Kthehu lart

Katandisja e neveritshme në sistem e lëvizjes “antisistem” Vetëvendosje

Katandisja e neveritshme në sistem e lëvizjes “antisistem” Vetëvendosje Autori: Ervis Iljazaj GazetaExpress

Kush beson ende që Lëvizja Vetëvendosje është një lëvizje që ka në qendër të saj luftën ndaj korrupsionit, luftën ndaj elitave, luftën ndaj sistemit politik, ja ku e ka e ka provën që kjo lëvizje dhe të gjitha lëvizjet e tjera antisistem përfundojnë në mënyrë të pashmangshme në regjime totalitare

Lëvizja Vetëvendosja në Kosovë, lindi si një lëvizje e cila synonte të mblidhte rreth saj të gjithë të pakënaqurit nga politika tradicionale kosovare ose me fjalë të tjera, për t’iu kundërvënë sistemit politik, që e akuzonte si elitë të korruptuar, të shitur dhe aspak patriote.

Pa hyrë në përmbajtje të kësaj retorike, Vetëvendosja ia arriti të mblidhte rreth saj një numër të madh votuesish, duke u kthyer kështu në një nga partitë kryesore të Kosovës.

Fakti që ende nuk është në pushtet është një lajm i mirë për Kosovën, pasi një lëvizje e tillë politike, dukshëm është në kundërshti të plotë me ndërkombëtarët dhe me kontekstin në të cilin zhvillohen ngjarjet rajonale dhe të brendshme të saj, e që bazohet në ideologjinë nacional-marksiste, vetëm sa do t’i sillte Kosovës dëme të mëdha politike, ekonomike dhe shoqërore.

Si shumë lëvizje të tjera populiste dhe antisistem, kudo që ato janë shfaqur, edhe lëvizja Vetëvendosje me zgjedhjet e fundit për kreun e saj, tregoi qartë se është katandisur në një lëvizje tipike të sistemit, me të gjitha defektet që ai mbart.

 Për më tepër, në një lëvizje tipike totalitare, rreziku që qartësisht vjen nga lëvizje të tilla. Sepse, të gjitha lëvizjet politike që janë kundër sistemit dhe që bazohen te populizmi, kur vijnë në pushtet instalojnë një regjim totalitar.

Kjo për arsye se, raporti që ekziston midis popullit dhe pushtetit, nuk është një raport që kalon nëpërmjet strukturave që garanton sistemi demokratik, por nëpërmjet lidhjes direkte dhe emocionale midis tij dhe liderit. Është pikërisht ky raport emocional, pothuajse patologjik, që ndërtohet në lëvizje të tilla, që vë në rrezik sistemin demokratik dhe krijon një regjim totalitar.

Një regjim të tillë, lëvizja Vetëvendosje, fatmirësisht nuk arriti ta ndërtonte në qeverisjen e Kosovës, por e krijoi atë brenda gjirit të saj. Rizgjedhja e Albin Kurtin në krye të saj dhe mënyra se si erdhi ajo, tregon më së miri këtë rrezik që i kanoset Kosovës nëse një ditë Vetëvendosja vjen në pushtet.

Së pari, Albin Kurti u largua disa kohë më parë, për t’u rikthyer në krye të saj. Largimin e justifikoi me një qëndrim prej “lideri demokratik”, për të dhënë mesazhin se ai është ndryshe nga politikanët e tjerë, jo i lidhur ngushtësisht me pushtetin. Mirëpo, koha tregoi krejtësisht të kundërtën. Dorëheqja prej lideri të “përgjegjshëm” ishte vetëm një skemë për t’u rikthyer përsëri, edhe më me shumë pushtet brenda asaj lëvizjeje.

Së dyti, tipikisht prej lideri totalitar, Albin Kurti në një mënyrë apo tjetër, me makinacionet e pushtetit dhe strukturave, arriti të eliminojë kundërshtarët e tij të brendshëm politik. Në këtë kuptim, lideri “demokratik” që nuk e kishte problem dorëheqjen, sapo kuptoi që nuk mund të rrinte dot larg pushtetit, dhe që partia po i rrëshqiste nga duart, aktivizoi forcën e tij për të arritur i vetëm në krye të saj. Pothuajse si një rast tipik që merret si shembull në teoritë e totalitarizmit, Albin Kurti, u zgjodh me 99 % të votave të anëtarësisë, dhe pa asnjë rival.

Së treti, pjesëmarrja e votuesve në nivele shumë të ulëta, tregon klimën në të cilën janë zhvilluar këto zgjedhje. Një klimë aspak demokratike dhe e qetë, por, në një tension konstant të krijuar nga dhuna ideologjike me të cilën Albin Kurti kërkon ta drejtojë këtë lëvizje.

Për të gjitha këto arsye, kush beson ende që Lëvizja Vetëvendosje është një lëvizje që ka në qendër të saj luftën ndaj korrupsionit, luftën ndaj elitave, luftën ndaj sistemit politik, ja ku e ka e ka provën që kjo lëvizje dhe të gjitha lëvizjet e tjera antisistem përfundojnë në mënyrë të pashmangshme në regjime totalitare.

/Mapo.al

    Data: 23 Janar 2018 10:57
    Autori: Ervis Iljazaj

    Të tjera