Kthehu lart

​Rikthimi i Milladin Popoviqit

​Rikthimi i Milladin Popoviqit © Gazeta ExpressFoto: Rudina Hoti Autori: Blerim Latifi GazetaExpress

Të rikthehemi tek abuzimet tua me Platonin. Në një moment thua: “Të jesh hije nuk është keq”. Platoni i vërtetë thotë pikërisht të kundërtën: “të jesh hije është keq”, sepse bota e hijeve është bota e shpellës, e bota e shpellës është bota e injorancës  e budallëve dhe mendjerobëruarve. E gjithë filozofia e Platonit është përpjekje për ta nxjerrë njeriun nga bota e hijeve, por ja që Elvis Hoxha nuk do të dalë nga kjo botë, sepse të jesh hije, pra të jesh budallë, sipas tij, është mirë. 

Shoku Elvis, isha në rrugë kur një mik më mori në telefon dhe më informoi se sërish paske reaguar ndaj shkrimit tim të fundit. Pasi mbarova punën për të cilën isha nisur, në kthim, po mendoja se ndoshta kësaj radhe ke arritur të dalësh nga bataku i thashethemnajës, të cilën po përpiqesh, tash e sa ditë, ta zbukurosh me rroba filozofike, por që, për fatin tënd të keq, në vend të zbukurimit po e shëmton edhe më shumë.

Lumturia antiplatonike e budallës

Niçe e thotë bukur: "Kur përpiqesh të fshehësh një gabim detyrohesh të bësh dhjetë gabime të tjera". Ajo që ke bërë në shkrimin tënd të fundit është reprezentim preciz i këtij mendimi të Niçes. Ti përpiqesh të fshehësh gabimin filozofik e logjik të pikënisjes së mendimit tënd nga thashethemnaja, duke fshehur kokën në kështjellën e moduseve të silogjizmit aristotelian, por Aristoteli nuk të ndihmon dot. Për fatin tënd të keq të 137 moduset e silogjizmit të tij janë kundër mënyrës tënde të të menduarit. Mjafton të lexojmë një frazë tënden për të kuptuar se sa keq i ka punët mendimi yt me logjikën e Aristotelit. Duke më ftuar të lexoj moduset e silogjizmit aristotelian ti më flet “për gradët e bukurisë së silogjizmave të tij”. A je i vetëdijshëm se çfarë je duke thënë? Çfarë kërkon kategoria e të bukurës në dinamikën logjike të silogjizmave? E bukura është kategori e estetikës, e jo e logjikës. Logjika e Aristotelit ka të bëjë me validitetin e mendimit, jo me bukurinë e tij, sepse Aristoteli nuk është i marrë, si ti, ta ngatërrojë perceptimin me mendimin, estetikën me logjikën. Në një moment ti përpiqesh ta bësh për vete Aristotelin duke më tërhequr vërejtjen se nuk jam i kujdesshëm ndaj “kësaj mendje intelektive më të madhe të historisë së njerëzimit”. Përsëri e huq fare, sepse përmes këtij termi  “mendje intelektive” tregon vetëm sorollatjet e pashpresa të mendimit tënd për të kuptuar diçka me vlerë nga filozofia e Platonit dhe Aristotelit. 

Platoni e shumë më vonë Kanti dhe Hegeli bënin dallimin në mes arsyes dhe mendjes dhe ti në përpjekjen tënde të dëshpëruar për të kapur këtë dallim krijon surrogatin e mendjes intelektive, me çka presupozon se ka edhe mendje jointelektive, siç, ta zëmë, mund të ketë mendim jomendor, emocion joemocional, rreth jorrethor, e të tjera e të tjera marrëzi të ngjashme. Në këtë mënyrë, duke u përpjekur të shpëtosh përmes Aristotelit, ti bën mëkatin më të madh ndaj tij: thyen ligjet themelore të logjikës së Aristotelit, ligjin e identitetit dhe atë të kontradiktës. Në këtë çast mendimi yt kolapson. 

Duke thyer qafën nga moskuptimi i njërit filozof tek moskuptimi i një tjetri, kalon gjithë mundimi yt sizifik. Ja disa prej këtyre theqafjeve: Duke u ngutur të grumbullosh fraza të pakuptimta për të dhënë ndonjë goditje të dobët e ngatërron Olimpin me malin e Sizifit, një gabim që nuk e bëjnë as fillestarët në njohjen e mitologjisë greke. Më tutje: e paraqet Platonin si partizan të pjesëmarrjes së masave në politikë. Një gjë është e sigurt dhe nuk ka studiues serioz të filozofisë që nuk e thotë se po të ishte Platoni partizan i pjesëmarrjes së masave në vendimmarrjen politike, ai kurrë nuk do ta kishte shkruar Republikën e tij. Pikëpamjet tua për Gjyqin e Sokratit janë aq banale, saqë ndiej keqardhje për ty. Hiq dorë nga budallallëqet baudiuane e merre lexoje Leo Strauss-in për të kuptuar Gjyqin e Sokratit, konfliktin e filozofisë me turmat e qytetit dhe hakmarrjen e Platonit kundër tyre në Republikën e tij. Ndonëse po ta jap këtë këshillë unë megjithatë mbetem skeptik se ti do ta ndjekësh atë. Arsyeja është shumë e thjeshtë: Leo Strauss nuk është filozof i majtë dhe si i tillë nuk vlen brenda kopesë suaj të drejtuar nga bariu Badiou, i cili në një libër të fundit të tij na thotë hapur, qysh në faqen e parë, se i vetmi filozof i rëndësishëm i kohës sonë është Mao Ce Duni. 

Frojdi shpjegon se personaliteti i njeriut përcaktohet nga dramat e fëmijërisë dhe një nga dramat e fëmijërisë tënde shoku Elvis ka qenë edhe revolucioni kinez i Mao Ce Dunit i aplikuar në Shqipëri nga xhaxhi Enver, kështu që dashuria jote për maoistin Badiou nuk është vetëm dashuri filozofike e ideologjike, por edhe frojdiane njëkohësisht. Kënga e dikurshme që e këndonin rapsodët e veriut për nder të revolucionit kinez të aplikuar në Shqipëri duhet të të jetë ngulitur thellë në pavetëdijen tënde. Nëse jam gabim, më korrigjo. Kënga thoshte pak a shumë kështu: Dy luanë i ka bota, një Azia e një Europa, Mao Ce Duni dhe Enver Hoxha. Mao Ce Dunin, si luan të botës, të strukur në pavetëdijen tënde, tani e ke rizbuluar tek Badiou, i cili po ashtu e konsideron se Mao Ce Duni është luan i botës, madje luani më i madh i mendimit filozofik. 

Sa i përket xhaxhit Enver dhe raportit tënd me të do t’i rikthehem në pjesën e fundit të këtij shkrimi.

Si filozof dhe këshilltar politik mund të të ndihmoj në tejkalimin e dramave politike dhe ideologjike që ke, por si psikanalist nuk të ndihmoj dot, sepse teknikat kurative të psikanalizës nuk i zotëroj. Si frankofon që je ndoshta do të mund të konsultoheshe me ndonjë lakanist, në teoritë e të cilit sot kërkojnë shpëtim shumë marksistë të pashërueshëm.

Por, të rikthehemi tek abuzimet tua me Platonin. Në një moment thua:“ Të jesh hije nuk është keq”. Platoni i vërtetë thotë pikërisht të kundërtën: “të jesh hije është keq”, sepse bota e hijeve është bota e shpellës, e bota e shpellës është bota e injorancës  e budallëve dhe mendjerobëruarve. E gjithë filozofia e Platonit është përpjekje për ta nxjerrë njeriun nga bota e hijeve, por ja që Elvis Hoxha nuk do të dalë nga kjo botë, sepse të jesh hije, pra të jesh budallë, sipas tij, është mirë. 

Peter Sloterdijk, filozofi i njohur gjerman, thotë se përpjekja platonike për të nxjerrë  njeriun nga bota e hijeve është themeli mbi të cilin qëndron i gjithë programi epistemologjik i filozofisë perëndimore dhe meqë ti shoku Elvis nuk ke arritur ta kuptosh bazën e këtij programi del që nuk kupton asgjë prej gjithë filozofisë. Këtë e dëshmon edhe kur merresh me konceptin grek për të vërtetën. Grekët thua se nuk e donin të vërtetën, por zbulimin e saj! Si mund ta duash zbulimin e të vërtetës, por jo edhe të vërtetën si të tillë? T’i themi kësaj sofizëm është pak. Jo. Kjo është marrëzi e plotë! Tjetra: nuk thuhet “alithea”, por “alethea”. Alethea është term i filozofisë antike greke, që origjinën e saj e ka tek mitologjia greke. Alethea vjen nga emri i lumit mitologjik Lethe, i cili ndan botën tokësore nga bota e  përtej varrit. Ai është lumi i harresës: të vdekurit, duke kaluar përmes tij, harrojnë të gjitha ato që kanë përjetuar mbi tokë. Fjala shqipe “e lehtë” i referohet pikërisht një sendi të zbrazur, që nuk ka peshë, substancë. Afërsia e saj semantike me letheian greke është shumë e qartë. Duhet të jemi krenarë, apo jo shoku Elvis, për shqipen tonë të dashur që ka ruajtur këto thesare filozofike brenda leksikut të saj. Natyrisht jo pa pasoja, sepse letheia greke, përmes të lehtës shqipe, ka përfunduar në mendjelehtësinë tënde.

Rikthimi i Milladin Popoviqit pas 76 vitesh

Tani të kthehemi tek pjesa e historisë sonë kombëtare, se i lodhëm lexuesit me problemet e punëtorisë sonë filozofike. 

Meqë ke zgjedhur cinizmin për të goditur pikëpamjet e mija politike dhe kësisoj për t’u bërë vend ideve tua dhe të Vetëvendosjes për drejtimin e fatit historik të popullit të Kosovës, dhe duke marrë parasysh konceptin tënd për kombin si transhendental historik ( prapë gabon se nuk thuhet transhendental, por transcendental), do të të jap një përgjigje për rolin tënd transcendental në historinë tonë kombëtare.

Elvis, ne si shqiptarë tradicionalisht jemi të njohur për mentalitetin sekularist. E gjithë historia jonë kulturore është e mbushur me manifestime të këtij mentaliteti. Fraza kryesore, të cilën prej kohërash të vjetra shqiptarët ia drejtonin njëri-tjetrit në takimet e rastit, ishte “Tungjatjeta!”. 

Kjo është një frazë krejtësisht e zhveshur nga konotacionet religjioze. Në legjendën e vjetër mesjetare Konstandini ngrihet nga varri, jo pse këtë e kërkon perëndia e gjithëfuqishme, por sepse Konstandini ka lënë një peng, një borxh të pashlyer mbi tokë, një premtim të pambajtur. Ideja është se borxhet e kësaj bote duhen shlyer vetëm në këtë botë. Thënia e shumë përhapur se “asgjë nuk mbetet për t’u shlyer në botën tjetër”, është kondensim folklorik i kësaj ideje.

Shqipëria, shoku Elvis, prej një kohe të gjatë ka mbartur mbi supet e saj një borxh ndaj Kosovës dhe si duket tani ka ardhur moment historik për ta shlyer këtë borxh. 

76 vite më parë, me urdhër të Kominternit ( Internacionalja Komuniste me qendër në Moskë), komunistët jugosllavë dërguan në Shqipëri dy komunistë kosovarë Milladin Popoviqin dhe Dushan Mugoshën. Misioni i tyre ishte i qartë: komunistët e Shqipërisë, të shpërndarë në kush e di sa grupe, t’i bëjnë bashkë në një parti komuniste dhe shqiptarët si tërësi t’i përçanin në shumë grupacione. Siç thuhet në fund të filmave aksion të Hollivood-it:  the mission accomplished! Se çfarë erdhi më pas këtë e dimë të gjithë: komunistët fituan luftën e pashpallur civile me nacionalistët e Mitat Frashërit dhe legalistët e Zogut, më pas vendosën diktaturën staliniste, ndërsa Kosova e shkretë u rikthye nën pushtetin e Serbisë së Rankoviqit, ministër i brendshëm i Titos dhe shefi gjakatar i UDB-së. Ky rikthim u përligj me vendimin kriminal të Konferencës së Prizrenit të vitit 1945 , përmes të cilit komunistët e Kosovës, pa e pyetur popullin e Kosovës, në emër të tij, vendosën ribashkimin e Kosovës me Serbinë, ribashkim prej të cilit ende sot kemi probleme shumë të mëdha.

76 vite më pas, Shqipëria jonë e dashur, po na e kthen borxhin historik: ajo si ekuivalent të Milladin Popoviqit dhe Dushan Mugoshës na dërgon Elvis Hoxhën dhe Boiken Abazin. Misioni përsëri është internacional: të bashkohen komunistët e Kosovës rreth Enverit të ri, ndërsa ne të tjerët që mendojmë ndryshe duhet të pajtohemi të ndajmë fatin e ballistëve, kolaboracionistëve, reaksionarëve, e kush e di se të kujt tjetër. 

Meqë po flasim me terma të metafizikës historike atëherë mund të themi se ndoshta është parathënë që edhe unë të pësoj fatin e axhës tim, Emin Latifit, i cili 72 vite më parë u vra duke luftuar përkrah Shaban Polluzhës të rrethuar nga brigadat partizane të Milladin Popoviqit dhe Enver Hoxhës. Kush e di? Niçe na fton të besojmë në rikthimin e përhershëm të se njëjtës apo jo?

 Por të mos e humbim fillin e borxhit të rikthyer. 

Natyrisht në këtë këmbim historik dërgatash ka një dallim: dërgata ideologjike e vitit 1941 nga Kosova në Shqipëri ishte tragjike, ndërsa dërgata e sotme ideologjike nga Shqipëria në Kosovë është farsë. Por, siç e thashë në shkrimin tim paraprak, duhet të kemi kujdes, sepse lidhja dialektike në mes këtyre dy formave të dramës mund të krijojë situatën kur jo vetëm tragjedia përsëritet në formë të farsës, por edhe farsa mund të përfundojë në tragjedi. 

Ne ndërkaq duhet të mbesim me shpresë që edhe kësaj radhe ligjet e materializmit dialektik do të dështojnë dhe Elvisi nuk do ta ketë suksesin dhe fatin e Milladin Popoviqit.

    Data: 09 Gusht 2017 18:09
    Autori: Blerim Latifi
    • Djali i Remzi Hoxhës i shkruan Edi Ramës: 22 vite pa drejtësi, 22 vite plagë…

      Djali i Remzi Hoxhës i shkruan Edi Ramës: 22 vite pa drejtësi, 22 vite plagë… 0

    Të tjera

    • Ballkani nuk u bë dot Zvicër

      Ballkani nuk u bë dot Zvicër 0

    • Shkatërrimi i panatyrshëm i uraganeve

      Shkatërrimi i panatyrshëm i uraganeve 0