Kthehu lart

Pse ferizajasit nuk duhet të votojnë një racist, por as të mos garojnë krah tij

Pse ferizajasit nuk duhet të votojnë një racist, por as të mos garojnë krah tij Autori: Dimal Basha GazetaExpress

Në shumë zgjedhje lokale qytetarët rrezikohen nga kandidate banalistë, por vetëm qyteti i Ferizajt qëndron më keq, sepse përveç banalistëve, ky qytet rrezikohet nga kandidate racist. Në qytetin e Ferizajt sot garon një kandidat nga racist nga partia e tij NQF që po synon të fitoj qeverinë duke përça ferizajasit. Prandaj këshillat e mija në këta rreshta janë dy. E para, nderi më i madh që i bëni qytetit të Ferizajt është mosfaktorizimi i racistëve, duke mos i votuar ata. Kurse e dyta, akti më i lartë moral është tërheqja e kandidatëve për asamble që të mos garojnë për krah një lideri racist. Më poshtë do t’i trajtoj të dyja këto veç e veç

1) Pse ferizajasit nuk duhet të votojnë një racist

Racistët nuk meritojnë as vëmendjen, lëre më besimin e dikujt për t’u përfaqësuar në komunë. Kandidati nga radhët e partisë humoristike NQF duhet të I dërgohet një mesazh i qartë që qyteti ynë të mos përballet me individ racistë të tillë. Ne të gjithë jemi katundarë, sepse para 50 vjet Ferizaj nuk ka qenë qytet për me pas qytetarë. Unë jam shtetas amerikanë, kam jetuar dhe arsimuar në New York, dhe nuk kam dëgjuar dikë atje duke u lavdëruar se jam “qytetarë.” Prandaj, kur e dëgjon dikë në këtë fshatin e madh duke thënë se jam qytetar dhe synon t’i denigrojë dhe nënçmojë katundarët, jo që nuk e marr seriozisht, por më bën të vjell.

Arsyeja tjetër pse nuk bën me i marr seriozisht racistët është se këta janë individë që kërkojnë të përfitojnë politikisht përmes përçarjes. Unë ju sugjeroj që të mos bini viktimë e një propagande të tillë përçaj e sundo, sepse janë armiqtë ata që përdorin strategji të tilla, por asnjëherë miqtë.

Unë e di që ka qytetarë, ka që ndjehen të tillë, mirëpo unë gjithashtu e di që nëse pak e gërvisht cilindo prej nesh menjëherë i del në sipërfaqe katundi që kemi brenda nesh. Kjo nuk duhet të na bëj të na vie turp, por as të mburremi sepse të qenit qytetarë apo katundarë nuk të bën rrjedhimisht njeri të keq apo të mire. Janë veprat që përcaktojnë karakterin e njeriut, jo prejardhja. Unë jam lindur e rritur në qytetin e Ferizajt, pastaj kam jetuar në Evropë e SHBA ku edhe jam arsimuar, mirëpo asnjëherë nuk kam menduar se arsyeja pse jam lindur në qytet më bën superior ndaj një katundari. Këtë teori e përdorin vetëm racistët. Si plot ju, unë babë e nënë i kam me prejardhje nga katundi dhe mburrem me ta. Unë kam teze e dajë që edhe sot jetojnë në katunde, edhe vazhdoj t’i dua dhe t’i respektoj njëjtë sikur ata në qytet.

Unë personalisht një pjesë të madhe të jetë e kam kaluar në katund. Krejt pushimet i kam kaluar te dajat, dhe sot komplet njerëzit e fshatit Balaj, një fshat afër Ferizajt ju drejtohem me “dajë.” Prej që mbaj mend, krejt katundi në Balaj më kanë thirrur “nip.” Nuk i kam të gjithë dajë, as të gjithë nuk më kanë nip, mirëpo dashuria dhe mikëpritja e tyre për krejt ato vite ende më bën me ju përul me respektin më të madh. Të gjithë, gjithmonë, gjatë gjithë kohës më kanë bërë të ndihem si në shtëpi timen. Njëjtë edhe tek tezja ku kam kaluar pushime me muaj të tërë, e që nuk ka pasur shtëpi që nuk jam qenë, e odë që nuk më kanë nderuar, sado i vogël që kam qenë. Më shkurt, dashuria dhe respekti që e gjen në të gjitha katundet është aq i madh saqë mikpritja e tyre të bën të ndihesh i vogël para tyre. Katundet në përgjithësi kanë qenë më keq financiarisht se zonat urbane dikur, mirëpo këtë dallim nuk e ke vërejtur kur ke qenë mysafirë, sepse veten kanë lënë keq dhe të gjitha të mirat i kanë nda për mysafirin.

Prandaj, po dua t’ju tregoj se nëse një rrugaçë në një qytet si Ferizaj ka gjetur t’i ofendojë katundarët për të rritur votën e tij - apo e përdorë termin “katunarë” si sinonim (zëvendësim) për njeriun primitiv, të keq, e të pagdhendur - unë dhe të gjithë tjerët nuk duhet të lejojmë këtë gjuhë të pistë dhe duhet që t’i kundërshtojmë publikisht që mos të lejojmë racistë në mesin tonë. Ai njeri që ofendon katundarë, edhe nëse nuk ju ofendon juve drejtpërdrejt, është duke ofenduar nënat, baballarët, gjyshërit, por edhe familjet tuaja, sepse fundja nga aty jemi të gjithë.

Gjithashtu, për ju që nuk e dini, dua të shpjegoj që kjo fushatë e pistë nuk është e rastësishme. Pra gjithçka është mirë e paramenduar, që e bën ende më të rrezikshme agjendën e tij. Njerëzit gabojnë edhe është normale, por kur gabojnë me paramendim, atëherë nuk njihet më as si gabim, dhe prandaj nuk falet.

Ja shpjegimi.

Ideja e këtij kandidati racist ka qenë që të formuloj një mesazh ofendues për katundarët që t’i bëjë të shihen si faji për të gjitha të këqijat në qytet. Qëllimi ka qenë me përsërit sa më shpesh që me nevrikosë një grup të qytetarëve, dhe përmes kësaj të synohet mobilizimin e tyre. Synimi përfundimtar ka qenë shpresa e tij që të shtohet urrejtja ndaj katundarëve duke kalkuluar që ky grup të votojnë këtë kandidatin racist.

Kjo ndodh, por zakonisht kjo gjen aplikim në shtete jo homogjene, ku liderë të pistë krijojnë tensione dhe e fajësojnë një grup njerëzish për të gjitha të këqijat apo dështimet e qeverisjes. Për shembull, ka parti djathtiste në Evropë që kanë fituar shumë vota duke ofenduar imigrantë dhe duke i fajësuar ata për krejt të këqijat e vendit. Kjo ka krijuar tensione dhe ka pasur qytetarë që janë manipuluar dhe rrjedhimisht i kanë votuar këto platforma të partive politike raciste.

Pra njëjtë ka qenë edhe ideja e racistëve të Ferizajt. Megjithatë, kjo ka dalë në pah sepse ka bërë një gabim elementar, e që ka qenë nënvlerësimi i vetëdijes së qytetarit të Ferizajt, duke menduar se qytetarët do të shohin katundarin si “të huajin.” Amateri racist nuk e ka ditur që kjo përçarje nuk ndez në Ferizaj, sepse ky qytet ka pasur shumë problem, por tensionet qytetarë-katundarë nuk ka ekzistuar kurrë. Katundari me fjalë tjera nuk është “i huaji” në Ferizaj, kjo barrierë nuk ekziston, dhe tentimi për të krijuar këto tensione ka dështuar i tëri.

Kandidati racist e ka ditur mirë që gjasat që ai të zgjidhet kryetarë janë zero, por ai prapë ka shpresuar t’i përçajë ferizajasit duke synuar të manipulojë një pjesë të ferizajasve me qëllim që ta shtojë votën, dhe sigurisht pastaj ta rrisë pazarin për të punësuar ndonjë familjar tjetër.

Sa i përket pazareve, zotëria në fjalë në zgjedhjet e fundit ka fituar një ulëse të vetme në asamble. Pastaj, atë ulëse të vetme e ka bërë pazar për të marrë një Drejtori. Dhe çka është më e ‘bukura,’ edhe atë Drejtori e ka nda për të shoqen e tij. Nuk paragjykoj në aftësitë e së shoqes së tij, dhe kjo nuk ka të bëjë aspak me të, mirëpo nuk besoj se ka më humoristike se një parti ku të gjitha pozitat ndahen mes burrit dhe gruas. Pra këtu përfundon serioziteti, besoj unë, dhe nuk besoj se kjo punë do shpjegim të mëtutjeshëm, dhe jam i bindur se as mentaliteti i kanalizimit nuk kundërmon sa mentaliteti i një racist si ky.

2) Pse kandidatët për asamble të kësaj partie duhet të tërheqin kandidaturën e tyre

Tani kjo pjesë ka rëndësi më shumë për mua, dhe me sinqeritetin më të madh dua të ju drejtohem kandidatëve që garojnë në atë parti. Unë e di që në mesin e kandidatëve të kësaj partie ka individ të ndershëm. Ka prej tyre që më është thënë se janë djem e vajza të mira, por janë manipuluar nga ky racist. Që i bie se kanë gabuar kur kanë hy në garë me të, sepse nuk i kanë njohur me kohë synimet e tija. Unë liderin nuk e njoh, por njoh qëllimet e tija, dhe jam i bindur që as ju vet nuk e ndajnë të njëjtin mendim. E di që ka prej jush që as vet nuk pajtoni për një fushatë të tillë të pistë, por që nuk keni pasur zgjidhje pasi veç jeni futur në këtë lojë.

Megjithatë, unë besoj se nderi që i bëni vetes dhe familjeve tua është që të tërhiqeni nga kandidatura në atë parti për dy arsye:

a) E para, gjasat me fitu janë zero. Vet ju kandidatë e dini që gjasat me u zgjedh si asambleist për ju janë zero. Krejt çka do të bëni është se vota e familjeve tua do t’ia sigurojnë ndoshta një ulëse vetë liderit. Do ta faktorizoni atë, ku me siguri ai nesër prapë do ta përdorë votën e familjeve tua për të bërë pazare për interesat e veta. Shkurt, ju do të mbeteni humbësi më i madh, mu aty ku kanë mbetur votuesit e tij në zgjedhjet e fundit.

b) E dyta, që ka SHUMË rëndësi, kandidimi krahas një racisti do të mbetet njolla më e madhe që keni për ta bartur gjatë gjithë jetës. Unë ju premtoj një gjë, se qytetarët e Ferizajt do t’ju respektojnë gjithmonë nëse sot tërhiqeni dhe refuzoni me qenë përcjellës të një lideri racist. Njeriu harron, por jo edhe populli, sepse siç thotë një fjalë e urtë, populli është një sy i madh që nuk harron. Mos pranoni me qenë pjesë e një fushate të pistë që nuk pasqyron karakterin tuaj. Mos lejoni që dikush tjetër të njolloseni me brushë të ndytë pa pëlqimin tuaj. Ndoshta nuk është lehtë, por ju premtoj se do të ecni me kokën lartë gjithmonë. Nuk është vonë që të dilni publikisht që të tërhiqni kandidaturën tuaj, dhe tërë jetën të ndiheni të qetë moralisht. Prapë po them, nuk ju njoh asnjërin nga ju personalisht, por ju premtoj se nuk ka akt më të ndershëm që historia dhe qytetarët të ju mbajnë mend për aktin tuaj moral ku refuzoni me qenë pjesë e fushatës raciste.

Ju premtoj se gjatë gjithë jetës do të krenoheni për tërheqjen tuaj, por jo edhe nëse qëndroni si kandidatë. Tërheqja juaj do të reflektoj gjithmonë si njerëz me qëndrime të sinqerta, për vlera dhe virtyte, kurse qëndrimi juaj krahas tij do të lejojë hapësirë që t’ju njollosë përkrahjen e një racisti. Pra kujtoni se dëmi nuk i shkon partisë, por karakterit tuaj.

Mos u habitni nëse as familja juaj nuk ju voton. Mbani mend se vota juaj është ofenduese dhe humbje për familjen tuaj, kurse përfituesi i vetëm do të mbetet vetëm lideri juaj racistë, sepse siç e dini edhe ju, gjasat për të fituar janë gati zero. Tërhiquni para se të kujtoheni si krah e një partie që ka udhëheq fushatën më të pistë që mban mend ky qytet.

Për fund, qytetarë të nderuar, mos votoni liderin e partisë raciste NQF, mos e faktorizoni atë. Kurse ju kandidatëve të ndershëm që garojnë krahas tij, këshilla ime është tërhiquni, sepse ende nuk është vonë. Qëndroni në anën e drejtë të historisë, dilni faqebardhë ku do të kujtoheni për njerëz me vlera dhe virtyte që nuk bën kompromis me politika përçarëse, përndryshe, do të përfundoni edhe humbës edhe të njollosur për jetë.

    Data: 19 Tetor 2017 11:03
    Autori: Dimal Basha
    • Antidoti kundër lajmeve të rreme

      Antidoti kundër lajmeve të rreme 0

    Të tjera