Kthehu lart

Pse do të fitojë Shpend Ahmeti, por megjithatë do të humbë Lëvizja Vetëvendosje

Pse do të fitojë Shpend Ahmeti, por megjithatë do të humbë Lëvizja Vetëvendosje Autori: Dimal Basha GazetaExpress

Suksesi afatgjatë i një partie është shtrirja në tërë vendin, diçka që veç LDK dhe PDK e kanë arritur kaherë dhe AAK tanimë po vazhdon të thyejë kufij sado parti e vogël që është, por këtë nuk po e arrin edhe Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo trajektore e politikave mund të sjellë fitoren e Shpend Ahmetit, por megjithatë do të sjellë humbjen e Lëvizjes Vetëvendosje!, sepse izolimi dhe përqendrimi i kuadrove vetëm në kryeqytet do të mund të jetë faktor në fitoren e Komunën e Prishtinës, por do të vazhdon të jetë arsyeja kryesore për dështim në të gjitha Komunat tjera, sepse qytetet fitohen me njerëz, jo me modele

Unë mendoj se Lëvizja Vetëvendosje ka qenë e suksesshme në Prishtinë. Ka të tillë që nuk e shohin të tillë, mirëpo matësi me i mirë janë krahasimi me qeverisjet e kaluara dhe rritja e tyre ne kryeqytet. Për shembull, Lëvizja Vetëvendosje shihet më kreative se qeverisjet e kaluara, dhe gjithashtu më e pakorruptuar se qeverisjet e kaluara. Ajo sot ka dalë e para si përfaqësuese në Kuvend, por edhe udhëheq në garën për Kryetarë. Shkurt, në garën për Kryetarë ka pas rritje për 12% nga zgjedhjet e kaluara, derisa me të njëjtin krahasim kanë rritur me mbi 11% numrin e asambleistëve në Kuvendin Komunal.

Megjithatë, unë mendoj se ky sukses është më shumë meritë e partisë së tij se sa e vet Shpendit.  Kjo nuk do të thotë se Shpend Ahmeti nuk ka merita për suksesin, por niveli i arritjeve të tija është, sepse ai ka pasur shumë fat, ose ndryshe thënë ka qenë Kryetari më me fat në gjithë Kosovën. Janë tri rrethana fatlume që rrjedhimisht kanë qenë faktorë kyç në suksesin e Shpend Ahmetit.

Fati i tij i parë ka qenë që Prishtina ka qenë e vetmja Komunë nën udhëheqjen e Vetëvendosjes. Pra Lëvizja Vetëvendosje! nuk ka pasur asnjë obligim në asnjë Komunë tjetër, dhe sigurisht se sytë dhe duart e gjithë partisë kanë qenë tek Shpend Ahemti. Fati i tij i dyte është fakti se 90% e trurit të Vetëvendosjes është e koncentruar në Prishtinë. Kjo i ka mundësuar që të ketë një ushtri të tërë që të mendojnë për zgjidhjen e problemeve të Prishtinës, sepse një shumicë e madhe e tyre edhe banojnë në Prishtinë. Kjo sigurisht se ia ka lehtësuar punën z. Ahmeti, i cili ka pasur një luks që nuk e ka pasur dhe ende nuk e ka asnjë Kryetarë tjetër në Kosovë.

Fati i tij i fundit ka qenë fakti që Lëvizja Vetëvendosje si parti ka qenë në opozitë në qeverinë qendrore, ku e gjithë partia ka pasur luksin të fokusohet për të ndihmuar z. Ahmeti në Prishtinë. Duhet të theksohet se ka qenë në interes të partisë që Prishtina të jetë e super-suksesshme ose të shitet si e tillë, sepse e kanë pasur modelin e vetëm për ta prezantuar në zgjedhjet që sapo i patëm. Mirëpo angazhimi i gjithë partisë sigurisht se ka qenë faktorë kyç për nivelin e këtij suksesi, diçka që nuk besoj z Ahmeti do ta arrinte vetëm.

Unë besoj se në të njëjtat rrethana, edhe LDK, por edhe PDK, do të korrte të njëjtin sukses. Nëse e merr cilëndo parti të madhe dhe angazhoje komplet që të punoj vetëm për një Komunë të vetme, unë mendoj se suksesi është i pashmangshëm. Mirëpo këtë luks nuk e kanë asnjëra parti opozitare, sepse edhe PDK edhe LDK shtrihet nëpër gjithë Kosovën, derisa Lëvizja Vetëvendosje graviton gati komplet në Prishtinë. Dhe ky fakt mendoj ka qenë arsyeja që ka çuar në dështimin e Lëvizjes Vetëvendosje nëpër Komuna tjera. Nga 38 Komuna, vetën në gjashtë prej tyre ka arritur të shkoj në balotazh. Përveç Prishtinës, në pesë komunat tjera ka dalë si e dyta. Në tri prej tyre – Podujevë, Kaçanik, dhe Gjilan - gjasat për të fituar balotazhin janë gati zero. Në Prizren nuk besoj do të fitojnë, dhe Komuna e vetme që besoj kanë gjasa mbetet Kamenica.

Edhe nëse fiton në Kamenicë, unë nuk besoj se ky duhet të shihet si ndonjë sukses, për shkak se para tre muajve Lëvizja Vetëvendosje! doli si partia më e madhe në vend, derisa në nivel komunash ende mbetet partia më e vogël. Më shkurt, zgjedhjet lokale duhet të shihen si dështim, dhe ky dështim, apo kjo diskrepancë numrash mes dy palë zgjedhjeve brenda tre muajve, vie mu për shkak se Lëvizja Vetëvendosje është shndërruar në një klan të kryeqytetasve ku të gjithë janë një parti e Prishtinës, dhe nuk nëse partia nuk ndryshon kurs, atëherë asnjëherë nuk do të gjej shtrirje në nivelin lokal, ku ka mungesë të tmerrshme të kuadrove. Nëse nuk besoni, ejani vizitonte Ferizajn, ku unë jetoj. Në zgjedhjet lokale nuk kam hasur asnjë ferizajas që arrinte të numëronte tre qytetarë që janë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje! Edhe pronarët e lokaleve më të frekuentuara më tregonin se nuk e kishin parë ndonjëherë liderin e kësaj partie. Dhe faktet flasin vetë. Para tre muajve Vetëvendosje ishte partia më e votuar në Ferizaj, kurse sot nuk ka arritur të shkoj as në balotazh.

Më shkurt, për tu kthyer tek poenta kryesore, angazhimi i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka qenë fat dhe sukses vetëm për Shpend Ahmetin, por jo edhe për Kosovën. Modeli “Prishtinë” që ka synuar ta shes Vetëvendosja në krejt Kosovën ka qenë një përfitim vetëm për Shpend Ahmetin, por dështim spektakolar për gjithë Kosovën, me faktin e thjeshtë se suksesi janë kuadrot e kualifikuar, jo modelet kukulla. Qytetin e zhvillojnë njerëzit, jo modelet, dhe këtë e kanë ditur qytetarët e Ferizajt, por edhe ata të qyteteve tjera, përveç Lëvizjes Vetëvendosje që është e izoluar në kryeqytet. Dhe rrjedhimisht zgjedhjet lokale treguan se Lëvizja Vetëvendosje! është vetëm Prishtina, dhe nuk përfshin apo përfaqëson asnjë qytet tjetër.

Pra Shpend Ahmeti ka qenë i suksesshëm, por masa e suksesit duhet të i atribuohet më shumë partisë se vet atij. Shkurt, z. Ahmeti ka qenë me shumë fat, dhe kjo për faktin se partia e tij ka qenë në opozitë dhe pa obligime sa ky ka qenë në pushtet. Tjetra, ka qenë Kryetari i vetëm në Kosovë nga partia e tij, dhe e fundit, e gjithë Lëvizja Vetëvendosje jeton dhe vepron në Prishtinë, dhe e tërë kjo ushtri ka punuar për administratën e tij për rrafsh katër vite.

Për fund, unë besoj se z. Ahmeti do të fitojë prapë Prishtinën, dhe duke marrë parasysh rrethanat – ku partia e tij gjendet prapë në opozitë dhe nuk po duket se do të fitoj një Komunë tjetër, - duket se i njëjti fat do ta ndjek edhe për katër vitet e ardhshme ku e gjithë partia do të punoj prapë vetëm për të. Megjithatë, fati i tij është përkthyer në sukses për vet Shpendin dhe kryeqytetasit, por jo edhe për partinë dhe Kosovën. Suksesi afatgjatë i një partie është shtrirja në tërë vendin, diçka që veç LDK dhe PDK e kanë arritur kaherë dhe AAK tanimë po vazhdon të thyejë kufij sado parti e vogël që është, por këtë nuk po e arrin edhe Lëvizjes Vetëvendosje. Kjo trajektore e politikave mund të sjellë fitoren e Shpend Ahmetit, por megjithatë do të sjellë humbjen e Lëvizjes Vetëvendosje!, sepse izolimi dhe përqendrimi i kuadrove vetëm në kryeqytet do të mund të jetë faktor në fitoren e Komunën e Prishtinës, por do të vazhdon të jetë arsyeja kryesore për dështim në të gjitha Komunat tjera, sepse qytetet fitohen me njerëz, jo me modele.

    Data: 31 Tetor 2017 10:50
    Autori: Dimal Basha
    • Demokracia në rrezik

      Demokracia në rrezik 0

    Të tjera

    • Humori i zi për politikën e zezë

      Humori i zi për politikën e zezë 0

    • Një gjest në Bruksel, që nuk ndihmon!

      Një gjest në Bruksel, që nuk ndihmon! 0