Kthehu lart

Në Bruksel, jo në Beograd

Në Bruksel, jo në Beograd © GazetaExpress Foto: Rudina Hoti Autori: Imer Mushkolaj GazetaExpress

Kosova është problem i BE’së, e jo i Serbisë. Para se në Beograd, përgjegjësinë për ngecje në ecjen përpara drejt shtetndërtimit Prishtina duhet ta kërkojë në Bruksel.

Sa herë kanë nevojë të gjejnë fajtorin kujdestar për dështimet në Kosovë e Serbi, elitat politike të këtyre dy shteteve fajësojnë njëra-tjetrën. Për gjithçka që nuk ec mirë në Kosovë thonë se fajin e ka Serbia, e andej thonë se është problemi i Kosovës që po i frenon të shkojnë përpara. Por, a është kështu vërtet dhe çfarë është përgjegjësia e Brukselit në këtë mes?

Para se në Beograd, përgjegjësinë për ngecje në ecjen përpara drejt shtetndërtimit Prishtina duhet ta kërkojë në Bruksel.

Kosova vazhdon të jetë problem për Serbinë, por Serbia nuk është më problem për Kosovën. Gur i rëndë rreth qafës së Kosovës nuk është Serbia, por pesë vendet e BE’së që nuk ia kanë njohur pavarësinë, ashtu si dhe Kina e Rusia, dy shtete këto që në OKB bllokojnë çdo përpjekje për anëtarësimin e shtetit të ri në këtë organizatë.

Procesi i normalizimit të marëdhënieve ndëmjet të dyja vendeve, ndërkaq, i shërben Brukselit për të zvarritur zgjidhjen e problemit të vërtetë. Tash për tash, ky proces zgjidh problemin e Serbisë karshi BE’së, por jo edhe të Kosovës. Pra, nga ky proces përfiton vetëm Serbia, e cila do ta përshpejtojë rrugën e integrimeve europiane, ndërkohë që Kosova nuk ka kurrfarë përfitimi konkret.

Për shkak të mosnjohjes nga pesë vende anëtare të BE’së, sidomos kundërshtimit të ashpër të Spanjës, mund të thuhet se pavarësisht procesit të bisedimeve në Bruksel dhe normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, Kosova nuk mund të fitojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Kjo është jashtëzakonisht e qartë, ndonëse shpesh nuk thuhet drejt dhe ka përpjekje për kamuflim të së vërtetës.

* * *

Procesi i normalizimit të marrëdhënieve do të ndikojë që edhe në Kosovë, edhe në Serbi të humbet armiku ideal për përdorim të brendshëm, pas të cilit liderët e të dyja vendeve për vite me radhë kanë fshehur paaftësinë e vet. Pra, humbet fajtori kujdestar për dështimet politike.

Për klasën politike kosovare do të jetë goditje e madhe kur opinioni më në fund do të kuptojë qartë se pengesë për përparimin e Kosovës nuk është Serbia, por BE’ja, respektivisht pesë vende anëtare të saj dhe dy nga pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB’së.

Ndërkohë, pushteti në Serbi, ashtu si dhe një pjesë e mirë e opozitës atje vazhdojnë të shpërndajnë narrativin se Kosova është problem i madh, madje thelbësor për këtë vend, gjë që nuk është aspak e vërtetë.

Ashtu si elita politike kosovare ka qejf të merret me Serbinë dhe ta fajësojë për ngecje në zhvillimin e gjithëmbarshëm, edhe elita politike serbe me shumë dëshirë fokusohet në çështjen e Kosovës, në vend se të merret me problemet kryesore të Serbisë, siç janë korrupsioni, krimi i organizuar, pavarësia e sistemit të drejtësisë dhe ndërtimi i shtetit të së drejtës. Probleme këto të njëjta, me të cilat ballafaqohet edhe Kosova.

Pushteti në Beograd e ka më të lehtë që të përdor retorikë lufte karshi Kosovës sesa, ta zëmë, të sqarojë se si do t’i sigurojë 11 miliardë euro të nevojshme për të përmbushur parametrat nga kapitulli i 27’të i bisedimeve për anëtarësim, që ka të bëjë me mbrojtjen e mjedisit.

Ndërkohë, po tregohet gjithnjë e më e suksesshme fushata për shtrembërimin e fotografisë reale të gjendjes në Kosovë që nga intervenimi i NATO’s deri tek bisedimet e Brukselit, në mënyrë që tek qytetarët të shtohet animoziteti karshi Perëndimit në përgjithësi dhe BE’së në veçanti.

* * *

Gjithë muhabeti i bisedimeve të Brukselit dhe procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve është vetëm arsye për të shtyrë momentin kur në BE duhet të pranojnë se ekziston një problem në Ballkan, që është Kosova.

Për një kohë të gjatë Kosova as që do të mund të fitojë statusin e vendit kandidat për t’u anëtarësuar në BE, aq më pak të fillojë negociatat për anëtarësim. Kështu, Brukseli ndjek politikën e veprimit hap pas hapi, respektivisht që në momentin kur shfaqet problemi, atëherë merret me të.

Rrethanat ndërkombëtare krahasuar me periudhën kur Kosova ka shpallur pavarësinë kanë ndryshuar dukshëm edhe sa i përket mundësisë së njohjes nga Spanja, Qiproja, Greqia, Sllovakia e Rumania. Rrugën drejt anëtarësimit të Kosovës në BE nuk po e bllokon Beogradi, por këto pesë vende. E kur përmendet njohja e shtetësisë nga Serbia, Beogradi do të mundte shumë lehtë që të shtrojë një pyetje, për të legjitime: çka do të shërbejë kjo njohje, ndërkohë që këto pesë vende nuk e kanë bërë ende një gjë të tillë? A ka çfarë të thotë Brukseli në këtë rast?

Cila mund të jetë zgjidhja për Kosovën me “perpektivë europiane” aq të përmendur nga klasa politike kosovare?

Ideja që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen përnjëherë në BE është utopike, ngase këto vende janë në faza të ndryshme në procesin e integrimit. Mali i Zi dhe Serbia po i vazhdojnë negociatat për anëtarësim, Maqedonia tash 12 vjet e ka statusin e vendit kandidat, por nuk mund të shkojë tutje pa e zgjidhur çështjen e emrit me Greqinë. Shqipëria ka probleme serioze me funksionimin e shtetit të së drejtës dhe BE nuk ia jep ende datën për fillimin e bisedimeve. Është pak e besueshme që kjo të ndodh madje edhe gjatë vitit të ardhshëm. Bosnja e Hercegovina ende nuk e ka marrë statusin e vendit kandidat. Kështu, Maqedonia është të paktën pesë vjet prapa Malit të Zi e Serbisë në rrugën e integrimeve, Shqipëria të paktën shtatë, ndërkaq Kosova, me kusht që të gjendet një zgjidhje të cilën askush tash për tash nuk e ka të qartë, është të paktën një dekadë larg këtyre dy vendeve fqinje.

E përderisa Brukseli nuk po di çfarë të bëjë me Kosovën, elita politike në Beograd po e qartëson gjithnjë e më shumë qëndrimin e vet që duket të jetë: ka Serbi pa Kosovën, pot nuk ka Kosovë pa serbët.

    Data: 01 Gusht 2017 14:52
    Autori: Imer Mushkolaj
    • Problemi për të cilin nuk flet njeri: Mungesa e frymës së Shtetit

      Problemi për të cilin nuk flet njeri: Mungesa e frymës së Shtetit 0

    Të tjera