Kthehu lart

#Ndaljagazin – Familja po të pret!

#Ndaljagazin – Familja po të pret! Autori: Burim Ramadani GazetaExpress E mërkurë, 02 Gusht 2017 10:48

Ndalu dhe mendo për veten, familjen tënde, për tjetrin në komunikacion dhe për familjen e tjetrit. Nëse vetëm 5 sekonda do të mendosh, sigurisht ke për të kuptuar se shenjat e komunikacionit janë për TY! Komunikacioni është kthyer në vrasësin kryesor në Kosovë.

Rrugët janë kthyer në vrasësin më të madh në Kosovë. Pothuajse çdo tri ditë, një qytetar i Kosovës vdes në komunikacion. Jeta e tyre kthehet në një statistikë të tmerrshme. E tmerrshme për ne që i lexojmë këto statistika, e tmerrshme për familjet që kanë qenë duke pritur për të parë sërish anëtarët e vet.

Sipas analizave të deritashme, edhe pse jo krejtësisht të rregullta dhe përfundimtare, faktori kryesor i aksidenteve të shumta në komunikacion në Kosovë del të jetë shpejtësia e madhe, apo, siç quhet në gjuhën profesionale, “mospërshtatja e shpejtësisë në rrugë”. Pse dhe për çfarë qëllimi duhet që të ngasim duke ‘fluturuar’, nuk është trajtuar siç duhet dhe as sa duhet në shoqërinë tonë.

Sigurisht se veprimet institucionale, qartësitë në politikat e sigurisë së komunikacionit rrugor, shenjëzimi i plotë dhe profesional, vendosja e pengesave horizontale që detyrojnë ngasësit të zvogëlojnë shpejtësinë, zbatimi strikt i ligjit për rregullat në komunikacion dhe fushatat intensive vetëdijësuese duhet të jenë të koordinuara dhe gjithëpërfshirëse. Askush nuk duhet të mendojë se me një veprim të vetëm, me një vendim byrokratik apo me një ndryshim të ligjit do të zvogëlohen dukshëm aksidentet në komunikacion.

Sepse, sikurse është e qartë, shumëçka ndikon në formën e vet, shumëçka shkakton aksidentet. Përdorimi i telefonit, për shembull, gjatë ngasjes në veturave është po ashtu një shkaktar për çrregullime në komunikacion, për aksidente apo edhe për humbje jetësh të qytetarëve të Kosovës.

Përdorimi i alkoolit dhe pastaj ngasja e veturës nën ndikim të alkoolit domosdoshmërisht që është një prej faktorëve ndikues për pasiguri në komunikacion. Mosvendosja e rrypit të sigurisë, po ashtu, vazhdon të ketë efekt negativ për jetën apo shëndetin e pasagjerëve apo ngasësve.

E qartë: të gjitha këto janë rregulluar strikt në ligj. Por, kjo nuk është forma e vetme e zgjidhjes së kësaj maskarade në komunikacion.

Një gjë është krejtësisht e dukshme: ndryshimi i ligjit që ka vendosur për dënime në shuma më të mëdha në të holla nuk ka dhënë efektet e pritura, nuk ka zvogëluar aksidentet dhe as numrin e aksidenteve me fatalitet.

Fatkeqësisht, është e qartë po ashtu se aksidentet në komunikacion nuk janë temë me të cilën merren seriozisht, me urgjencë dhe me prioritet institucionet qendrore.

Njerëz, edhe pse jemi në një periudhë të tranzicionit të pushtetit, kjo fare nuk e përjashton domosdoshmërinë që të merreni seriozisht me këtë vrasës të qytetarëve të Kosovës – me pasigurinë në komunikacion rrugor!

Ne, në SPRC, po bëjmë aktivitete krejtësisht vullnetare. Me qëllimin që të ngrisim vetëdijësim për nevojën që të zvogëlohet shpejtësia në rrugë, si parakusht themelor për të zvoglëuar numrin e aksidenteve dhe numrin e të vdekurve në rrugë!

#Ndaljagazin ka filluar të bëhet një thirrje e njohur në rrjetet sociale.

#Ndaljagazin është shpërndarë me mijëra herë deri më tash, në pak ditë dhe pa investim fare.

Në anën tjetër, zyrtarët shtetërorë, përkatësisht ata që paguhen nga tatimpaguesit e Kosovës për të bërë punën e tyre,  nuk duhet në asnjë mënyrë të mjaftohen me disa takime apo të fokusohen në procedura byrokratike.

Jeta e qytetarit nuk është byrokraci!

Jeta e qytetarit nuk duhet të rrezikohet pse institucionet janë në periudhën e tranzicionit të pushtetit.

A nuk është ky numër i madh i aksidenteve me fatalitet një çështje që duhet të mbledh edhe Këshillin e Sigurisë së Kosovës?

Mos pritni vetëm ta sulmojë dikush Kosovën nga jashtë që të mblidheni dhe të koordinoni veprimet.

Jeta e qytetarit të Kosovës po sulmohet pothuajse çdo ditë në rrugë!  

    Data: 02 Gusht 2017 10:48
    Autori: Burim Ramadani
    • MBI BETEJËN E HUMBUR 0

    Të tjera