Kthehu lart

Kiç-historia: Të pandodhurat e memorizuara

Kiç-historia: Të pandodhurat e memorizuara  Autori: Ibrahim Berisha GazetaExpress

Keni një rrëfim, keni një mundësi për të bërë një botim, keni para, ju keni shansin të zgjidhni variantin e ngjarjeve dhe procesve përmes të cilave veten do ta vendosni atje ku u duhet, madje në majë a epiqendër. Asgjë nuk ka ndodhur dhe nuk ndodh pa ju dhe jashtë juve. Pra, jeni një bos entuziast i përhershëm dmth. relevant e ekskluziv. Ky është kiç-memorizimi i të pandodhurave, të cilat edhe mund të bëhen histori e vërtetë shkollore!

Gjenerali francez, i cili njihet si njëri nga personalitetet kryesore të historisë së re evropiane, De Gol, ka botuar dy vëllime me kujtime. Në parathënien e botimit të parë ka shkruar se “secili njeri ka një dëshmi…”. Andaj secili njeri, kuptohet ka mundësinë të bëjë një dorëshkrim me kujtime, natyrisht nëse mund t’i qes rrjedhshëm mendimet në letër, por kurrë nuk do të thotë se ato kujtime janë e vërteta e plotë për ngjarjen dhe se vetë rrëfimtari është protagonisti i duhur.

Në vitet ’60-të të shekullit të kaluar, mbajtja e ditarëve dhe botimi i memoareve konsiderohej formë tipike e kiçit, njësoj sikur edhe shkuarja në pushime në Greqi dhe mbajtja e cilindrit nga gratë. Botimi i dorëshkrimeve me kujtime kurioze është ngjarje kulturore, por pa këto elemente kurioze, duket më tepër si një thirrje për t’u dëgjuar. 

Duket një ambicie e zakonshme që pas çdo ngjarjeje të madhe, e cila  ka nisur, vazhdon apo pretendon të lë qoftë edhe një shenjë reale, në opinionin lokal paraqiten protagonistët e njëmendtë dhe protagonistët që kanë dashur të jenë të njëmendtë në një  realitet, i cili më nuk ekziston, por projektohet si i ekzistuar subjektiv. Pretendohet përmes identifikimit me një proviniencë “të fortë”, rrëfimi që do të forcojë  vetëdijen kolektive. Si model rrëfimi më së shpeshti shërben epika ekskluzive, duke dhënë edhe shenja përjashtimi për gjithë të tjerët, që nuk janë lojal të identifikimit me këtë rrëfim dhe protagonistët e tij.

Është andaj e natyrshme për opinionin shqiptar vërshimi i evokimeve, dorëshkrimeve dhe dëshmive, shkrimeve, intervistave, vetintervistave etj., të cilat inkorporojnë në mënyrë mekanike fragmente të rrëfimeve, të cilat qëndrojnë ndërmjet synimit mirëkuptues për të treguar diç, për të glorifikuar diç dhe tendencës nënçmuese për të krijuar  realitet iluzionisti të zgjatuar qoftë për veten-autorin qoftë për ngjarjen. Në të tilla rrëfimi mund të  vërehet se kujtimi kolektiv duket një shfaqje që mbetet në suazat e komunikimit personale.  Në të tilla rrëfime,  frika mbulohet me më pak apo me më shumë të vërteta subjektive, të cilat nuk mund t’i besojë protagonisti, as vetë subjekti rrëfyes si të vërteta të plota, ndërsa këtë pretendohet ta besojë publiku. Po në këtë rast kemi të bëjmë jo gjithaq me synimin për të thënë të vërteta, por për plotësimin e kërkesës së rrëfimtari-kryeprotoganistit për resprezantim dhe të vetëvetës për vetërrëfim. Ky zhanër memorizimesh është prezantimi i vetëvetes në të kaluarën për shërben për të funksionalizuar po vetëvetën në të tashmen, të  përditshmën, pra kemi të të bëjmë, si e thotës antropolgu  Erving Goffman, me “përformancë për publikun”. Por ky memorizim në këto njëzetë vjet në Kosovë është sponzoruar kryesisht nga ata që kanë pasur pushtet dhe para. Këta e kanë diktuar performancën protagoniste historike-publike, e njohur si kiç-histori ose  pandodhura e memorizuar.   

Pas historive të vogla a të mëdha, pasojnë fjalët dhe letrat. Protagonistët, qofshin ata dëshmitarë të drejtpërdrejtë të ngjarjeve, krijues apo vrojtues të tyre, kur dalin të komunikojnë me opinionin, ndërtojnë variantin më të vetëdëshirueshëm. Variantet e zgjedhura për “interperetim” në të tilla rrëfime pasohen me kronologjitë, të cilat e përjashtojnë mundësinë për të vërtetuar a dokumentuar dëshminë. Evokimi e përjashton edhe qasjen kritike, ngase nuk mund të përballojë kriterin e vërtetësisë dokumentare. Të tilla momorime me tepër përngjajnë në miksturë proverbash, legjendash, gojëdhanash dhe epizëm radikal, të cilët duan të formojnë kultin dhe mitin e rrëfimitarit apo  të protagonistit. Është e ditur se për të krijuar mitin fare nuk janë të nevojshme të vërtetat, faktet, argumentat, realet.

Jo rrallë në botimin e varianteve të zgjedhura të ngjarjeve dhe proceseve të këtyre decenieve të fundit, nuk plotësohet kriteri dokumentar dhe ai kritik, ai që është më themelori, në mënyrë që të bëhet një rrëfim i qëndrueshëm, mbase i besueshëm mund të jetë përkohësisht, dhe ato që thuhen,  përmes një hulumtimi të pavarur të mund të vërtetohen a dokumentohen secilën herë si të sakta. Kështu lexuesi shqiptar në këto vite të fundit ka lexuar shumë variante për një ngjarje, duke mos mundur asesi ta përcaktojë cilësinë dhe sasinë e së vërtetës.

E pavërteta publike ka një përvojë solide. Ka pasur  shumë histori të ideologjizuara, mashtrime, shpifje e glorifikime personazhesh, data të ndryshuara, krijim rrëfimtarësh, fshehje e prerje fotografish, retushime dhe dizajnime, falsifikime, “humbje” dokumetash e faktesh dhe jo pak madje edhe halucinacione. Rrëfimtarët në këto memorizime nuk paraqiten ata që ishin dhe ashtu siç ishin, me të mirat dhe të këqiat, por si figura perfekte, të pagabueshme dhe lucide. Në rrëfimet e instrumetuara fshehen të gjithë ngjarjet, proceset,  të cilat nuk i ndihmojnë ndërtimit të figurës krejtësisht reale të protagonistit me krejt shkëlqimin e bardhë. Edhe kur nuk ka një “kundërshtar” ai krijohet dhe ngjyroset me më të zezën. Bëhen amputime e konspiracioni duket sikur përcjell dramën memorizuese.

 Bie në sy, në jo pak paraqitje “publicistike” e “fejtonistike” nga protogonistë të niveleve më të ndryshme (prej liderëve e deri te truprojat), nuk ofrohen dokumenta, të cilat janë të vetmet dëshmues të vërtetë lidhur me një ngjarje a një personalitet. Dokumenti lë mundësinë që të përmbyten të gjitha variantet e zgjedhura të rrëfimtarëve, pavarësisht se në një periudhë krize të opinionit, ai kërkon pak të vërtetë.

Kur vërshojnë glorifikimet dhe kontrakturat e mistifikuese  personale, është e kutpueshme, se pason heshtja e qasjeve, shkrimeve dhe paraqitjeve të vërteta. Mbase kështu duket të jetë më mirë, qoftë edhe përkohësisht, për të mos shkatërruar iluzionin e të funksionuarit të paqes artificiale publike. Paraqitjet e tilla në të parë aksidentale, por në esencë sistematike, natyrisht që për një kohë jo të shkurtër, krijojnë konfuzionin e realitetit duke u zgjatuar dhe një ditë të hyjnë në libra shkollorë të historisë. Kjo lloj historie është në fakt, kulturë a adoptimit komod, e cila pajton ata që nuk e dinë dhe ata që nuk duan ta dinë të vërtetën.    

    Data: 04 Nentor 2017 10:29
    Autori: Ibrahim Berisha
    • Demokracia në rrezik

      Demokracia në rrezik 0

    Të tjera

    • Humori i zi për politikën e zezë

      Humori i zi për politikën e zezë 0

    • Një gjest në Bruksel, që nuk ndihmon!

      Një gjest në Bruksel, që nuk ndihmon! 0