Kthehu lart

Kryeministri përballë shansit historik dhe veprimeve histerike

Kryeministri përballë shansit historik dhe veprimeve histerike Autori: Arianit Koci GazetaExpress

Nëse nuk ratifikohet demarkacioni mund të ketë veprime histerike, qoftë nga ana e ndërkombëtarëve, apo nga ana e qytetarëve

1.

Më duhet ta pranoj që në fillim: nuk e di se cili version i demarkacionit është i saktë. Në fakt, as që dua ta di. Sidoqoftë, deri më tani, versioni i parë më duket më i besueshmi për faktin se asnjë rugovas apo anëtar i komisionit "Haradinaj" nuk më bind me prova shkresore, që ne po humbim tokë. Mund edhe të jem gabim! Por, pas kërkesave dhe lutjeve të SHBA-së, BE-së dhe NATO-s, e di saktësisht se cili version është më oportun, e rrjedhimisht edhe më i mirë dhe më i saktë! Por, t’ia nisim prej fillimit. 

Vija kufitare në versionin primar, ka marrë mbështetjen politike të presidentit amerikan, Barack Obama. “Nënshkrimi i marrëveshjes historike për demarkacionin e kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, më 26 gusht, demonstroi edhe më tutje përcaktimin e Kosovës për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe vendosmërinë tuaj, që çështjet rajonale të adresohen në frymën e dialogut dhe bashkëpunimit”, ka thënë Presidenti amerikan, Barack Obama, në vitin 2015. Të njëjtin mesazh e solli me rastin e vizitës në Kosovë edhe sekretari i atëhershëm amerikan i shtetit, John Kerry. Unison me këtë qëndrim, në shtator të vitit 2017, ishte edhe zëvendëspresidenti i tanishëm amerikan, Mike Pence. Departamenti Amerikan i Shtetit dërgoi mesazh me intonacion dhe dinamikë të njëjtë politike. Edhe prej BE-së kanë ardhur shumë mesazhe në frymën e njëjtë: të ratifikohet sa më shpejt demarkacioni, dhe Kosova nuk po humb territor. Të gjithë aktorët kryesorë perëndimorë, që më shumë se dy vjet, në konsonancë dhe në kreshendo të vazhdueshme, po kërkojnë me ngulm ratifikimin e demarkacionit. 

2.

Shumica prej nesh e ka përjetuar luftën e fundit në formën më të keqe të mundshme. Lirinë e fituam me heroizmin dhe sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, luftën e pashoq të vëllezërve Haradinaj, në krye më heroin e gjallë Ramush Haradinaj, heronjve të tjerë si Agim Ramadani, Zahir Pajaziti, Fehmi e Xhevë Lladrovci dhe shumë të tjerë. Por, është fakt i pamohueshëm se këtë luftë e fituam, së pari falë ndihmës që na e kanë dhënë aleatët tanë ndërkombëtarë, në krye me SHBA-në. Ju kemi borxh sa të jemi gjallë!

3.

Lirisht mund të themi se gjenerata jonë e ka pasur fatkeqësinë por edhe fatin historik. Derisa në njërën anë, fëmijërinë dhe rininë e kaluam në protesta, persekutime dhe trauma të ndryshme, u shkolluam në shtëpia dhe shumë u detyruan të migronin, në anën tjetër kemi pasur fatin të jemi akterë të ngjarjes më të madhe që mund t’i ndodhë një kombi: krijimin e shtetit. Aleanca me Amerikën është moment historik, i cili e përcaktoi kahen dhe formën e lirisë tonë. Por kush është në anën tjetër të kufirit? 

4.

Qeveria e Malit të Zi, më 9 tetor 2008, është ndër të parat që e ka njohur shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Ishte koha kur faktori pro-serb ishte shumë i fuqishëm dhe klima politike ishte krejtësisht në disfavor të pavarësisë së Kosovës. Sipas kryeministrit të Malit të Zi, 85% të popullatës malaziase ishte kundër njohjes së Kosovës. Si ilustrim për këtë e theksoj faktin se lideri opozitar në Mal të Zi, Nebojsha Medojeviq, në maj të vitit 2017, i bëri thirrje qeverisë ta tërheqë njohjen e pavarësisë së Kosovës, pasi Kosova shtyu votimin e Marrëveshjes për Demarkacionin. Me gjitha tensionet e brendshme, qeveria e Malit të Zi, e udhëhequr nga dyshja politike Gjukanoviq-Markoviq, vazhdoi t’i kultivojë raportet e mira me neve, dhe marrëdhëniet bilaterale tona vlerësohen si një shembull i bashkëpunimit ndërshtetëror, që shkon përtej konceptit të thjeshtë të “fqinjësisë së mirë”.

5.

Kryeministri Haradinaj e ka shansin historik që aleancën me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n, ta forcojë edhe më shumë. Natyrisht, frymës së fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit ndërshtetëror mund t’i kontribuojë shumë edhe njëri prej politikanëve më të ndershëm dhe më lucid në Ballkan, kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq. Në fakt, edhe kryeministri Markoviq e ka një rast historik që tensionet në Ballkan definitivisht t’i qetësojë. Njëherësh, në bashkëveprim me shtetin e Malit të Zi, do të mund t’i ofrojmë komunitetit shqiptar pakicë atje mbështetjen politike, institucionale dhe shoqërore aq të nevojshme.

6.

Ratifikimi i Demarkacionit është kusht i patejkalueshëm për liberalizimin e vizave. E momentalisht, lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës është e arritura më e rëndësishme pas pavarësimit të Kosovës.

7.

Kryeministrat respektivë të Malit të Zi dhe të Kosovës e kanë shansin historik që raportet e mira ndërshtetërore, t’i forcojnë edhe më shumë. Kur ka vullnet, dhe palët veprojnë me mirëbesim, zgjidhja mund të gjendet. Prandaj, besoj që versioni më i mirë do të ishte që Demarkacioni të ratifikohet në Parlamentin tonë, dhe pastaj në frymën e fqinjësisë së mirë, të korrigjohen të gjitha pikat kontestuese. Madje, mund të gjendet ndonjë formë e ratifikimit të kushtëzuar, ku palët do të obligoheshin që në rast se sigurohen prova dhe dokumente tjera, të korrigjohet vija kufitare me pajtim të të dyja shteteve, siç parashihet në nenin 7 të Marrëveshjes. Për këtë e kemi edhe përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare.

8.

Ramush, e ke shansin historik që ta gjesh formulën për liberalizimin e vizave. Për këtë, padyshim se do të ngrihesh në piedestalin politik, aty ku je si çlirimtar dhe hero i vendit tonë. Por, mos harro, se shansi historik po të lëshohet, kthehet në përgjegjësi historike.

    Data: 05 Shkurt 2018 15:16
    Autori: Arianit Koci

    Të tjera