Kthehu lart

Kosova ndien presionin e Rusisë nëpërmjet Serbisë

Kosova ndien presionin e Rusisë nëpërmjet Serbisë Autori: Enver Hoxhaj GazetaExpress E enjte, 13 Prill 2017 21:10

Për shekuj me radhë, forcat e errëta të historisë e kanë parë Ballkanin si rajon të përshtatshëm fuqie për t’i shpalosur planet e mëdha për dominim dhe kompeticion. Tashmë, pas dy dekadave të stabilitetit dhe perspektivës për një të ardhme të begatshme, Serbia sërish po i kthehet zakonit të vjetër – përpjekjes për hegjemoni rajonale. Këtë është duke e bërë përmes destabilizimit të Ballkanit, duke zgjeruar ushtrinë e saj, dhe duke bërë përpjekjeve për dominim ekonomik përmes një tregu rajonal të përbashkët që Kosova e sheh të papranueshëm dhe e kundërshton fuqishëm – të gjitha këto me përkrahjen e Rusisë.

Është e qartë se Rusia po e përdor Serbinë jo vetëm për të rikthyer ndikimin në Ballkan, por, edhe për të ju hakmarrur NATO’s, Shteteve të Bashkuara dhe Perëndimit me plane për ri-vendosjen e dominimit të humbur në rajon, që nga shembja e perandorisë sovjetike.

Serbia ende nuk e ka njohur pavarësinë që Kosova fitoi një dekadë më parë si rezultat i një lufte çlirimtare, të mbështetur nga NATO-ja në vitin 1999, për ta evituar katastrofën gjenocidale të mbështetur nga lideri despotik i Serbisë në atë kohë, Sllobodan Millosheviq.

Tani, në zgjedhjet e tyre presidenciale më 2 Prill, serbët jo vetëm që kanë ngritur një qeveri nacionaliste që vazhdon ta kundërshtojë pavarësinë e Kosovës; por ata kanë siguruar një fitore për të cilën Rusia ka pasur nevojë, e që e cila vetëm pak ditë më parë kishte autorizuar një ngarkesë të re të avionëve luftarakë dhe tankesh luftimi për Serbinë, siç duket për ta ndihmuar atë për të ri-marrë fuqi në Ballkan.

Presidenti i ri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka bërë fushatë nga ish-posti i tij si Kryeministër mbi premisën e rreme se ai vetëm dëshiron që Serbia të hyjë në Bashkimin Evropian dhe të jetë një fqinj i mirë për të gjithë. Kjo është plotësisht e pavërtetë. Përderisa Serbia ka hapur bisedimet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian, ajo që e dimë dhe shohim është një Serbi që dita ditës po largohet nga parimet thelbësore demokratike të Evropës. Afrimi i Serbisë me Rusinë tregon në mënyrë të qartë një dëshirë të Serbisë, por jo për afrim me Bashkimin Evropian, mirëpo për dominim të Ballkanit në stilin rus – të arritur nga nxitja e vazhdueshme e jostabilitetit nga ana e saj, në mënyrë që ta pretendojë fuqinë në emër të rivendosjes së stabilitetit.

Në këtë vazhdimësi, mund të presim që Serbia nën patronatin e Rusisë, të krijojë një sferë ndikimi duke nxitur veprime të minoritetit serb në Bosnjë dhe Hercegovinë, në Kosovë, Mal të Zi, dhe në një masë edhe në Kroaci e Maqedoni – duke bërë që këto shtete të dobësohen që më pas t’i dominojë, ndërkohë që vazhdon të kërkojë hyrjen në BE, pikërisht tani kur Bashkimi Evropian është i preokupuar me sfidat e tij të brendshme dhe vetë rendi ndërkombëtar është i ekspozuar ndaj pasigurive të shumta.

Përderisa Kosova është objektiv i Serbisë sepse përfaqëson lirinë nga pushtimi serb, ajo është gjithashtu një kujtim poshtërues për Rusinë, i ditës kur në fund të luftës së vitit 1999, forcat e saj u përpoqën ta pushtonin Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, për t’u ballafaquar dhe më pas larguar nga forcat e NATO-së. Përpjekjet e saj për të kontrolluar një sektor të tërë të Kosovës, po ashtu, u shmangën, dhe NATO sot e kësaj dite e mbron Kosovën.

Strategjia e Serbisë kundër Kosovës është që të përdorë minoritetin serb në Kosovë për t’i kundërshtuar institucionet dhe të provokojë tensione. Taktikat shtrihen nga fushatat dezinformuese, tek përpjekja për të arrestuar apo ekstraduar shtetasit e Kosovës dhe liderët politik, dhe tentimi për të dërguar një tren brenda Kosovës të veshur me fjalinë “Kosova është Serbi”. Kur Kosova ndaloi atë tren, Serbia kërcënoi të dërgojë ushtrinë e saj në Kosovë.

Serbia financon agjenci paralele, ilegale, për t’u shërbyer serbëve në territorin e Kosovës, duke e dëmtuar kështu sovranitetin e brendshëm dhe integrimin e serbëve të Kosovës. Ky vend përdor vizitat zyrtare në Kosovë për të bërë propagandë  dhe për të shpërndarë armiqësi ndër-etnike. E ndërtoi një mur në Mitrovicë, për ta ndarë fizikisht qytetin verior shumë-etnik në vija etnike; barriera e ndërtuar u hoq në fund me insistimin e Qeverisë së Kosovës.

Veprime të ngjashme provokuese, të mbështetura nga Rusia, janë ndërmarrë gjithashtu në Bosnje dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi, ky i fundit është ballafaquar edhe me një grusht shtet të dështuar i cili do t’i trondiste institucionet demokratike shtetërore, si dhe do t’i pamundësonte Malit të Zi anëtarësimin në NATO, proces në të cilin tashmë është.

Zhvillimi më shqetësues në Serbi është militarizimi i shpejtë i Serbisë nga Rusia me sistem ajror të mbrojtjes dhe mjete të tjera të sofistikuara ushtarake. Zgjerimi ushtarak i Serbisë shërben si mjet kërcënues për vendet fqinje përderisa Rusia shtrinë ndikimin e saj në rajon.

Këto lojëra të rrezikshme gjeopolitike vijnë në një kohë kur popujt e Ballkanit duhet të jenë në rrugën e stabilitetit dhe progresit. Në vend të kësaj, Serbia po bllokon këtë rrugë. Gjatë takimit të Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor muajin e kaluar në Sarajevë, është propozuar një treg i përbashkët në Ballkan. Por, integrimi ekonomik rajonal nuk do ishte i mundshëm përderisa Serbia dhe Bosnja e Hercegovina nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe pjesëmarrjen dhe përfaqësimin e saj të barabartë në të gjitha trupat rajonale.

Pra, politika agresive e Serbisë fundamentalisht devijon prej ndonjë angazhimi të sinqertë për t’i normalizuar marrëdhëniet me Kosovën. Ata punojnë kundër integrimit Evropian dhe paraqesin rrezik për sigurinë e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Pse është kthyer Serbia tek sjellja e saj konfrontuese dhe jo-konstruktive? Përveç bashkëpunimit me Rusinë, Serbia kurrë nuk është ballafaquar në mënyrë të duhur me të kaluarën gjenocidale të saj. Serbia vazhdon të mbetet pa vullnet për t’u ballafaquar me krimet e luftës së epokës së regjimit Millosheviqit, regjim me të cilin ishin të përfshirë shumë prej udhëheqëseve të tashëm nacionalistë të Serbisë. Mohimi i përgjegjësisë për krimet e luftës në Kosovë vetëm sa e vërteton kulturën e mos-ndëshkimit, gjë e cila e inkurajon Serbinë të rrisë fuqinë ushtarake, të sfidojnë rrugën e integrimit evropian, dhe të përmbushë rolin e vet si vegël e Rusisë në rajon.

Siguria në rajon nuk mund të garantohet duke shtuar forcat ushtarake dhe duke vënë shtete në grackë. Siguria mund të garantohet vetëm nga një përkushtim i përbashkët për integrimin euro-atlantik, paqe dhe demokraci.

Është e rëndësishme, pra, që të gjithë ta shohin Serbinë siç është në realitet, e jo siç pretendon të jetë. Është me rëndësi ta shohim përdorimin që po i bën Rusia Serbisë në skemën e saj të madhe për të rifituar fuqi. Provokimet e këtyre dy shteteve ndaj rajonit nuk mund të minimizohen e as të injorohen. Këto veprime përbëjnë rrezikun më serioz, jo vetëm ndaj rajonit, por edhe ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.

Përkundër këtyre kërcënimeve, Kosova mbetet e përkushtuar për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo është mënyra më e mirë për ta promovuar bashkëpunimin – dy shtete sovrane në rrugën drejt integrimit euro-atlantik dhe përmirësimit të jetës së popujve të tyre.

Megjithatë, Serbia vazhdon me ambiciet për zgjerim jashtë kufijve të saj dhe komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë i përgatitur për t’i ndërmarrë masat e nevojshme për ta garantuar paqen dhe stabilitetin në rajon. Rusia jo vetëm që i përkrahë ambiciet e Serbisë, por edhe i shtyn përpara drejt realizimit. Rusia kurrë nuk ka qenë e mirëseardhur si ndërmjetës në Ballkan.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë investuar në promovimin e demokracisë, rindërtimit të marrëdhënieve dhe sigurisë njerëzore, derisa Rusia investon në promovimin e autoritarizmit, shkatërrimit dhe pasigurisë. Është detyrë, pra, e Shteteve të Bashkuara, e Bashkimit Evropian dhe e NATO-së që t’i zbatojnë të gjitha masat e nevojshme paqësore dhe parandaluese për garantimin e sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan. Prezenca e vazhdueshme e NATO-së në Kosovë nuk është kyçe vetëm për Kosovën, por për tërë rajonin.

Më të mirët e diplomacisë parandaluese në botën demokratike duhet të angazhohen për të siguruar që Ballkani ta kalojë edhe kilometrin e fundit drejt arritjes së paqes dhe parandalimit të një fitoreje për forcat më të errëta të rajonit.

(Autori është Ministër i Punëve të Jashtme i Kosovës. Ky shkrim është botuar në New York Times)

    Data: 13 Prill 2017 21:10
    Autori: Enver Hoxhaj
    • Nga financa në Elysee. “Alieni” ndihet që tani fitimtar 0

    Të tjera

    • I krijuar si shembëlltyrë e njeriut 0

    • Erdogani i mori të gjitha 0