Kthehu lart

Ata i dinë emrat, por nuk duan t’i thonë për pikë të qejfit

Ata i dinë emrat, por nuk duan t’i thonë për pikë të qejfit Autori: Arben Idrizi GazetaExpress

Pyetjet që deri më tash janë parashtruar në mënyra të ndryshme, por kurrë nuk kanë pasur përgjigje. Sepse persona si Xhavit Haliti, apo presidenti i vendit, Hashim Thaçi, dhe shokët e tyre të luftës, jo të pakët në numër dhe që të gjithë në kupolën e shtetit, i janë shmangur përgjegjësisë, i kanë ikur drejtësisë, nuk kanë treguar të vërtetën. Jo si fitues të parë dhe të mbramë të luftës, por thjesht si banditë që kanë arritur ta marrin dhe ta mbajnë një lloj pushteti sa t’iu mjaftojë të bëjnë ç’të duan në këtë vend dhe të mos japin llogari para askujt

Në mitologji, Dike, hyjnesha e Drejtësisë, në epokën e bronzit, do të jetë aq e pafuqishme ndaj krimeve të njeriut, sa do të detyrohet të lëshojë tokën dhe të strehohet në qiell, duke i lënë një herë e përgjithmonë në botën e tyre.

Tingëllon si një fatalitet.

Por, mund (duhet) të lexohet edhe kështu: perënditë nuk kanë (më) as nuk do të kërkojnë përgjegjësi për të bëmat e vdekatarëve. Janë këta vetë që kanë përgjegjësi dhe vetë këta do të japin përgjegjësi para të ngjashmëve të vet. Jo në një botë tjetër, jo në një kohë tjetër, por pikërisht aty ku dhe atëherë kur do ta kenë bërë atë që s’duhej bërë.

Ky është parimi. E megjithatë, jo gjithçka dhe jo gjithmonë shkon sipas parimeve. Persona, grupe, shoqëri ndonjëherë dalin edhe mbi parimet. E bëjnë ligjin dhe janë mbi ligjin.

Për këtë arsye, ndër të tjera, për shembull Xhavit Haliti deklaron si pa asgjë të keqe në një televizion se para ca vitesh, që për ne janë ende të afërta dhe ngjarjesh e dhimbjesh të freskëta, i ka penguar disa persona që donin ta merrnin peng, e bile ta vrisnin, Bujar Bukoshin.

Arsyeja? Paratë. Paratë e të famshmit Trepërqindësh, të mbledhura nga populli, të cilat i menaxhonte (me plot e plot keqpërdorime), Lidhja Demokratike e Kosovës. E në kohën për të cilën po flasim, LDK, një lëvizje paqësore, ishte në shënjestër të (por jo vetëm) zemërimit ideologjik të lëvizjes së armatosur. Pastaj, kanë ndodhur edhe gjëra të tjera, rreth të cilave mbretërojnë shumë mistere. Për ne, shumicën, spektatorët. Jo për ata, pakicën, ak(u)torët. Njëri ndër këta të fundit, pra, është edhe Xhavit Haliti. «Unë kam bërë luftë me njerëz që kanë dashur të shkojnë ta marrin peng Bujar Bukoshin në Gjermani, se nuk po i jep paratë», ka thënë Haliti në “Rubikonin” e Adriatik Kelmendit. Më tej: «Madje, ka pas një rast që kanë dashur edhe ta vrasin në Tiranë. Ç’është e vërteta e kemi shpëtuar situatën bashkë me kryeministrin e Shqipërisë. Kam pasur angazhim personal që të mos ndodhë ajo vrasje në Kukës». Edhe më tej: «Kemi arrestuar disa nga njerëz tonë në Kukës nga frika që mund të implikohen në atë punë, dhe ka shpëtuar për fat».

Thënë në ndonjë kafene, aq më pak në rrjetet sociale, ku sidoqoftë thuhen gjëra mbarë e mbrapshtë, këto deklarata nuk do të kalonin lehtë pa u situr nga opinioni i gjerë dhe organet e rendit dhe drejtësisë. Nuk është film. Nuk është humor. Bëhet fjalë për njerëz dhe ngjarje, histori, dhimbje e vdekje.

Atëherë, ku ishin personat që donin të vrisnin Bujar Bukoshin? Vetëm atë apo edhe të tjerë? Për paratë e Trepërqindëshit, apo edhe për shkaqe të tjera? Kush i kishte urdhëruar? Personat që e drejtonin lëvizjen e armatosur, apo ndonjë grupacion tjetër krye në vete? Meqë kanë ndodhur vrasje të tjera me gjasë për të njëjtat motive, i kanë kryer po ata persona, apo dikush tjetër? Mund të ndaloheshin, si në rastin e Bukoshit? Kush mund t’i ndalonte dhe pse s’ i ka ndaluar? I kanë urdhëruar të njëjtët persona, apo dikush tjetër?

Më tej: nëse thua se i di emrat e personave që kanë dashur të vrasin dikë, a mund t’i shmangësh drejtësisë? A guxon të refuzosh t’i japësh ata emra? Cilët persona e kanë këtë luks? A mund ta kenë?

Edhe më tej: nëse refuzon të bashkëpunosh me drejtësinë, të jesh i përgjegjshëm, e bën sepse je i përzier, nga frika, apo thjesht sepse dëshiron t’ u bësh favore, për arsye të ndryshme, të implikuarve?

Këto janë pyetje që deri më tash edhe janë parashtruar në mënyra të ndryshme, por kurrë nuk kanë pasur përgjigje. Nuk kanë pasur një të tillë, sepse persona si Xhavit Haliti, apo presidenti i vendit, Hashim Thaçi, dhe shokët e tyre të luftës, jo të pakët në numër dhe që të gjithë në kupolën e shtetit, i janë shmangur përgjegjësisë, i kanë ikur drejtësisë, nuk kanë treguar të vërtetën. Jo si fitues të parë dhe të mbramë të luftës, por thjesht si banditë që kanë arritur ta marrin dhe ta mbajnë një lloj pushteti sa t’iu mjaftojë të bëjnë ç’të duan në këtë vend dhe të mos japin llogari para askujt.

Dyshojmë, me shumë arsye, që ndonjë prokurori dhe gjykatë vendore të ketë guximin të përballet me të tillët.

A do ta bëjë Gjykata Speciale?

    Data: 28 Maj 2018 11:33
    Autori: Arben Idrizi

    Të tjera