Kthehu lart

Replikë krejtësisht formale për sharjet e M. Nanos

Replikë krejtësisht formale për sharjet e M. Nanos Autori: Moikom Zeqo GazetaExpress

Sipas Jungut, sharjet tregojnë nivel të mangët mendor të sharësit

Ishte kërkesa e mirësjellshme, pra dhe e parezistueshme e miqve, që më thanë, se “Mustafa Nano të ka sharë”, që unë gati kundër vullnetit tim, pa asnjë dëshirë dhe aq me pak kënaqësi të bëj një përgjigje shkurt.

Pse?

Sepse në thelb nuk ja vlen.

Realisht nuk ja vlen.

Ne nuk kemi asnjë debat ndërpersonal.

Asnjëherë në jetën time nuk e kam përdorur në publik emrin e M. N.

Sepse absolutisht nuk kam (madje nuk kam as tani) ndonjë arsye.

Shkrimi im i botuar në gazetën “DITA” në 18 korrik 2017 shtjellonte një argumentim se nëna e Skënderbeut “nuk është serbe”, duke e quajtur debatin shterp dhe të rremë, bile një tautologji të lodhshme dhe manipulim banal, që vazhdon prej një kohe shumë të gjatë.

Citova dy skënderbeologë të shquar – i pari është Fan Noli, i cili është i vetmi i doktoruar në Harvard deri më sot, për një histori shkencore të Gjergj Kastriot Skënderbeut dhe i dyti Akademikun Kristo Frashëri, që veprën e jetës ka pikërisht studimin madhor për Heroin tonë Kombëtar.

Të dy të mirëinformuar, tejet seriozë, dhe me një metodologji shkencore dhe akribike e hedhin poshtë tezën e vjetër (në fakt është tezë e vjetër, aspak “zbulim i ri” i M. N.) se nëna e Skënderbeut është “serbe”. Nga ana tjetër princi i famshëm shqiptar Gjon Muzaka, bashkëkohës i vetë Skënderbeut, e quan familjen e nënës së Heroit me gjak të Muzakajve etj.

Po kush mund t’ja kundërshtojë këtë gjë?

Pasardhësit pas shekujsh e dinë më mirë të vërtetën që princi Gjon Muzaka e dinte vetë?

Por konfirmimi im i mbështetur nuk i pëlqen M. N. dhe ndonëse unë nuk ja përmend fare emrin në shkrimin në fjalë, sepse ai në fakt bën, ndoshta dhe pa dashje dhe pa u thelluar fare, ritin e mercenarit të tezave të të tjerëve para tij, kryesisht, të disa të quajturve historianë serbë, guxon të më quajë, për hir të marrëzisë së madhështisë së tij “të sëmurë psikik”, kurse kritikuesin, drejtpërdrejtë me emër, zotin Spartak Ngjela “një idiot”.

Sipas kësaj simetrie logjike, apo dhe alogjike del se Fan Noli, Kristo Frashëri, por dhe dëshmitari më i besueshëm historik Gjon Muzaka janë padyshim “të sëmurë psikikë” dhe “idiotë”.

Sharjet e skajshme, me terma psikiatrike, sipas Karl Gustav Jungut, bëhen kryesisht nga individët me sindroma dhe patologji psikiatrike, për shkak të mungesës dhe të humbjes së ekuilibrit mendor dhe të papërmbajtjes së etikes vetiake dhe publike.

Jungu nënvizon, se njerëzit që shajnë kësisoj, sidomos në debate publike, tregojnë se kanë një prapambetje mendore, sepse përtej normalitetit human nuk njohin fuqinë e argumenteve, por paranojën e ideve fikse etj. etj.

Por, për hir të së vërtetës dhe njerëzillëkut – kaq shumë të munguar sot në Shqipëri, – unë nuk kam ndërmend aspak të bëj një etiketim të tillë, të ndërsjelltë, negativist dhe absurd, të papranueshëm edhe për zotin M. N.

Dua, në fund të fundit vetëm ta mirëkuptoj dhe ndoshta më tepër, ta justifikoj, sepse nuk ishte aspak në dorë të tij, të më “shante” kaq in extremis.

Sepse – po e përsëris – unë nuk kam asnjë arsye dhe asnjë grindje, apo debat ndërpersonal.

Unë edhe mund të përgjigjem – siç po e bëj formalisht, por Fan Noli dhe të tjerët, për shkakun fatlum, se kanë vdekur dhe nuk i detyron kush të dëgjojnë marrëzitë, nga më të habitshmet, nuk përgjigjen dot me të drejtë.

Lumë si ata!/dita

    Data: 23 Korrik 2017 12:16
    Autori: Moikom Zeqo
    • Globalizimi i pakënaqësisë

      Globalizimi i pakënaqësisë 0

    Të tjera

    • Koreja e Veriut do të jetë fuqi atomike

      Koreja e Veriut do të jetë fuqi atomike 0

    • T’i mbulosh të zezat me flamur

      T’i mbulosh të zezat me flamur 0