Kthehu lart

Ngritja dhe rënia e shtetit islamik

Ngritja dhe rënia e shtetit islamik Autori: Ilir Kulla GazetaExpress E shtune, 29 Korrik 2017 17:19

NGRITJA DHE RËNIA E SHTETIT ISLAMIK”, kështu e ka titulluar librin e tij të ri kolonel Dritan Demiraj, i cili është në vazhdën e librave të mëparshëm të tij të së njëjtës linjë studimore të trajtuar me profesionalizëm dhe seriozitet. Nuk ka imunitet më të rëndësishëm sesa ai akademik, që na lejon të jemi të ndershëm dhe të vërtetë me historinë, pa qasje propagandistike apo ideologjike, duke i thënë dhe shkruar gjërat ashtu siç janë.

Pikërisht, ministri Demiraj, kur flet për ngritjen e Shtetit Islamik, e nis nga ai që me të drejtë historike e quan “Pushtim të Irakut”, duke përshkruar në detaje fazat e krijimit të rezistencës së parë antiamerikane, riorganizimin BAATH-ist nën drejtimin e ish-numrit dy të regjimit irakian, Izzat Ibrahim al Douri, rezistencën paraushtarake antiamerikane shia të Muqtada al Sadri-t e deri te krijimi i njësisë së parë sunite të udhëhequr nga jordanezi Abu Musab al-Zarkawi, që u bë edhe njësia e gjeneratës së parë të al-Qaeda-s në këtë vend.

Me të drejtë, autori e përshkruan gjeneratën e pestë të ditëve të sotme, e cila edhe pas asgjësimit të al-Zarkawi-t në Bakuba të Irakut, vazhdoi aktivitetin e saj dhe jo rastësisht nga kjo njësi lindi e ashtuquajtura Dawla al Islamija (Shteti Islamik), që aktualisht vazhdon të jetë kërcënimi kryesor i sigurisë ndërkombëtare dhe i terrorizmit me matricë fetare.

Sigurisht, Demiraj ndalet me kujdes te krijimi i të ashtuquajturit Kalifat në Mosul, përshkrimit të figurës së të ashtuquajturit Kalif, edukimit të tij fetar, fëmijërisë, kontekstin social dhe familjar në të cilin ai u rrit, mbështetja për studimet dhe familjen e tij pas rënies në luftë të vëllait të madh si ushtarak në përkrahje të regjimit të Sadamit dhe konsiderimit të tij si dëshmor i Irakut.

Përshkrimi i jetës së tij të mëvonshme deri në momentin që ai i prezantohet botës si drejtuesi i Kalifatit të Ri është i vëmendshëm deri në detaje të shpjegimit të aftësive dhe të dobë- sive të këtij subjekti sa enigmatik, aq edhe interesant. Autori përshkruan me detaje strukturën e Kalifatit, institucionet e tij piramidale, komandat e tij qendrore, rajonale dhe shtrirjen e tyre horizontale nga Siria në Irak, si dhe natyrisht ngarkesën dogmatike ideologjike të individëve që përbëjnë Kalifatin, të liderit të tyre, kalifit Ibrahim, dhe ideologjisë së tyre unike, e cila në fakt është edhe kërcënim për vetë vendet arabe dhe ato islame.Ministri Demiraj bën, gjithashtu, një analizë të gjerë gjeopolitike të kushteve dhe të parakushteve ku zhvillohen këto ngjarje epokale, të aktorëve shtete të orës së parë, atyre që kanë një rol mbështetës dhe të kundërshtarëve reciprokë, si dhe aleatëve të lëvizshëm në bazë të interesave të tyre tipike për luftërat e pista dhe të bazuara në interesa.

Në vitet ‘60-‘70 në Lindjen e Mesme ishte krijuar bindja se nuk ka luftë pa Egjiptin dhe paqe pa Sirinë, duke nënkuptuar këtu Izraelin dhe atë korrelacion gjeopolitik që mbajti stabilitetin e militarizuar të Lindjes së Mesme, që nga viti 1973 deri në fillimin e të ashtuquajturës “Pranverë Arabe”. Në dritën e zhvillimeve të sotme, në përfshirjen e drejtpërdrejtë të SHBAve në teatrin e ri të krijuar post-ISIS, si dhe në rikthimin strategjik të Rusisë në Mesdhe kryesisht në Siri, por dhe planet për zgjerim strategjik në Libi dhe Egjipt, duke na çuar në përfundimin se si rrjedhojë e zhvillimeve dramatike të Pranverës Arabe e deri te krijimi i ISIS-it, është krijuar një hartë tërësisht e re e përplasjes mes fuqive të mëdha dhe e interesave të tyre politike, ekonomike, diplomatike, ushtarake dhe gjeoenergjetike, për të cilën mund të themi se kjo situatë e krijuar nuk mund të ketë luftë të tërësishme pa SHBA-të dhe paqe të plotë pa Rusinë.

Demiraj përpiqet t’i shpjegojë me kujdes të gjitha këto rrethana, në mesin e së cilës zhvillohet dhe lufton Shteti Islamik, si dhe zhvillimet kaq të shpejta në kohë dhe hapësirë, që krijon ky fenomen i identifikuar si “Shteti i Errësirës”. Në këtë libër autori bën gjithashtu një përshkrim të hollësishëm të natyrës së dhunës mbi të cilën bazohet Kalifati. Dhuna, e cila ka ardhur si rrjedhojë e një sërë faktorësh që kanë çuar në ndryshime të pakthyeshme në jetët e qytetarëve të këtyre rajoneve, të luftërave që kanë prishur shtëpitë e pasuritë e tyre, të humbjes së pronave dhe të jetëve të qindra-mijëra njerëzve, të fëmijëve që kanë lindur në luftë, të atyre që u rritën në luftë dhe atyre që humbën detrave apo rrugëve teksa përpiqeshin për t’u bërë refugjatë në Europë, aty ku i konsiderojnë për shkak të propagandës të gjithë terroristë, sepse vijnë nga territoret ku është krijuar i ashtuquajturi Shteti Islamik duke ngatërruar Islamin, një Besim të shtrirë në të gjithë njerëzimin, me një të ashtuquajtur shtet gangsterësh, aventurierësh, të çmendur deri në ekstrem, me një ideologji tërësisht të çartur, e cila shkatërron gjithçka që gjen përpara.

Ky libër është pjesë e kolanës së çështjeve të sigurisë, mbrojtjes dhe terrorizmit në Lindjen e Mesme, të vetmet të botuara deri tani në gjuhën shqipe, është një përpjekje kurajoze dhe serioze me referenca akademike dhe burime të natyrës operative dhe inteligjencës të fituara nga autori drejtpërdrejt në terren, i cili ia vlen ta lexosh. Ky libër vlen jo vetëm për ata që merren në përditshmërinë e tyre me çështje të natyrës politiko-ushtarake-diplomatike-inteligjencës dhe të sigurisë, por dhe të atyre që kanë dëshirë të informohen nga një këndvështrim ndryshe nga ai mediatiko-propagandistik për këto ngjarje epokale të kohës që ne jetojmë.

Ky libër do të ketë vlera analitike dhe krahasimore historike në të ardhmen, kur brezave të ardhshëm do t’u duhet të studiojnë nëpër shkolla apo universitete, pas disa vitesh apo dhe dekadash, kur njerëzit do të jenë më të ftohtë në raport me ndryshimet e kësaj kohe dhe pasojat që këto luftëra do të kenë pasur mbi njerëzimin.

Së fundi, dua të shpreh një falënderim të veçantë për kolonel Dritan Demiraj dhe punën e tij serioze, si dhe një inkurajim për vazhdimin e mëtejshëm të përpjekjeve të tij studimore akademike për të na sjellë libra të tjerë të kësaj natyre, për të zhvilluar më shumë kontribute në fushën e sigurisë kombëtare dhe ndërkombëtare, për të motivuar edhe autorë të tjerë në të ardhmen të interesuar të merren me studime strategjike dhe politiko-ushtarake, për të cilat lexuesi shqiptar dhe jo vetëm ka nevojë.

    Data: 29 Korrik 2017 17:19
    Autori: Ilir Kulla
    • Iluzionet tona të humbura 0

    Të tjera

    • Hipokrizi dështakësh 0

    • ​Rikthimi i Milladin Popoviqit 0