Kthehu lart

Na pushkatoni, se u mërdhimë!

Na pushkatoni, se u mërdhimë! Autori: Imer Mushkolaj GazetaExpress E mërkurë, 19 Prill 2017 16:51

Qytetarët e Kosovës nuk mund të presin pa fund, deri sa Isa Mustafa e Kadri Veseli t’i sigurojnë votat për ta kaluar demarkacionin. Ata nuk e kanë luksin e këtyre të dyve, që vështirë shohin përtej interesave të veta personale. Ata duan punë, mirëqenie e dinjitet. Kjo qeveri nuk ua ka ofruar asnjërën nga to. Zgjedhjet e parakohshme mbeten mundësi e vetme për të dalë nga kriza.

Një si barcoletë tregon për një situatë bizarre, por që i përshtatet fort realitetit kosovar, në një gjendje të bllokadës politike që po vazhdon me muaj të tërë, pa vullnet për ta zgjidhur dhe tejkaluar.

Një grup të zënësh rob, në një mot të acartë, po pritnin të pushkatoheshin. Por, vdekja po vononte, e ata po mërdhinin. “Na pushkatoni më shpejt, se u mërdhimë”, ishte kërkesa e tyre.

Në një situatë pak a shumë të tillë, pa shtegdalje, gjenden qytetarët e Kosovës tash sa muaj. Me lidership shtetëror e partiak të papërgjegjshëm, ata presin që çështje si demarkacioni, që e kanë bllokuar vendin, të zgjidhen sa më shpejt ose të organizohen zgjedhje të parakohshme, në mënyrë që të dilet nga ngërçi politik.

Thuajse që nga krijimi, koalicioni aktual qeveritar është përballur me probleme vështirë të menaxhueshme, si demarkacioni e Asociacioni. Që të dyja këto, Isa Mustafës ia la patate të nxehta në duar Hashim Thaçi.

I gjendur në pozitë aspak të lehtë, Mustafa me kryeneçësi e arrogancë provoi t’i çojë përpara që të dyja, ndonëse çëshjet mjaft të diskutueshme, por nuk ia doli. Tash, zgjedhjet e parakohshme po shihen si strategji dalëse madje edhe nga vetë ai.

Së fundi, Mustafa po përmend zgjedhjet si mundësi për t’i dhënë fund krizës, nëse demarkacioni nuk kalon në Kuvend. Deri më tash, ai as që pranonte të flasë për këtë çështje, duke përsëritur se zgjedhjet do të mbaheshin në afatin kushtetues.

Mustafa u detyrua të flasë për zgjedhje shkaku i presionit nga partneri i koalicionit, Kadri Veseli, i cili ka kohë që ka nisur fushatën parazgjedhore. Madje, kryeministri hodhi në publik edhe të tjera ide për zgjidhjen e çështjes së demarkacionit dhe liberalizimin e vizave – ide që do të mund t’i kishte prezantuar shumë më herët, në vend se të ngulte këmbë në qëndrimin e tij.

 

* * *

Pikërisht në kohën kur Isa Mustafa përmend zgjedhjet e parakohshme si mundësi për të dalë nga kriza, këshilltarë të tij ngrenë të tjera dilema. Njëri nga ta paragjykon se zgjedhjet e jashtëzakonshme dhe një qeveri e re nuk e zgjidhin problemin e demarkacionit. Sipas tij, mospajtimet për këtë çështje vetëm sa mund të rriten. Por, këshilltari i Mustafës nuk tregon se cila është zgjidhja.

A duhet vazhduar qeverisja e këtij koalicioni deri në afatin kushtetues të zgjedhjeve, edhe nëse vazhdon ta zvarrisë çështjen e demarkacionit? Po që se kjo çështje nuk nuk zgjidhet, atëherë pse u dashka lënë Mustafën e Veselin të qeverisin edhe për më shumë se një vit? Cila është logjika e zvarritjes dhe bllokimit të mëtejmë?

Këshilltarët e Mustafës mund t’i kuptoj, siç mund ta kuptoj edhe vetë kryeministrin, që dëshirojnë ta shijojnë sa më gjatë pushtetin, pavarësisht vegjetimit dhe mungesës së guximit për të marrë vendime të rëndësishme. Por, si ta kuptojnë kryeministrin qytetarët e izoluar të Kosovës, teksa nuk është në gjendje t’i bind as deputetët e partisë së vet për ta votuar demarkacionin? Si ta kuptojnë qytetarët e varfër kryeministrin, teksa zvarrit deri në pafundësi çështje që duhet zgjidhur urgjentisht, gjithnjë duke i akuzuar të tjerët se kanë faj?

Këshilltarët e tij edhe mund të paragjykojnë se gjithçka do të jetë njësoj pas zgjedhjeve. Por, janë qytetarët ata që vendosin se kujt ia japin besimin me votë. Siç ia dhanë Isa Mustafës në zgjedhjet e kaluara që të mos bashkëqeveris me PDK’në, por ai ua përdhosi vullnetin e tyre. Vullnetshëm u bë bashkë me PDK’në dhe u bllokua.

* * *

Në klimën e “acartë” politike, zgjedhjet e parakohshme mbeten opsion i vetëm. Koalicioni aktual nuk e ka besimin për të qeverisur tutje dhe në të tilla situata, qytetarët duhet drejtuar kutive të votimit.

Pak, fare pak është arritur të realizohet nga programi qeverisës i premtuar. Zhvillimi ekonomik vazhdon të ngec, ndërkohë që gjithçka ka mbetur nën hijen e kauzave - që kryeministri ka qejf t’i quajë të rreme - të opozitës.

Kauzat e opozitës edhe mund të jenë jenë të tilla, por kjo nuk e amniston Qeverinë nga përgjegjësia që ka për të çuar përpara çështje të rëndësishme. Nëntëdhjetë vota nuk janë pak dhe është e turpshme të fajësohet opozita për dështimet.

Njerëzit janë lodhur me arsyetimet bajate e banale të liderëve të koalicionit për mosliberalizimin e vizave dhe të tjera dështime. Ata duan punë, mirëqenie e dinjitet. Kjo qeveri nuk ua ka ofruar asnjërën nga to. Andaj, sa më parë që t’i “pushkatojnë”, aq më mirë. Pushkatoni, se u mërdhinë!

    Data: 19 Prill 2017 16:51
    Autori: Imer Mushkolaj
    • A është NATO shumë e madhe për të pasur sukses? 0

    Të tjera