Kthehu lart

Jo, Nait. Faleminderit!

Jo, Nait. Faleminderit! Autori: Imer Mushkolaj GazetaExpress

Deputetë të caktuar po shfaqen të brengosur për mediat e gazetarët dhe po synojnë hartimin e një ligji të veçantë për ta. Por qëllimi është krejt tjetër - censurimi i tyre. Në Kosovë ekzistojnë ligje të mjaftueshme, institucione dhe trupa tjerë që rregullojnë këtë fushë. Nuk kanë faj mediat e gazetarët pse ligjet nuk zbatohen. Atyre nuk iu duhet asnjë ligj tjetër “dhuratë” nga Nait Hasani dhe kolegët e tij të komisionit parlamentar për media. Jo, faleminderit!

Deputetë të Kuvendit të Kosovës po duan që mediave t’ua “dhurojnë” një ligj me qëllimin, siç thonë, që t’i mbrojnë ato. Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media po synon që të hartojë ligj të veçantë “për t’i disciplinuar portalet”, por edhe gazetarët.

Iniciativa, në dukje të parë qëllimmirë, nuk është gjë tjetër veçse edhe një përpjekje për të vënë mediat nën kontroll, në situatën kur një sërë ligjesh të miratuara në Kuvendin e Kosovës sigurojnë rregullim të mjaftueshëm për këtë fushë. Është çëshje tjetër se sa ligjet - jo vetëm ato që rregullojnë punën e mediave dhe të gazetarëve - zbatohen në praktikë.

Nait Hasani, kryetar i komisionit përkatës parlamentar, ka deklaruar se mekanizmi ligjor ekzistues për mediat dhe gazetarët nuk është i mjaftueshëm, andaj një ligj i veçantë për mediat është i nevojshëm. Por, a është vërtet kështu?

Në Kosovë janë miratuar një numër i konsiderueshëm ligjesh që përbëjnë kornizën e nevojshme për funksionim normal të kësaj fushe. Po ashtu, për më shumë se një dekadë ekzistojnë mekanizma vetërregullues, që kontribuojnë në ndërtimin e mediave profesionale dhe etike.

Natyrisht, teknologjia ka mundësuar që numri i mediave online të rritet drastikisht, por kjo nuk është një arsye që të krijohet ndonjë ligj i veçantë. Problemet që mund t’i kenë mediat dhe gazetarët – e që nuk janë të pakta – mund të zgjidhen dhe rregullohen brenda kornizës ekzistuese ligjore. Nevojitet, pra, vetëm që ligjet të zbatohen si duhet në praktikë.

* * *

Nait Hasani e as anëtarët e tjerë të komisionit për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Media nuk e kanë të qartë se çfarë ligji duan. Ata përmendin portalet si problem, por paraprakisht nuk kanë diskuituar me askënd që përfaqëson mekanizmin vetërregullues për të parë se cilat janë problemet e vërteta dhe çfarë mund të bëhet për të përmirësuar gjendjen.

Është e vërtetë se mediat kanë probleme - që nga ato financiare, deri te ato etike. Siç është e vërtetë se edhe gazetarët përballen me sfida të shumta gjatë punës së tyre të përditshme.

Por, qasja që kanë zgjedhur disa deputetë “për t’i mbrojtur mediat dhe gazetarët” nuk është e duhura.

Ata së pari duhet të shohin qartë të gjitha ligjet ekzistuese që rregullojnë fushën e medias dhe të verifikojnë nëse ka nevojë për plotësime dhe amandamentime. Mund të ketë. Dhe ka. Por është e papranueshme që, për shkak të problemeve të mëdha në sundimin e ligjit, zgjidhja të kërkohet tek një ligj i ri që nuk do të zgjidhë gjë, përkundrazi, do të vështirësojë punën e mediave edhe më shumë.

Deputetë që mbështesin këtë iniciativë kanë keqpërdorur foltoren e Kuvendit për të sharë e fyer media e gazetarë, për t’i linçuar ata, për të qëruar hesape verbalisht me ta pa frikë se mund t’i “kapin” ligjet e miratuara nga vetë ata.

Përndryshe nuk është hera e parë që politika provon t’i “disciplinojë” mediat. Dy herë, në dy mandate të ndryshme, Ministria e Drejtësisë ka provuar që t’i bëjë pjesë të kodit penal shpifjen dhe fyerjen, vepra këto të dekriminalizuara tashmë. Kjo është përpjekja e tretë që, në emër të rregullimit dhe mbrojtjes së mediave dhe gazetarëve, të provohet t’iu mbyllet goja atyre.

* * *

Është keqkuptim se mediat mund të publikojnë gjithçka, pa pasur frikë se mund të ndëshkohen. Nuk është e vërtetë se gazetarët mund të bëjnë gjithçka dhe nuk mund t’i ndëshkojë askush. Kuvendi i Kosovës ka miratuar lige të mjaftueshme dhe sipas praktikave më të mira të vendeve të Bashkimit Europian për këtë çëshje.

Në vend se të ndërmarrin nisma për ligje të reja, deputetët është mirë që të bëjnë thirrje dhe presion që të zbatohen në praktikë ligjet ekzistuese. Gazetarët dhe mediat nuk iu frikësohen ligjeve, as nuk duan të punojnë jashtë ligjit, as të shkelin ligjin, as nuk janë mbi ligjin. Por, po ashtu, gazetarë dhe mediat nuk kanë faj pse ligjet nuk zbatohen. Madje në media çdo ditë raportohet për shkelje e moszbatim ligji edhe nga ata që tash synojnë të hartojnë të reja. Në emër të mbrojtjes së gazetarëve dhe mediave. Ndihma më e madhe që mund të japin deputetët është t’i lënë mediat e lira, të mos e kufizojnë lirinë e tyre dhe të mos i pengojnë gazetarët në punë.

Nait Hasani mund të zhvlerësojë rolin e organizatave të mediave dhe të gazetarëve, duke thënë se ato vetëm lëshojnë komunikata. Por janë pikërisht këto organizata që evidentojnë shkelje të shumta, raste pengimi në punë, presione e sulme mbi gazetarët, veprime këto që në të shumtën e rasteve ndëmerren nga politika dhe grupe të lidhura me politikën.

Në vend se të merret me punën e këtyre organizatave, ai është mirë të merret me punën e Kuvendit nga i cili, bashkë me kolegë të tij, paguhen majmë. E deri më tash, Kuvendi ka përmbushur vetëm një pjesë të vogël të agjendës legjislative.

Para se të përpiqet “t’iu ndihmojë” mediave, Hasaqni dhe të tjerët do të ishte mirë që të rregullojnë punët brenda Kuvendit, institucion që është kthyer në vend akuzash e kundërakuzash, sharjesh e fyerjesh, përdorimi të gjuhës banale e çka jo tjetër. Dhe për këtë mediat nuk kanë faj.

    Data: 17 Maj 2018 14:41
    Autori: Imer Mushkolaj

    Të tjera