Kthehu lart

Një armatë badihavxhinjsh

Një armatë badihavxhinjsh Autori: Imer Mushkolaj GazetaExpress

Ndonëse ishte premtuar reformë në administratën shtetërore dhe reduktim i saj, qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj po vazhdon të mbushet zëvendësministra e këshilltarë. Në këto poste po rehatohen edhe njerëz që dështuan të zgjedhen kryetarë komunash dhe të tjerë që nuk ia dolën të bëhen deputetë. Miliona euro shpenzohen për pagat dhe privilegjet e tyre dhe të këshilltarëve të tyre. Një çmim i lartë ky, për një armatë badihavxhinjsh

Lajmet më të shpeshta nga Qeveria e Kosovës kanë të bëjnë me emërimin e zëvendësministrave. Nuk kalon thuajse asnjë ditë e dikush të mos rehatohet në një post të tillë. Natyrisht, vend iu bëhet zyrtarëve e militantëve partiakë dhe jo rrallë me poste të tilla shpërblehen ata që humbën në zgjedhje lokale. Ose që nuk arritën të fitojnë post deputeti në zgjedhjet nacionale.

Kështu, të paktën dy kandidatë të AAK’së që nuk arritën të fitojnë në Pejë e Ferizaj, Fatmir Gashi e Xhavit Zariqi janë rehatuar në poste zëvendësministrash. Mbrapa nuk ka mbetur as Nisma për Kosovën, kandidati i së cilës për kryetar të Rahovecit është rehatuar në postin e të dytit të Ministrisë së Jashtme. Ngjashëm po veprojnë edhe partitë tjera të koalicionit megaloman qeverisës.

Aktualisht janë emëruar rreth 50 zëvendësministra, por procesi vazhdon dhe numri i tyre pritet të arrijë në rreth 70. Ka dikastere qeveritare në të cilët janë emëruar madje nga katër zëvendësministra. Të gjithë këta kanë të drejtë të emërojnë pastaj këshilltarë e të shfrytëzojnë privilegjet që ua mundëson pozita.

Qeveria e Ramush Haradinajt, e cila përbëhet nga 21 ministra, përveç zëvendësministrave po shquhet edhe për qindra këshilltarë. Mediat kanë raportuar se vetë Haradinaj ka pranë vetes 16 të tillë, ndërkohë që ministrat si ai i Arsimit dhe i Infrastrukturës secili kanë nga shtatë sish. Mbrapa nuk kanë ngelur as ministri të tjera.

Ta zëmë, Ministria e Diasporës, një dikaster që do të mund të funksiononte shumë mirë vetëm si një department i Ministrisë së Jashtme, aktualisht ka tre zëvendës të ministrit. Kaq kanë edhe Ministria e Financave dhe ajo e Shëndetësisë. Se çfarë pune mund të kryejnë ata vështirë të thuhet. Ministria e Arsimit, ndërkaq, ka një zëvendësministër më shumë.  

Kryeministri Haradinaj, i cili kishte premtuar reformë në administratën shtetërore dhe reduktim të saj, numrin kaq të madh të zëvendësministrave e ka arsyetuar me vëllimin e madh të punës, duke thënë se secili do të jetë përgjegjës për diçka. Se do të ndodhë kështu është pak e besueshme, megjithëse mbetet të shihet. Përvoja e deritashme ka dëshmuar të kundërtën.

* * *

Natyrisht, jo të gjithë zëvendësministrat janë njësoj dhe jo të gjithë duhet konsideruar të tillë. Në fakt, në shënjestër të kritikave nuk janë individë të caktuar, të cilët janë profesionistë të fushës dhe mund të japin kontribut. Kritikat kanë të bëjnë me fenomenin e rehatimit, pa nevojë, në pozita ministrore të zyrtarëve të partive.

E njerëzit që kanë mbajtur poste zëvendësministrash jo rrallë kanë penguar punën e qeverisë dhe e kanë dëmtuar buxhetin, në vend që të kontribuojnë për shtetin.

Isni Kilaj i PDK’së mandatin e kaluar funksiononte “shtet në veti” dhe nuk çante kokën të bashkëpunojë me ministrin e Financave. Në postin që mbante, në vend profesionalizmit e përkushtimit, ai më tepër tregonte arrogancën e partisë që përfaqësonte.

Ndërkaq, raste të keqpërdorimit të parasë publike nga zëvendësministrat janë raportuar vazhdimisht. Auditori kishte gjetur se dikur zëvendësministrat e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Shurdhaj e Berat Luzha kishin shpenzuar mijëra euro gjatë udhëtimeve jashtë vendit dhe ato nuk i kishin arsyetuar te përgjegjësit e financave.

Rasti i Gjergj Dedajt është edhe më i rëndë. Në cilësinë e zëvendësministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale ai dyshohej se kishte keqpërdorur kartelën financiare. Mediat kishin raportuar se për dy ditë qëndrimi në Vjenë, ai kishte shpenzuar rreth dy mijë euro, ndërkaq vitin e fundit të mandatit mbi 33 mijë. Dedaj nuk ishte ndëshkuar për këto shpenzime, përkundrazi, sërish ishte emëruar zëvendës ministri, veçse tash i Transportit. Natyrisht, si rezultat i pazareve partiake dhe shpërblim për përfshirje në koalicion qeveritar.

Nuk është ndëshkuar as një zëvendës tjetër ministri, Qazim Rrahmani, i cili po ashtu ka shpenzuar më se 13 mijë euro nga kartela qeveritare. Ai e ka mbajtur postin e njëjtë së pari në Ministrinë e Punës e më pas në atë të Kulturës.

Pavarësisht premtimeve për reformë në administratë, me ardhjen në krye të qeverisë Haradinaj ka jetësuar edhe një politikë të re nëpërmjet së cilës mundësohet shtimi i numrit të këshilltarëve politikë. Nëpërmjet ndryshimit të rregullores për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe ministrive është bërë i mundur emërimi edhe i nga një këshilltari politik për secilin nga komunitetet pakicë. Po ashtu, edhe ministrave u është mundësuar të shtojnë për një numrin e këshilltarëve.

* * *

Zëvendësit e ministrave edhe mund të kryejnë një punë të caktuar në dikasterët përkatës, por është e qartë pse ata i kanë marrë ato pozita. Janë pozita shpërblimi për lojalitet ndaj liderit dhe partisë. Kjo nënkupton miliona euro më shumë të shpenzuara për pagat dhe privilegjet e tyre, për pagat dhe privilegjet e këshilltarëve të tyre. Armata e badihavxhinjve duhet mbajtur.

    Data: 07 Nentor 2017 11:18
    Autori: Imer Mushkolaj
    • Demokracia në rrezik

      Demokracia në rrezik 0

    Të tjera

    • Humori i zi për politikën e zezë

      Humori i zi për politikën e zezë 0

    • Një gjest në Bruksel, që nuk ndihmon!

      Një gjest në Bruksel, që nuk ndihmon! 0