një fshat të tërë, se pastaj nëpër tërë Greqinë kishte pasur me mijëra e mijëra të tillë, duke bërë që buxheti i shtetit të dëmtohej dhe të ndikonte konsiderueshëm në falimentimin e shtetit që do të pasonte.

Italia përballet vazhdimisht me mashtrime të tilla.

Janë këto vetëm disa nga shembujt që i di unë dhe i solla këtu përmbledhtazi, sa për një ilustrim.

Por, kur mashtruesit e tillë zbulohen, emrat dhe fytyrat e tyre bëhen publike dhe rastet e tyre ndiqen penalisht. Shteti, i mashtruar, del kundër tyre, mashtruesve.

Te ne, rasti përfundoi më kompleks. Shteti nuk po del të jetë viktimë, i mashtruar. Shteti, në duart e banditëve, vetë bëri që ata të bëhen mashtrues, i lejoi të jenë mashtrues dhe i shpërbleu për mashtrimin. Arsyetimet zyrtare rreth këtij lëshimi mund të jenë të ndryshme, por asnjëherë të drejta, as humane.

Nuk më është e lehtë ta them, mirëpo mendoj se, në rastin tonë, mashtruesit e tillë janë vetëm ca hiena që janë liruar nga vetë zyrtarët politikë të na çndukin. Jo se kanë gjetur ndonjë pre të majme, por, si hienat e shkretëtirës, kanë gjetur një pre të shkretë, e cila, bash në momentin kur pritet të fillojë të jetojë me dinjitet dhe në mirëqenie, përfundon nën dhëmbët e atyre hienave të ndërsyera nga banditët. Kështu ndihem unë, kështu mendoj se ndihen të gjithë ata qytetarë që po prisnin prej vitesh të fillojë të funksionojë fondi i sigurimeve shëndetësore.

Kjo nënkupton se në vitin e ardhshëm assesi nuk do të ketë sigurime shëndetësore. Bile, vitin e ardhshëm ndoshta nuk do të ketë as përpjekje për rikuperim të fondit të humbur. Me fjalë të tjera, me tendencën e tanishme, qytetarët nuk do të kenë sigurime shëndetësore edhe për të paktën, në hipotezën më fatlume, pesë vite.

Për këto e arsye të tjera, prirem ta konsideroj vendimin e Qeverisë një krim të radhës. Për mua është krim, bile krim i dyfishtë.

Së pari, sepse i lë qytetarët pa sigurime shëndetësore.

Së dyti, sepse i bën të privilegjuar një pjesë të qytetarëve në kurriz të qytetarëve të tjerë shumicë, pra mashtrues, përfitues të pamerituar, hiena që çndukin atë që u takon të tjerëve. 

    Data: 18 Tetor 2017 16:10
    Autori: Arben Idrizi
    • Antidoti kundër lajmeve të rreme

      Antidoti kundër lajmeve të rreme 0

    Të tjera