Kthehu lart

Një kokë sa dy milionë

Një kokë sa dy milionë Autori: Imer Mushkolaj GazetaExpress

Kosovarët nuk i kanë borxh as Hashim Thaçit, e as kërkujt tjetër, që ta rrezikojnë të ardhmen e vet, të ardhmen e shtetit, pse nuk iu paskan dalë mirë llogaritë. Koka e kujtdoqoftë nuk vlen dhe nuk duhet të vlejë më shumë se dy milionë të tjera.

Nuk do të duhej të ndihej mirë askush kur dëgjon presidentin e vet teksa thotë se është mashtruar para dy vjetësh për Gjykatën Speciale. Nuk do të duhej të ndihej mirë askush kur sheh se si presidenti, bashkë me kryeparlamentar e kryeministër, është në gjendje të rrezikojë të ardhmen e shtetit, për të shpëtuar kokën e vet.

Ishte vetë Hashim Thaçi, atëbotë kryetar i PDK’së, i cili iu bënte presion deputetëve të partisë së tij që ta votonin gjykatën. Thoshte se është në të mirë të Kosovës, thoshte se gjykata do të pastronte luftën e UÇK’së, madje i gozhdonte ata që ishin kundër miratimit të saj.

Por, dy vjet e gjysmë më vonë, gjërat kanë ndryshuar. Mbase nën presionin e mundësisë që të jetë njëri ndër të akuzuarit, i njëjti Thaç tash i ka ndërruar fjalët, duke u pozicionuar kundër gjykatës. Për më keq, deputetë të njëjtë, të cilët atëherë me vullnet kishin votuar pro gjykatës, tash japin nënshkrimin për shfuqizimin e saj. Pamoralshëm e padinjitetshëm. Kështu, po vazhdon beteja për të shpëtuar një kokë, në dëm të dy milionë kokave të tjera.

Të mos keqkuptohemi: askush me mend në kokë nuk e mirëpret një gjykatë njëetnike siç është ajo Speciale. Por, po ashtu, askush me mend në kokë nuk bëhet me vetëdije pjesë e lojës së Hashim Thaçit, për shkak se atij nuk i paskan ecur mirë pazaret me gjykatën. Me institucionin, për të cilin dikur bënte thirrje e presion që të votohej.

* * *

Rrallë ndodh të marr aq shumë reagime, si ditët e fundit, rreth debatit për Gjykatën Speciale. Nëse thua se gjykata është e padrejtë, por po aq i padrejtë është tentimi për ta zhbërë atë, sipas tekave të Hashim Thaçit, menjëherë shpallesh tradhtar, njeri i Serbisë, kundër vlerave të UÇK’së. Madje edhe mund të akuzohesh se po dëshiron që Serbia të kthehet në Kosovë.

Në fakt, përpjekja për të goditur duke përmendur Serbinë iu ka mbetur i vetmi argument. Ka njerëz që, me lehtësi të padurueshme, menjëherë të rreshtojnë në kampin kundër UÇK’së, kundër çlirimtarëve, kundër veteranëve. I tillë ishte edhe reagimi i këshilltarit të Hashim Thaçit, Bekim Çollaku, i cili nuk përtoi të hedh gurë e dru kundër të gjithë atyre që guxojnë t’ia kritikojnë shefin. Ja çfarë shkruan ai në një shkrim të tijin: “Hipokritë dhe të mjerë janë ata të cilët shtiren se respektojnë dëshmorët e lirisë, por në të njëjtën kohë përçmojnë luftëtarët e gjallë. Të tillët janë të mjerë, të varfër në shpirt, por jo në xhepa. Këtyre, nuk iu mungojnë paratë dhe as standardi jetësor. Nuk iu mungon as karriera e ndritur, sepse e realizojnë me lehtësi, duke gërryer pandërprerë nën këmbët e meritorëve. Ky grup i vogël njerëzish, përshtatet dhe përfiton nga çdo lloj pushteti. Të maskuar në mënyrë perfide, këta thithin të mirat e tij dhe në një moment të caktuar, vjellin mbi të dhe gjithçka tjetër. Këta janë ata të cilët në emër të çkapjes së shtetit, e kapin atë fort dhe ia zënë frymën. Në emër të thyerjes së izolimit, janë të gatshëm të dërgojnë ata më meritorët në izolim të përjetshëm… Kosova dhe populli ynë i vuajtur e ka një grup të tillë mjeranësh që duan të hanë kokat e çlirimtarëve tyre”.

Po të vinte një vlerësim i tillë nga ndonjë gjysmanalfabet, që nuk di të shkruajë as shqip si duhet, mbase edhe do t’i falej. Por, të vijë nga dikush që, madje, ka mbajtur edhe post ministri, kalon çdo logjikë të shëndoshë. Diskursi i tillë tregon se si janë në gjendje të tjetërsohen njerëzit, vetëm për t’i goditur të gjithë ata që nuk mendojnë si ata. Mjerim.

Së pari, “më meritorët në izolim të përjetshëm” kanë votuar t’i dërgojnë vetë ata, të cilët tash po bëjnë çmos të shiten patriotë.

Së dyti unë, e askush tjetër që mendon si unë, nuk kemi votuar në Kuvend për gjykatën. E nëse dikush thith të mirat e shtetit dhe pushtetit, për vite me radhë, atëherë prapë ata nuk jemi unë dhe të tjerët si unë, por këshilltari i Thaçit dhe të tjerët si ai.

Së treti, shumë nga çlirimtarët kokat ia kanë ngrënë njëri-tjetrit, për interesa shpesh perfide. Andaj, për këtë nuk mund të fajësohen të tjerët.

* * *

Askush nuk ka faj pse Hashim Thaçit nuk i kanë dalë llogaritë si duhet. Pse duhet bërë kurbanë dy milionë veta për një person, i cili tekefundit thoshte se Gjykata Speciale do ta pastrojë luftën e UÇK’së?

Askush nuk iu ka faj të gjithë atyre që, në emër të luftës, kanë bërë të zeza, kanë vjedhur e përvetësuar. Andaj ata nuk mund ta kontrollojnë veten.

Siç nuk po mund ta kontrollojë veten as Hashim Thaçi tash, kur priten aktakuzat e para të Speciales - gjykatës për të cilën bëri çmos që të krijohet.

    Data: 28 Dhjetor 2017 16:17
    Autori: Imer Mushkolaj

    Të tjera