Kthehu lart

Mendimi express i Blerim Latifit

Mendimi express i Blerim Latifit Autori: Elvis Hoxha GazetaExpress

Blerim Latifi, para se t’u drejtohet studentëve, bën mirë ta dojë filozofinë për vete (kështu do të ishte vetëvendosës, gjë që nuk do i jepte pagë) dhe jo për Veselin. Vetëm kështu do të ketë fat me pasë mendim e jo mendim express

Tërë teksti i shkruar prej Blerim Latifit qëndron në dy linja: 1. Në metaforën e mallit të skaduar; 2. Në referencën te një teori politike e skaduar. Natyrisht që Blerim Latifi është shumë i shqetësuar për mallrat e skaduar në marketet e Kosovës. Me ngutin e metaforës, aq e varfër sa nuk mund të jetë më shumë se një krahasim, ai do të dënojë për një skadencë të tillë dhe idetë e LV-së. Por ja që marrim vesh se, duke dashur të bëjë si filozof, ai bën aktivistin shoqëror duke na deklaruar se nuk ka ndryshuar asgjë në normat e tregtimit të mallrave të konsumit publik që prej 1981-shit, kur shqiptarët e Kosovës nisën të hanin mallra të skaduar. Si filozof krejt bajat ai kërkon të rrënojë LV-në, por si aktivist shoqëror ai i bie atyre që kërkon të mbrojë.

Referuar aktivistit Blerim latifi, do të duhej që populli t’i thërriste vetes e të shkonte të hidhte në gjyq, ose dhe të rrëzonte si tregtarët e paturpshëm, por dhe organizmat qeveritarë, madje vetë qeverinë, për këtë rrezikshmëri në fushën e shëndetit publik. Por ç’e do që aktivistin Latifi e pengon filozofi Latifi, i cili thotë se nëse populli kujdeset për fatin e vet, ky është populizëm; të ngrihet populli në mbrojtje të fateve të vet, ky është maoizëm, gramshizëm, çegevarizëm, badiuizëm. Pra filozofi Blerim Latifi i vë stërkëmbëshin aktivistit Blerim Latifi.
Po përfitoj nga rasti t’ju shpall dhe një herë çfarë nuk është sekret. Po përsëris pra tekstin e zgedhur nga Latifi në statutin e LV-së. Kam dëshirë ta përsëris sepse është një tekst kuptimplotë lidhur me demokracinë:
“Lëvizja VETËVENDOSJE! është lëvizje politike që e synon faktorizimin e popullit në vendimmarrjen politike nëpërmjet organizimit dhe mobilizimit të tij. Lëvizja VETËVENDOSJE! angazhohet për ndryshime rrënjësore shoqërore dhe politike, duke u mbështetur në parimin e barazisë, të demokracisë, të lirisë politike dhe të drejtësisë sociale të çdo qytetari. Lëvizja VETËVENDOSJE! synon një Kosovë sovrane, pra një Kosovë, që ka kontroll në burimet natyrore të saj dhe që e gëzon të drejtën për të pasur një forcë ushtarake të pavarur të veten, si dhe të drejtë për bashkimin me Shqipërinë. Lëvizja VETËVENDOSJE! ka si qëllim të saj një Kosovë ku sovraniteti buron nga vullneti i popullit që e gëzon të drejtën për vetëvendosje të brendshme dhe të jashtme, në mënyrë që populli të jetë i lirë dhe i papenguar në organizimin e jetës shoqërore, politike dhe ekonomike, sipas nevojave dhe interesave të tij”.Falemnderit aktivistit Latifi që e ka lexuar. Sa për filozofin Blerim Latifi faktorizimi i popullit është një tmerr antidemokratik. Demokracia nuk është pushteti i popullit. Kjo ide ka skaduar. Përkufizimi i demokracisë si e tillë ka skaduar. Lusim me këtë rast filozofin Blerim Latifi t’i gjejë një emër tjetër sistemit, filozof i të cilit është pranë Kadri Veselit. Në bazë të këtij emri të ri që do të zëvendësojë termin e skaduar të demokracisë, letra e tij drejtuar studentëve do të jetë më e qartë. Ndoshta një veselokraci do të ishte një sistem i mirë për të, aty ku populli duhet përjashtuar nga çdo organizim dhe mobilizim në vendimmarrjen politike.Ne e kuptojmë që filozofi Latifi nuk e do politikën si të popullit, por si të Veselit. Kështu do të mund të heqim dorë prej parimit të barazisë, të demokracisë, të lirisë politike dhe të drejtësisë sociale, sepse është parim i skaduar… mos harroni: si mallrat që shiten nën pushtetin e Veselit. Që Kosova të jetë sovrane: me pasë kontroll në burimet natyrore të saj dhe me gëzu të drejtën për të pasur një forcë ushtarake të pavarur të vetën, si dhe të drejtën për bashkimin me Shqipërinë, edhe ky sovranitet është i skaduar. Sovraniteti mund të jetë e drejtë e Thaçit dhe Veselit.
Vetëm një shembull. Lexoni vetëm fillimin e Kushtetutës franceze dhe nëse ju ka pëlqyer dendësia teorike e Latifit mund të nxirrni shpejt përfundimin se edhe kushtetuta franceze është po aq e skaduar sa dhe parimet e LV-së. Cilido mund ta provojë të njëjtin test me kushtetuta të tjera të Evropës ose shteteve të Amerikës. Ama në këto shtete nuk ekziston ndonjë filozof kokëtrashë që e shpreh kaq hapur urrejtjen e tij ndaj lëndës njerëzore që quhet popull.Edhe një sqarim tjetër për filozofin Latif. Kur të përdorë herë tjetër autorin Agamben le ta lexojë më mirë, sepse ky është autori që i mësoi shumë njerëzve të LV-së se nën regjimin e Thaçit nuk kishin të bënin më me një shtet normal, por me një gjendje të jashtëzakonshme. Nuk i them dot asgjë më tepër, sepse ky njeri e merr pagën si profesor i filozofisë, por dhe si këshilltar i Veselit.Po ju lë më poshtë një tekst të copëzuar sipas nocioneve që i krijojnë kaq shumë alergji Blerim Latifit. Natyrisht që mund t’i vlejnë cilitdo që nuk e merr veten për nxënës të Blerim Latifit.

Kushtetuta ____________PREAMBUL Populli francez shpall solemnisht lidhjen e tij me të drejtat e njeriut dhe me parimin e sovranitetit kombëtar, të tillë siç janë përkufizuar nga Deklarata e 1789-s, konfirmuar dhe plotësuar nga prembuli i Kushtetutës 1946 (çuditërisht ka data skadence, por kjo nuk i krijon problem aspak francezëve), si dhe të drejtave e detyrave (paska dhe detyra!?) (…) në bazë të parimeve të përcaktimit të lirë të popujve, (…) institucione të rinj të themeluar mbi idealin e përbashkët të lirisë, barazisë dhe vëllazërisë të konceptuar në kahje të zhvillimit të tyre demokratik.
Neni 1Franca është Republikë e pandashme, laike, demokratike dhe shoqërore. Ajo siguron barazinë para ligjit të të gjithë qytetarëve (barazia nuk ka dalë ende jashtë mode)…

Për sovranitetin

Neni 2Gjuha e Republikës është frengjishtja (Latifi pretendon që populli të flasë veselisht). Emblema kombëtare është flamuri tringjyrësh (jo ndonjë flamur që ua kanë skicuar të tjerët). Himni kombëtar është Marsejeza (jo ndonjë himn pa fjalë e me muzikë pa lidhje që ua kanë dhënë të tjerët). Deviza e Republikës është “Liri, Barazi, Vllazëri” (edhe pse këta terma kanë skaduar sipas Njerëzorit Latif)…
Kështu që Blerim Latifi, para se t’u drejtohet studentëve, bën mirë ta dojë filozofinë për vete (kështu do të ishte vetëvendosës, gjë që nuk do i jepte pagë) dhe jo për Veselin. Vetëm kështu do të ketë fat me pasë mendim e jo mendim express.

    Data: 04 Gusht 2017 13:45
    Autori: Elvis Hoxha
    • Problemi për të cilin nuk flet njeri: Mungesa e frymës së Shtetit

      Problemi për të cilin nuk flet njeri: Mungesa e frymës së Shtetit 0

    Të tjera