Kthehu lart

Manipulimi i qeverisë me rrezikun e rikthimit të vizave

Manipulimi i qeverisë me rrezikun e rikthimit të vizave Autori: Armand Shkullaku GazetaExpress

Për turpin tonë, se individë me rekorde kriminale, të përfshirë të trafik droge, prostitucioni e deri në vrasje në vende të BE, kryeministri shqiptar i ftoi të bëheshin pjesë e Rilindjes

Një raport i policisë dhe prokurorisë holandeze ka nxjerrë në pah edhe njëherë cektësinë e kulturës së manipulimit, me të cilën qeveria shqiptare është mësuar të përcjellë çdo kritikë apo fenomen negativ që lidhet me të. Ajo e ka trajtuar këtë raport serioz mbi krimin e organizuar shqiptar që vepron në Holandë, por rrënjët i ka në Shqipëri, njësoj siç ka vepruar sa herë është vënë nën akuzë përballë fakteve, duke i mohuar, shtrembëruar dhe faturuar kazanit mediatik, gojëve të liga, frontit të së keqes… pra duke mos marrë në asnjë rast të vetëm përgjegjësinë që i takon.

Autoritet e sigurisë në Holandë, i kanë propozuar qeverisë atje, rishikimin e lëvizjes së lirë për shqiptarët, pasi të dhënat dhe informacionet që ato disponojnë, tregojnë për një etablim serioz të krimit të organizuar shqipfolës në këtë vend.

Reagimi i parë zyrtar i qeverisë ishte mohimi i këtij raporti duke e cilësuar atë artikull të parëndësishëm të një gazete. Njëkohësisht, mediat pranë qeverisë nxituan ta minimizojnë atë, të shpjegojnë se nuk është qeveria e Holandës por vetëm policia që e kërkonte vendosjen e vizave për shqiptarët, se vizat nuk mund të vendosen aq lehtë edhe nëse Holanda e ndërmerr këtë hap etj. etj. Në asnjë moment, askush nuk u mor me raportin në fjalë, por i gjithë angazhimi shkoi për të gjetur mënyrat për ta kapërcyer atë.
Është e vërtetë se një raport i tillë nuk çon në rikthimin e vizave për shqiptarët. Madje edhe nëse vetë qeveria holandeze ia kërkon zyrtarisht BE, procedurat për të shkuar drejt një akti të tillë janë tepër të vështira dhe të ndërlikuara. Por kjo nuk do të thotë se problemi nuk ekziston apo se ai mund të fshihet duke mohuar raportin apo relativizuar atë.
Një qeveri e përgjegjshme do të duhej patjetër ta trajtonte me seriozitetin më të madh faktin që autoritetet e sigurisë së një vendi të BE shkojnë deri në këtë kërkesë ekstreme. Pavarësisht gjasave që ajo ka për t’u bërë realitet, nëse në BE shtohen zërat se Shqipëria po shndërrohet në një vend problematik sa i takon krimit të organizuar dhe posaçërisht trafikut të drogës, padyshim që kjo do të ndikojë në nisjen e negociatave për anëtarësim dhe një ditë, nëse asgjë nuk ndryshon, edhe për ndalimin e lëvizjes së lirë.
Qeveria shqiptare nuk mund ta kalojë një kërcënim të tillë për të gjithë shqiptarët si një trill mediatik apo çështje e brendshme e Holandës. Fatkeqësisht janë të shumta shtetet që po e ngrenë këtë alarm si një problem që buron nga vendi ynë dhe po shndërrohet në rrezik për vendet e tyre. Shërbimet e vendeve fqinje si Italia dhe Greqia, prej dy-tri viteve janë tepër të shqetësuara për drogën që po pushton tregun e tyre kriminal. Në Tiranë kanë zbarkuar autoritete të rëndësishme për të kërkuar bashkëpunim kundër strukturave mafioze shqiptare që janë lidhur fuqishëm me organizata kriminale të njohura. Agjencia Kombëtare e Krimit në Britani hartoi një tjetër raport investigativ ku tregohej se tregtia e drogave të forta kontrollohej nga rrjete shqiptare të krimit. Të njëjtat sinjale alarmi kanë ardhur edhe nga Uashingtoni.
Në një situatë të tillë, Tirana zyrtare do të duhej në radhë të parë të pranonte pjesën e saj të përgjegjësisë dhe t’u tregonte shqiptarëve se çfarë masash do të ndërmarrë për të mos rrezikuar të ardhmen e tyre. Mirëpo filozofia e Rilindjes, sipas të cilës fajin e kanë gjithnjë të tjerët, është vënë në përdorim edhe në këtë rast. Dhe kjo është shenja më e keqe se po shkohet me shpejtësi jo vetëm në vështirësimin e lëvizjes së lirë (tashmë një realitet), por edhe në kërcënimin serioz të saj.
Sepse, siç shkruante dje gazetari Agustin Palokaj, i vendosur prej vitesh në Bruksel dhe njohës i mirë i politikave europiane, kur krimi i organizuar është i lidhur me strukturat politike, ai mund të bëhet një prej shkaqeve për rivendosjen e vizave për Shqipërinë. Këtu qëndron edhe përgjegjësia e qeverisë shqiptare dhe prej këtu buron përpjekja manipulative për të fshehur të vërtetat. Për të shmangur implikimin dhe paaftësinë e saj, qeveria e shndërron një problem real në një lojë propagandistike dhe e zhvendos atë nga vetja tek mediat e huaja apo “armiqtë” e brendshëm.
Por sigurisht që autoritetet e sigurisë së shumë vendeve perëndimore e dinë ku fillon dhe mbaron përgjegjësia e palës shqiptare. Është e qartë se tonelatat e cannabisit që mbuluan Europën nuk ranë papritur nga qielli në tokën pjellore shqiptare. Ato janë produkt direkt i bashkëpunimit të organizatave kriminale me segmente të policisë dhe politikës. Ato u mbollën, u vaditën, u korrën e u transportuan me bekimin e tyre. Shërbimi britanik, pas një investigimi të detajuar, ka provuar se edhe drogat e rënda futen nga Amerika e Jugut në Shqipëri e prej këtu drejt tregut perëndimor dhe kjo nuk mund të ndodhë nëse struktura shtetërore nuk janë të implikuara. E po kështu janë të shumta provat dhe informacionet se si paratë e drogës rifuten në Shqipëri, qarkullojnë në industrinë e ndërtimit, në pronat e paluajtshme, në restorante e biznese të tjera dhe qeveria shqiptare e toleron një gjë të tillë. Siç dihet tashmë gjithashtu, për turpin tonë, se individë me rekorde kriminale, të përfshirë të trafik droge, prostitucioni e deri në vrasje në vende të BE, kryeministri shqiptar i ftoi të bëheshin pjesë e Rilindjes, pra e strukturave politike për të cilat flet Palokaj.
Pasojat e një politike të tillë kanë nisur të ndihen që tani. Shqiptarëve u kërkohen shumë më tepër elemente të sigurisë kur udhëtojnë, se sa përpara disa viteve. Mjaft prej tyre janë kthyer mbrapsht kohët e fundit, ndonëse kanë qenë qytetarë të rregullt dhe i plotësonin kriteret e lëvizjes së lirë brenda hapësirës Shengen. Kontrollet për ta janë më të imtësishme dhe policët kufitarë marrin tjetër pamje sapo shohin pasaportën shqiptare. Në aeroportin e Londrës është bërë e zakonshme prania e një qeni të specializuar për nuhatjen e parave, që përshëndet pasagjerët që udhëtojnë drejt Shqipërisë.
Mjafton edhe kaq që qeveria të lëvizë në emër të qytetarëve të saj, në vend që të konsumojë energjitë për të fshehur të vërtetën dhe për të manipuluar një realitet që të gjithë po e ndeshim përditë.

/Mapo.al

    Data: 24 Gusht 2017 11:33
    Autori: Armand Shkullaku
    • Urgjenca morale për shëndetin mendor

      Urgjenca morale për shëndetin mendor 0

    Të tjera

    • Reflektime nga renia e Murit të Berlinit

      Reflektime nga renia e Murit të Berlinit 0

    • Pesha e kryqit tonë medial

      Pesha e kryqit tonë medial 0