Kthehu lart

Le t’ia përsëritim pyetjen kryeministrit

Le t’ia përsëritim pyetjen kryeministrit Autori: Arben Idrizi GazetaExpress

Gazetarët (një pjesë e caktuar e tyre) mund të jenë të pashkollë, por gazetarja ishte me shkollë dhe pyetja e saj meritonte përgjigje me shkollë. Bile, ajo ishte pyetja që e kishim ndërmend të gjithë, gazetarë e jo gazetarë, politikanë e jo politikanë, të shkolluar e të pashkolluar. Sepse është një pikëpyetje fundamentale për zhvillimet e ardhshme në vend. Ngase nga zgjidhja ose jo e atij problemi varet pastaj edhe vetë jetëgjatësia e qeverisë së re

Ndonjëherë të vërtetat e thëna nuk janë të shënjestruara drejt.

Kështu e pashë reagimin aspak të urtë të kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinajt, ndaj pyetjes së gazetares përkitazi me qëndrimin e ambasadës amerikane në Prishtinë rreth demarkacionit me Malin e Zi. Ajo që ai tha mund të ketë të bëjë me një grup të caktuar, të cilin ne e njohim ose s’e njohim, por nuk ka të bëjë me të gjithë gazetarët në vend. Sidoqoftë, nuk ishte rasti për ta thënë atë, as nuk është i thirrur kryeministri i sapo emëruar të bëjë vlerësime të tilla. Nuk ka të bëjë, në rastin konkret, aspak me gazetaren, e cila në përgjithësi mund të jetë e re në profesionin e saj (ne s’e dimë potencialin e saj intelektual, s’e di as kryeministri), por në pyetjen e parashtruar kryeministrit ajo është plotësisht e saktë dhe profesionale. Pra, gazetarët (një pjesë e caktuar e tyre) mund të jenë të pashkollë, por gazetarja ishte me shkollë dhe pyetja e saj meritonte përgjigje me shkollë. Bile, ajo ishte pyetja që e kishin ndërmend të gjithë, qysh prej se ai e shkarkoi komisionin e mëparshëm për demarkimin e kufirit, e kishin ndërmend gazetarë e jo gazetarë, politikanë e jo politikanë, të shkolluar e të pashkolluar, pra të gjithë qytetarët të cilët i shqetëson e ardhmja e këtij vendi. Sepse është një pikëpyetje fundamentale për zhvillimet e ardhshme në vend. Ngase nga zgjidhja ose jo e atij problemi varet pastaj edhe vetë jetëgjatësia e qeverisë së re. Për më tepër, ajo është një pyetje që detyrimisht do ta parashtrojmë kohë të gjatë, derisa të ketë një përgjigje, pra derisa problemi të marrë një zgjidhje. Ne e dimë se kryeministri e di përgjigjen. Kryeministri e di se ne e dimë përgjigjen. Por, “loja” është kështu. Duhet të ketë pyetje dhe rrjedhimisht duhet të ketë përgjigje. Nuk mund t’i shmanget.

Kështu, në këtë rrjedhë logjike, i pashkollë del të jetë vetëm kryeministri dhe të tijtë. Natyrisht, ne e dimë se ai është i pashkollë. Jo vetëm ai. Tutje, ai jo vetëm që është i pashkollë, por është edhe i dëmshëm, jo me aq injorancën sa me mbrapshtinë, që është vetia e tij esenciale. Mirëpo, ne vetë e kemi zgjedhur të na çojë drejt greminës që e ka hapur ai vetë me shokët e vet tashmë tetëmbëdhjetë vite, andaj duhet të vazhdojmë tutje me përgjegjësitë që na takojnë.

Pse është i pashkollë (jodiplomat, pa shkathtësi politike)?

Ndër të tjera, për shembull, sepse ishte duke e djegur vendin gjoja se kundër demarkacionit dhe Asociacionit (në të vërtetë, në kërkim të pushtetit), ndërsa tash, me të ardhur në pushtet, do të detyrohet nënshkruajë vetë po atë që e kishte kundërshtuar. Ose, në të kundërt, do ta përballë vendin me pakënaqësinë e vendeve mike. Çka do të ishte humbje mbi humbjet. Ose, në pamundësi të zgjidhjes së këtyre dy problemeve të trashëguara nga qeverisja e mëparshme, për çka ai është fajtori kryesor, edhe ky mandat qeverisës do të kalojë në të njëjtën mënyrë, një mandat poshtërsie, ku ata që dje kundërshtonin, sot pranojnë, ata që dje pranonin, sot kundërshtojnë.

Si mund të shënjestrohej drejt e vërteta?

Fare e thjeshtë.

Atë që pa të drejtë ia tha gazetares, mund t’ua thoshte, me plot të drejtë këshilltarëve të vet, sidomos atyre që aq me pasion i kishin pasur dikur profesionet e veta sa i lanë atë për t’u bërë peqe-lepe të një politikani bandit. Në këtë rast, a nuk do të kishte të drejtë?

Dua të them gjithsesi se të shumtë, në pothuajse mbarë rruzullin tokësor, janë politikanët (banditë, kriminelë, palaço, budallenj) që i urrejnë, përçmojnë, i konsiderojnë armiq dhe i vrasin gazetarët. Kanë qenë dhe do të jenë. Haradinaj (e shokët e tij në Kosovë), është vetëm njëri nga ta.

Në fund, le t’i përsëritim pyetjet që na shqetësojnë.

Është me interesin e përbashkët ta dimë çfarë qëndrimi do të mbajë tash kryeministri i Kosovës, pas reagimit të ambasadës së ShBA-së. Çfarë do të bëjë në rast se Mali i Zi nuk pranon version tjetër të demarkimit? A do ta themelojë Asociacionin, të cilin e kishte kundërshtuar?

    Data: 13 Shtator 2017 16:52
    Autori: Arben Idrizi
    • Urgjenca morale për shëndetin mendor

      Urgjenca morale për shëndetin mendor 0

    Të tjera

    • Reflektime nga renia e Murit të Berlinit

      Reflektime nga renia e Murit të Berlinit 0

    • Pesha e kryqit tonë medial

      Pesha e kryqit tonë medial 0