Kthehu lart

Parashkrimi në të drejtën penale

Parashkrimi në të drejtën penale Autori: Lulzim Tafa GazetaExpress

Nuk mund të fillohet ndjekja penale në rast se ka kaluar koha e lartësisë së dënimit të paraparë për atë vepër penale, kurse ai absolut me dyfishin e lartësisë së atij dënimi, kjo do të ishte një zgjidhje ideale, shikuar nga aspekti i rolit që ka instituti i parashkrimit

Parashkrimi është institut shumë i rënëdsishëm juridik, pa dyshim ndër më të rëndësishmit e së drejtës penale përmes të cilit pamundësohet ndjekja penale si dhe ekzekutimi i sanksionit penal pas kalimit të një periudhe të caktuar kohore, qoftë nga koha e kryerjes së një vepre penale (parashkrimi i ndjekjes penale) qoftë nga koha e shqiptimit të dënimit dhe mosekzekutimi i tij (parashkrimi i ekzekutimit të dënimit). Si çdo legjislacion penal tjetër, edhe legjislacioni penal i Kosovës i ka kushtuar vëmendje këtij instituti.

Kodi Penal i Kosovës, Neni 106 dhe Neni 108 kanë paraparë parashkrimin. Por, mënyra se si është formuluar parashkrimi apo si janë formuluar nenet 106 dhe 108, për vlerësimin tim janë të gabuara. Pra, bëhet fjalë për një përcaktim jo adekuat juridik-ligjor në Kodin Penal, i cili shkakton konfuzion në zbatimin praktik të normave që përmbajnë këto nene të cilave iu referohem, dhe si të tilla lejojnë hapësirë interpretimi të dyfishtë dhe me pasoja apo efekte juridike të pa imagjinuara.

Përmbajtja e këtyre neneve të cilave iu referohem, sigurisht se ka mbetur nga koha e UNMIK-ut apo edhe më herët dhe i cili ndodhet edhe më tutje në dispozitat e Kodit Penal të Kosovës, saktësisht në Nenet 106 dhe 108 të Kodit Penal të Kosovës.

Këto Nene që rregullojnë parashkrimin nga ndjekja penale dhe ekzektuimin e sanksionit penal nuk janë të formuluara si duhet. Kjo nuk është çështje e vogël por çuditërisht tash e shumë kohë ose nuk është vërejtur ose është injoruar nga akterët e zbatimit të ligjit.

Ligjet janë humane dhe shërbejnë për të rregulluar çështje të caktuara, gjithmonë në shërbim të shoqërisë dhe shtetit.

E drejta penale nuk lë mundësi për shumë interpretime por as për përdorimin e analogjisë siç lejohet në disiplina të tjera, si për shembull: E drejta civile apo E drejta administrative.

Për të kuptuar këto dispozita nuk ka nevojë të jesh vetëm jurist por mjafton vetëm që të lexosh me kujdes këto nene. Për të bërë më të qartë unë po i referohem vetëm Nenit 106, në veçanti paragrafeve 1.4 dhe 1.5.

Neni 106 (Kodi Penal në Fuqi)

Parashkrimi i ndjekjes penale

1.      Përveç nëse shprehimisht parashihet ndryshe me këtë Kod, ndjekja penale nuk mund të ndërmerret nëse kanë kaluar afatet e mëposhtme:

1.1.  tridhjetë (30) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me burgim të përjetshëm; 

1.2.  njëzetë (20) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se dhjetë (10) vjet burgim;

1.3.  dhjetë (10) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se pesë (5) vjet burgim;

1.4.  pesë (5) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se tre (3) vjet 

burgim;

1.5.   tre (3) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me më shumë se një (1) vit burgim; dhe 

1.6.  dy (2) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme deri në një (1) vit burgim ose me dënim me gjobë.

Pra, nëse lexohet me vëmendje Neni 106 Paragrafi 1.5 nuk e keni vështirë të konstatoni se me kalimin e periudhës 3 vjeçare parashkruhen të gjitha Veprat Penale, ngase më shumë se 1 vit është 3,5,8,10,12,15,20 vjet e deri në burgim të përjetshëm,( edhe pse dikush mund të thirret këtu në të ashtuquajturin Interpretim qëllimor apo teleologjik, që përcakton qëllimin e normës, megjithatë këtë nuk do të mund ta pranoja si arsyetim).

Po të ishin syçelë dhe më aktive organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, avokatët etj,, burgjet në Kosovë do të duhej të zbrazeshin brenda ditës ngase njerëzit janë dënuar në shpërputhje me këtë dispozitë. Dispozitat e Kodit Penal nuk guxojnë të kenë dy apo shumë kuptime, në rast se kjo ndodhë atëherë është e përcaktuar qartë se ato gjithmonë interpretohen në favor të personit ndaj të cilit zhvillohet procedura penale, gjithashtu i njëjti gabim përsëritet edhe në Nenin 108 të Kodit Penal.

Po ashtu, ky Nen (106) ka edhe një mangësi ngase nuk dallon parashkrimin për veprat penale që janë të dënueshme me 5 dhe 8, apo 12 e 15 vjet etj., por i parashkruan në një afat, gjë që nuk është as e drejtë e as logjike. Është standard juridik që afati relativ i parashkrimit të lidhet me maksimumin e dënimit të parashikuar për atë vepër penale.

Tani flitet se ka inciativë që të rritet afati i parashkrimit, kjo nuk mund të ndodhë në asnjë mënyrë në rast se nuk rritet shkalla e dënimit, ngase u tha që afati i parashkrimit është afat që lidhet me lartësinë e dënimit. Pra, rritja e lartësisë së dënimit vet me automtizëm e rritë edhe afatin e parashkrimit.

Duke qenë se Kodi Penal është në draftim, si studiues i së drejtës penale, rekomandoj që kjo të evitohet gjithsesi. Për të qenë deri në fund korrekt me disiplinën e së Drejtës Penale kjo dispozitë rekomandoj të jetë e formuluar si vijon:

Neni 106

Parashkrimi i ndjekjes penale 

1.        Përveç nëse shprehimisht parashihet ndryshe me këtë Kod, ndjekja penale nuk mund të ndërmerret nëse kanë kaluar afatet e mëposhtme:

1.1.  tridhjetë (30) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme me burgim të përjetshëm; 

1.2.  njëzetë (20) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme deri në (20) njëzet vjet burgim;

1.3.  dhjetë (10) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme deri në (10) vjet burgim;

1.4.  tetë (8) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme deri në (8) vjet burgim;

1.5.  pesë (5) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme deri në pesë (5) vjet burgim; 

1.6.  tre (3) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme deri në tre (3) vjet burgim; 

dhe

1.7.  dy (2) vjet nga kryerja e veprës penale të dënueshme deri në dy (1) vit burgim ose me dënim me gjobë. 

Pra, formulimi “më shumë” duhet të zëvendesohet me “deri” edhe pse mendoj se ka edhe një mundësi tjetër shumë praktike për të gjetur një formulim shumë praktik dhe të thjeshtë të parashkrimit, ngase parashkrimi relativ nuk është afat arbitrar por i mbështetur në lartësinë maksimale të dënimit për veprën penale të caktuar, kurse ai absolut me dyfishin e këtij dënimi. Mendoj se kjo mund të formulohet edhe në këtë mënyrë: Nuk mund të fillohet ndjekja penale në rast se ka kaluar koha e lartësisë së dënimit të paraparë për atë vepër penale, kurse ai absolut me dyfishin e lartësisë së atij dënimi, kjo do të ishte një zgjidhje ideale, shikuar nga aspekti i rolit që ka instituti i parashkrimit.

Mbi këtë bazë dhe këto parime duhet të formulohet edhe Neni 108.

    Data: 03 Prill 2018 12:28
    Autori: Lulzim Tafa

    Të tjera