Kthehu lart

Reflektim elektoral

Reflektim elektoral Autori: Vjosa Berisha GazetaExpress

Çfarë ndodh në një kryeqytet ku kultura dhe arti janë bira e fundit e kavallit? Përkundër të gjitha pengesave, Prishtina është dhe do të mbetet gjithmonë qytet i festivaleve, më shumë se çdo qytet tjetër në shqiptari

Ky muaj na kaloi komplet të përfshirë në debate pa fund, intervista dhe promovime të kandidatëve për Kryetarë komunash e asambleistë, që patëm mundësinë t’i ndjekim në media e rrjete sociale me qëllim për të na bindur se kush mund të jetë opsioni më i përshtatshëm për ne që t’i japim besimin të menaxhojë me qytetin dhe të na rregullojë kushtet e jetesës në 4 vitet e ardhshme.

Kanë mbetur edhe 48 orë para se të votojmë, e në fakt unë personalisht jam ende pak konfuze, pak e dëshpëruar dhe fatkeqësisht, shumë pak e motivuar, se gjërat mund të lëvizin për më mirë në qytetin tim, vendin ku kam lindur dhe jetoj tash e 45 vite, në Prishtinë.

Kur i pashë kandidatët e Prishtinës, u ndjeva shumë entuziaste, sepse më në fund kishim para vetes kandidatë të gjithë të rinj në moshë, plot energji, entuziazëm për të ndryshuar diçka, për të bërë Prishtinën një qytet më të mirë, një kryeqytet si i ka hije, një vend që besoj e ëndërrojmë të gjithë ne që kemi lindur këtu, jetojmë dhe e duam.

Pas një muaj debatesh e grindjesh mediale, në shikim të parë mund të thuhet se dëshpërimi im është personal, por nëse shikohet pak më mirë, në fakt ka të bëj me shkurtpamësinë dhe mungesën e një vizioni në programet e kandidatëve për të udhëhequr Prishtinën. sidomos për sferën e kulturës dhe artit. Unë nuk do t’i elaboroj komplet programet e tyre në këtë shkrim, por do të më brejë ndërgjegjja gjatë, nëse nuk e them atë që mendoj lidhur me atë se çfarë thanë, e çka premtuan, e sa kishin dijeni kandidatët për Kryetar të Prishtinës lidhur me kulturën dhe artin në kryeqytet.

Pothuajse në çdo debat dhe në çdo mundësi që kishin për të hapur gojën e për të thënë diçka, çdonjëri prej tyre dështuan për të na dhënë një mendim korrekt dhe një vizion se çfarë mund të bëjnë ata për jetën kulturore dhe artin në kryeqytet. Imagjinoni sa e varfër dhe trishtuese tingëllon kjo, kur së paku disa nga ne që kemi një jetë më të gjatë në Prishtinë e mbajmë mend se sa shumë ka dhënë ky qytet talente, sa shumë është njohur për organizime avangardë të kulturës e artit, duke përfshirë edhe një jetë shumë unike të natës, me një skenë të veçantë muzikore të të gjitha zhanreve, atë të teatrit, filmit e shumë organizimeve tjera që i mbajmë mend nga e kaluara. Të gjitha këto që me hap të shpejt e me ritëm galopant po i zhvillon Tirana fqinje, duke na e marrë dalëngadalë atë për të cilën Prishtina ka qenë e njohur gjithmonë dhe për çfarë shumë kanë gjetur arsye ta vizitojnë.

Nga pothuajse të gjithë kandidatët këto ditë dëgjuam që Prishtina nuk ka evente kulturore, Prishtina nuk është vend i festivaleve, në Prishtinë thanë thjeshtë nuk ndodh asgjë, nuk ka asgjë, Prishtina nuk josh vizitorë e turistë…

Kjo do të ishte shumë e vërtetë nëse e shikojmë prej këndit se sa kanë dhënë e kanë ofruar mundësi dhe përkrahje pushteti lokal dhe ai qendror i udhëhequr nga parti të ndryshme në pushtet, në 10-15 vitet e fundit. Sepse ajo që është bërë më së shumti ka qenë mospërkrahja e kulturës dhe artit, lënia pasdore dhe vendosja në prioritetin më të ulët të mundshëm. Thënë troç, bira e fundit e kavallit.

Por, kjo nuk qëndron aspak nëse e analizojmë gjithë mundin e institucioneve të pavarura të kulturës që edhe pse të përkrahura minimalisht kanë vazhduar ta mbajnë jetën kulturore të gjallë, me të njejtin entuziazëm të organizojnë koncerte, festivale, ekspozita, shfaqje e shumë organizime tjera kulturore që, po e përsëris, janë bërë me shumë mund e djersë e me shumë pak përkrahje nga shteti dhe qyteti.

Në shumë debate e biseda në media, pothuajse secili nga kandidatët e mori si shembull Prizrenin dhe organizimet kulturore atje si shembull të mirë dhe se si do të duhej të ishte edhe Prishtina. Në shumë nga këto raste u përmend festivali i filmit të shkurtë dhe dokumentar Dokufest si “një nga organizimet më të mëdha në Kosovë, që e ka vënë Kosovën në hartën e botës”. Jam shumë dakord me këtë, është e vërtetë që Dokufest është një festival eventesh që për një javë rresht e sjell fokusin medial në Prizren, dhe kjo na bënë të jemi shumë krenarë të gjithë ne.

Por, unë si njëra nga themelueset e festivalit Prishtina International Film Festival - PriFest dhe drejtoreshë e këtij festivali tani e 9-të vite nuk mundem, tani vetëm 48 orë para se të japim votën, të heshtë dhe të mos them asgjë para një neglizhence të tmerrshme që e pashë gjatë këtij muaji fushate, andaj vendosa dhe ta shkruaj këtë shkrim.

Më duhet të bëj një përmbledhje historike të vogël lidhur me festivalin sepse, parë nga ajo çka u fol në ditët e fushatës, edhe pse ky festival ndodh mu pranë derës së qeverisë dhe presidencës, e hiq më larg ndërtesës së komunës, del se politikanët tonë që pretendojnë votën nuk e kanë parë apo vrejtur si një ngjarje që për një javë cdo vit i ofron jo vetëm Prishtinës por edhe filmbërësve të rajonit mundësinë që të jetë pjesë aktive e kulturës dhe industrisë së filmit në botë.

Festivali lindi në vitin që Kosova e shpalli pavarësinë, dhe doli si një iniciativë që të ofrojë një dritare dhe një mundësi për filmbërësit Kosovarë dhe kinematografinë tonë që të takohet me botën filmike nga katër anët e globit. Kjo sidomos duke qenë se si shtet i ri dhe tejet i izoluar, mundësitë e filmbërësve tanë për të komunikuar me industrinë ndërkombëtare të filmit janë shumë të pakta. Sigurisht, ambiciet tona si organizatorë qysh në fillim ishin që të mos duplifikojmë diçka që ekziston, por të organizojmë një festival filmi të formatit tjetër, festival të filmit të metrazhit të gjatë, duke sjell atë që i mungon shtetit të ri të Kosovës, komunikimin me industrinë e filmit në Ballkan, Europë dhe botë si dhe zhvillimin e industrisë vendore.

Ishim të vetëdijshëm në atë kohë që në Kosovë ekziston një festival filmi dokumentar që zhvillohej me sukses, me gjithë vështirësitë e veta, dhe gjithsesi që në planin e programit tonë e parapamë që PriFest të ishte një vlerë e shtuar që do të ofronte një horizont tjetër që sigurisht festivali ekzistues nuk e kishte. Ishim ambicioz që të bënim një festival i cili në aspekt financiar nuk mund të krahasohej me festivalin prestigjioz të Sarajevës, por sa i përket impaktit dhe vlerës, kjo nuk do t’i mungonte, dhe e morëm shembullin e tyre që t’i sillnim Kosovës (thënë në zhargonin e boksit) kategorinë më të rëndë të filmbërësve botëror. E bëmë atë, që festivali me zhvillimin e vet ndër vite, arriti të ishte një lajm i mirë nga vendi ynë për vendin tonë. Kjo gjë është goxha vështirë, besoj këtu pajtohemi të gjithë. Ju do të pajtoheni me mua besoj me faktin se një foto e vetme e Prishtinës apo Kosovës e postuar nga yjet botërore në rrjetet e tyre sociale vlen më shumë se qindra artikuj në portale të vogla ndërkombëtare të cilave mund mos ua dimë as madhësinë as kredibilitetin.

E përmenda Sarajevën sepse festivali atje është një sukses shumë i madh, por duhet thënë edhe faktin se ai festival ka një përkrahje shumë të madhe nga shteti, qyteti dhe kantoni, andaj edhe suksesi nuk i mungon. Edhe festivali i Sarajevës është një iniciativë e sferës së pavarur, por kjo nuk e demotivon shtetin për ta përkrahur maksimalisht tani e 23 vite.

Ndërkohë PriFest përkrahjen nga institucionet publike (lokale dhe nacionale) e ka pasur shumë jostabile. Për shembull, përkrahjen nga qyteti I Prishtinës emrin e të cilës e mban në titull, e ka pas pothuajse të pavërejtur, diku 2% të buxhetit. Mirëpo, kjo nuk na ka ndalur që të bëjmë të pamundurën që ky festival të mbahet, të sjell shumë mundësi për industrinë e filmit, shumë yje botëror të filmit për t’u takuar me kineastët dhe filmdashësit tanë, shumë filma premierë që publiku kosovarë mund t’i shoh vetëm përmes festivalit dhe shumë ngjarje tjera që e kanë përcjellë duke sjell një javë dinamike në qytet, mu te hundët e qeverisë dhe komunës, në qendër të Prishtinës.

Misioni I këtij festivali ishte dhe është, që të përkrah zhvillimin e industrisë së filmit në vend, të përkrah artistët dhe t’i promovojë ata jashtë kufijve të shtetit si dhe projektet e tyre filmike duke sjellë në Prishtinë shumë kompani distribuimi të filmit, ekspertë të industrisë, media, fonde ndërkombëtare filmash, artistë, producentë, regjisorë dhe disa nga emrat e njohur të industrisë së filmit që po mos ftoheshin nga festivali nuk do t’u shkonte në mend të vizitonin Prishtinën tash e 100 vjet.

Dhe deshët ju apo s’deshët ta pranoni, deshët apo s’deshët ta përmendni, unë këtu desha ta them që ta kuptoni se PriFest me gjithë vështirësitë e mospërkrahjen e institucioneve publike, ka arritur të fitojë dashurinë, simpatinë dhe respektin nga komuniteti artistik dhe filmbërësit nga Kosova, rajoni e mëtej, ka arritur të bëj për Kosovën dhe kinematografinë tonë një punë të madhe, dhe ka arritur ta vendosë Prishtinën dhe Kosovën në hartën e festivaleve në botë.

Ju pëlqeu ju apo jo, ky festival është arsyeja e vetme përse çdo vit shkruhet për Kosovën dhe industrinë e filmit në Kosovë në një nga mediat më të rëndësishme të industrisë së filmit në botë Screen International (bëni google search Pristina në www.screendaily.com dhe do të keni mundësi të shikoni pak më shumë se çfarë po ndodh në qytetin që dëshironi të menaxhoni) dhe jo vetëm.

Sigurisht, që ky festival është festival filmi dhe do të mbetet i tillë, nëse vazhdon të ekzistojë, dhe nuk do të jetë asnjëherë festival eventesh, panair, festë apo diçka tjetër… por, sa i përket impaktit, suksesit dhe të arriturave ajo nuk mund të mohohet nga askush dhe për këtë kam shumë dëshmi, por megjithatë këtu po e ndaj vetëm një sosh sa për të dëshmuar suksesin dhe impaktin ndërkombëtar që ka. Ishte kjo në kohën e vështirë, para 2 vitesh kur edhe ish-ministri i kulturës u mundua ta shuajë. Më poshtë po e bashkëngjes emailin, që në mes qindra emailave nga mbarë bota ka arritur te ne para dy vitesh, kur festivali, si shumë ngjarje tjera kulturore të kryeqytetit u goditën rëndë nga MKRS. Emaili më poshtë është nga drejtori i festivalit më të rëndësishëm në Europë, Berlinale, - Dieter Kosslick (adresat e emailit janë fshehur për çështje privatësie), që personalisht na ka shkruar për të na dhënë përkrahje në momentin kur PriFest rrezikohej të shuhej, ashtu sic u shuan tanimë Festivali Skena Up, Festivali Nine Eleven, Jazz Festival e disa ngjarje tjera të rëndësishme të skenës së pavarur kulturore të Prishtinës. Në email ceket rëndësia e PriFest për zhvillimin e industrisë së filmit në vend si dhe aspektet tjera që një festival i sjell një shteti të vogël si Kosova. Në atë kohë, për rifreskim të memories, në shenjë proteste festivali PriFest u bart në Tiranë për edicionin e shtatë të vet si edicion në ekzil.

Nëse në një mënyrë apo tjetrën ky shkrim i imi mund t’i pengojë kryetarit të ardhshëm të Prishtinës, unë them se një ngjarje dhe entuziazmi i shumë prej nesh është shumë lehtë të shuhet, dhe do të shuhet dalëngadalë, ndërkohë që ne si profesionistë mund të vazhdojmë punën edhe jashtë këtij qyteti e shteti. Por, çështja që do të mbetet për diskutim është se çfarë ndodh në një kryeqytet ku kultura dhe arti janë bira e fundit e kavallit?

Por mos harroni një gjë se përkundër të gjitha pengesave, Prishtina është dhe do të mbetet gjithmonë qytet i festivaleve, më shumë se çdo qytet tjetër në shqiptari.

Postscriptum: Për nëntë vite falë PriFest, Prishtinën dhe Kosovën e kanë vizituar: Vanessa Redgrave, aktore (fituese e çmimit Oscar dhe Golden Globe), Danis Tanovic regjisor (fitues i çmimit Oscar), Stephen Frears regjisor (i nominuar për Oscar), Samuel Maoz regjisor (fitues i Golden Lion – Venice), Joshua Marston regjisor, Eva Orner producente (fituese e çmimit Oscar), Franco Nero aktor, Gedeon Burkhard aktor, Jasmila Zbanic regjisore (fituese e çmimit të Berlinales), Cedomir Kolar producent (fitues i çmimit Oscar), Paul Haggis skenarist dhe regjisor (fitues i dyfishtë i çmimit Oscar) dhe qindra aktorë, regjisorë, producentë e distributorë nga rajoni, Europa dhe bota.

/Autorja është bashkëthemeluese dhe drejtoreshë e PriFest


    Data: 20 Tetor 2017 14:52
    Autori: Vjosa Berisha
    • Antidoti kundër lajmeve të rreme

      Antidoti kundër lajmeve të rreme 0

    Të tjera