Kthehu lart

Nuk po na përgjojnë, vetëm kemi iluzionin se jemi të veçantë

Nuk po na përgjojnë, vetëm kemi iluzionin se jemi të veçantë Autori: Oliver Burkeman GazetaExpress

Të përçmosh normalen, do të thotë të përçmosh gjithçka që na ndodh. Edhe ta bësh këtë, sigurisht që është normale, por është edhe realiteti i sigurtë për një jetë të palumtur.

Mes eksperiencave më “drithëruese” të jetës moderne, është një që më ndodh shpesh, por me siguri jo vetëm mua. Ule të pi diçka me një mik, i cili më këshillon një libër a një film, që sipas tij do të më pëlqejë, dhe pastaj, pa e kërkuar fare unë vetë, nis të shoh reklamën online.

Nuk është për t’u habitur që qarkullojnë zëra se Fejsbuku përdor mikrofonin e celularit tonë për të na përgjuar. Eshtë pothuaj me siguri i rremë: aplikacionet dhe faqet e internetit mbledhin tashmë kaq shumë të dhëna rreth nesh, saqë nuk kanë nevojë për truke të tilla, kemi vetëm ndjesinë që po na spiunojnë.
Por ka një tjetër arsye përse rrjeti na njeh më mirë se sa mendojmë: jemi shumë më normalë, nga se besojmë se jemi. Duke ditur diçka rreth meje, si Fejsbuku, si miku im përfundojnë duke më këshilluar të njëjtat gjëra, sepse konstelacioni im i interesave është shumë më pak i veçantë, e si pasojë më i parashikueshëm, nga sa do të më pëlqente të besoja.
Iluzion superioriteti
“Nuk je edhe aq i veçantë”, mund të jetë një fyerje (si të thuash i gjori, mendon se kushedi kush është), dhe ndonjëherë një shprehje dashurie, si mesazhi që u bë viral në vitin 2012, ku mësuesi amerikan i shkollës së lartë David McCullogh, u bënte thirrje studentëve të tij të mos bëheshin të palumtur, duke u përpjekur të tregonin se ishin në qendër të universit. Shpesh herë, është edhe akuzë që më të moshuarit ua bëjnë më të rinjve.
Por ky është vetëm një shpërqëndrim nga fakti brutal statistikor që, në bazë të cilitdo parametër, dhe me gjithë kushtet e tjera të mirëqena, është e qartë se jemi normalë. Privuar nga çdo lloj vlere gjykimi, është kjo domethënia e fjalës “normale”.
Ka shumë mundësi që inteligjenca jonë, krijueshmëria jonë, shijet tona kulturore apo dashurore, mënyra se si bota na ka keqtrajtuar, janë më pak të çuditshme apo ekstreme nga sa mendojmë, mbi të gjitha po të kemi parasysh se, gjithësecili prej nesh ka arsye të forta për të besuar të kundërtën.
Ose për ta thënë me fjalë të tjera: të mendosh se je i/e veçantë është vetëm një nga mënyrat e shumta për të qenë normalë. Është fenomeni i famshëm, i njohur si “superioriteti i gënjeshtërt”, që shpjegon pse shumica e njerëzve mendojnë se janë mbi mesataren për mënyrën si ngasin makinën, për mungesën e paragjykimeve dhe për shumë arsye të tjera, ndryshme. Dhe funksionon edhe në të kundërt: sindroma e mashtruesit është pikërisht ajo e atyre që mendojnë se janë të veçantë, por në një kuptim negativ.
Problemi është se duke menduar që jemi më pak normalë nga sa jemi në të vërtetë, pozitivisht apo negativisht, na bën të pakënaqur, duke na bindur se jemi pazakonshmërisht të këqinj, ose na detyron të izolohemi dhe të rrijmë në mbrojtje, sepse mendojmë që jemi shumë të mirë.
Kjo sjellja e fundit nënkupton gjithashtu që, cilido aspekt i jetës apo eksperiencës, absolutisht normal – për definicion, pothuaj të gjithë – na duket si mospërfillje, apo sfidë ndaj identitetit tonë. “Mos harroni asnjëherë, se çdo mendje plazmohet prej eksperiencave më të zakonshme”, shkruante poeti francez, Paul Valéry. “Të thuash se diçka është normale, do të thotë të thuash që është mes gjërave, që kanë dhënë më shumë kontribut në formimin e ideve tona më themeltare”.
Të përçmosh normalen, do të thotë të përçmosh gjithçka që na ndodh. Edhe ta bësh këtë, sigurisht që është normale, por është edhe realiteti i sigurtë për një jetë të palumtur. / The Guardian – Bota.al

    Data: 09 Maj 2018 10:45
    Autori: Oliver Burkeman

    Të tjera