Kthehu lart

Marsi i Jasharajve dhe Haradinajve

Marsi i Jasharajve dhe Haradinajve Autori: Arianit Koci GazetaExpress

Sa herë vjen marsi, nuk më shqitet prej mendve sakrifica sublime dhe heroizmi i Jasharajve. Guximi dhe trimëria e komandantit legjendar Adem Jashari. Nuk më shqitet prej mendve sakrifica e Haradinajve në krye me heroin Ramush Haradinaj. S’ka si të mos më kujtohet sakrifica e të gjithë dëshmorëve por edhe sakrifica e gjithë kosovarëve për liri. Ata na kthyen dinjitetin dhe hapën shtegun për lirinë tonë. S’ka si mos të më kujtohet heroizmi i Sami Lushtakut, Sylejman Selimit, Daut Haradinaj dhe shumë të tjerëve.

1.

E konsideroj vetën kosmopolit, dhe mendoj që vlera më e madhe e një shteti është laramania kombëtare dhe fetare. 

Në të njëjtën kohë, patriotizmi folklorik dhe ai romantik, më duken anakronik dhe në kufi të primitivizmit.

Kosovën time nuk mund ta paramendoj etnikisht të pastër: Pa serb, malazez, boshnjak, rom dhe pakica tjera. Në fakt, nuk mund ta paramendoj Kosovën ku i shkelen të drejtat elementare të njeriut – kujtdoqoftë.
E po ja shkelim: Të tjerëve dhe vetës.

2
Sa herë vjen marsi, nuk më shqitet prej mendve sakrifica sublime dhe heroizmi i Jasharajve. Guximi dhe trimëria e komandantit legjendar Adem Jashari.
Nuk më shqitet prej mendve sakrifica e Haradinajve në krye me heroin Ramush Haradinaj.
S’ka si të mos më kujtohet sakrifica e të gjithë dëshmorëve por edhe sakrifica e gjithë kosovarëve për liri. Ata na kthyen dinjitetin dhe hapën shtegun për lirinë tonë.
S’ka si mos të më kujtohet heroizmi i Sami Lushtakut, Sylejman Selimit, Daut Haradinaj dhe shumë të tjerëve.

3.
Sa herë vjen marsi më kujtohen masakrat në Kosovë që i përlotën miliona njerëz: Masakra e Prekazit, e Reçakut, Izbicës, Rrëzallës, Dubravës, Krushës së Madhe, Rugovës së Hasit, masakra e Studimës dhe masakra të tjera.
Më kujtohen të dhunuarat.
Por më kujtohen edhe shqiptarët e vrarë nga shqiptarët, dhe serbët dhe pakicat tjera të vrarë nga kriminelët tanë.
Më kujtohet që viktimat dhe ne si shoqëri, ende nuk e kemi marrë satisfaksionin meritor, për të gjitha krimet që kanë ndodhë në Kosovë.

4.
Natyrisht, krimet nuk mund të barazohen. Pushteti gjenocidal i Millosheviqit ka kryer pakrahasimisht më shumë krime në Kosovë. E kriminelët e Millosheviqit ende nuk e kanë marrë dënimin e merituar. Së paku jo të gjithë.

5.
Marsi ma përkujton edhe momentin kur e gjithë bota demokratike u rreshtua në anën tonë, në anën e popullit i cili luftonte për lirinë e vet.
U rreshtuan në anën tonë se ne ishim viktima dhe ata ishim kriminel.
Por, mos të harrojmë, bota demokratike gjithmonë intervenon në anën e të drejtit.
Nuk guxojmë t’i bëjmë gabimet dhe krimet e disa serbëve - na kthehet si bumerang.

6.
Por, gjithashtu kur vjen marsi, nuk mundem pa i kujtuar dështimet tona si shoqëri. Nuk po e ndërtojmë shtetin si duhet, dhe si e kemi ëndërruar me shekuj.
Nuk e vazhduam rrugën që na trasuam Jasharajt, Haradinajt dhe të tjerët.
Jemi keq si shtet dhe si shoqëri. Të vetmit në Ballkan nuk e kemi fituar liberalizimin e vizave, dhe kjo është një indikacion i qartë - për ata që kanë vesh për të dëgjuar.
Ngadalë po e humbim përkrahjen dhe simpatinë e miqve tanë ndërkombëtar.
Arsimi, ekonomia, mjekësia, gjyqësia janë në rënie të lirë. Po degradohemi si shoqëri -çdo ditë e më shumë.

Të gjithë jemi fajtor, por më së shumti politikanët që mendojnë vetëm për vete, e të cilët vet i kemi votuar, apo i kanë marrë postet me dredhi, keqpërdorim të votuesve dhe koalicione joparimore.

    Data: 04 Mars 2018 14:08
    Autori: Arianit Koci

    Të tjera