Kthehu lart

Investimet nga jashtë dhe korrupsioni

Investimet nga jashtë dhe korrupsioni Autori: Agim Kuleta GazetaExpress E hënë, 31 Korrik 2017 18:30

Nga bisedat me miq të mi, biznesmenë të suksesshëm në diasporë, kam kuptuar që mënyra më e përshtatshme për të krijuar kushte korruptive nga një iniciativë investimi janë sekserët, ndërmjetësit midis tyre dhe institucioneve shtetërore, kryesisht lokale.

Duke qenë se tek shumë afaristë në diasporë është krijuar përcepcioni, jo gjithmonë i pabazuar, se në Kosovë mund të investosh vetëm duke korruptuar dikë, atëherë ata shpeshherë bien pre e këtyre mësitëve të krimit. Megjithatë, kjo nuk është krejt skema. Jo rrallë, këta edhe shiten si mësitë pa qenë realisht të tillë. Ata marrin para në emër të lidhjeve që kanë me institucionet pa i pasur fare ato. Thjeshtë mashtrojnë. Rëndom, këta janë njerëz “të besueshëm” sepse janë të njohur të miqve të tyre apo edhe të vetë atyre. Kjo bën që investitorë të caktuar të paguajnë shuma të mëdha të parave pa arritur të kryejnë punë, për një punë që, me shumë gjasë, do të mund ta kryenin në rrugë krejt ligjore. Këto skema bëjnë që të mirëmbahen në mënyrë të vazhdueshme barrierat e larta para këtyre afaristëve të gatshëm për investime. Ato, kur janë reale, krijojnë edhe mundësi të mirë kamuflimi për zyrtarët e korruptuar, të cilët fshihen pas këtyre mësitëve. Kjo është vetëm njëra nga format e korrupsionit dhe e vetmja e përshkruar në këtë shkrim. Sepse, qëllimi është që të trajtohet fenomeni e jo format e tij.

Si të dilet nga situata?

Korrupsioni është fenomen shumë kompleks dhe në tërësinë e tij, deri më sot, i pamposhtur. Luftën kundër tij e vështirëson natyra e tij. Korrupsioni është një qark i mbyllur. E fillojnë pushtetarët e korruptuar dhe e mirëmban shoqëria e hendikepuar. Të parët nga lakmia, të dytët nga nevoja. Pushtetarët e shohin atë si të mirë konkrete, shoqëria e sheh atë si të keqe abstrakte. Në momentin kur për shoqërinë kjo e keqe abstrakte fillon të konkretizohet, duke u lidhur me nevoja personale, ajo shndërrohet në fenomen të keq por qejfprishtas i pranueshëm. Dhe pikërisht ky është momenti kur korrupsioni merr frymë dhe shpëton nga agonia. Momenti kur të ndershmit dorëzohen para të pandershmëve dhe kështu këtij cikli vendosin t’ia zgjasin jetën edhe më tej. Duket situatë e pashpresë, por e tillë, në realitet, është vetëm deri sa ne nuk vendosim ta ndërrojmë atë. Çështje tjetër, po kaq e rëndësishme, është rruga që duhet të zgjedhim për ta bërë këtë.

Është e padiskutueshme që për të pasur sukses, korrupsioni duhet të luftohet në kahjen lart-poshtë dhe për këtë është i domosdoshëm vullneti politik. Pra, garanca më e fortë për suksesin e kësaj lufte është udhëheqja e saj nga vetë kreu i institucionit. Për tu realizuar kjo është kusht i domosdoshëm që të kesh njerëz të duhur në vendin e duhur. Fatkeqësisht, në vendin tonë, me përjashtime krejt simbolike, ky nuk është rasti. Madje, ndodh e kundërta. Edhe nëse nuk janë të përfshirë vetë në këto skema ata nuk i luftojnë ato. Zgjedhin mosveprimin e heshtjen që, në fakt, përbëjnë krime në vete.

Megjithatë, mungesa e disponimit politik në institucionet e larta të një vendi për një formë të tillë të luftimit të korrupsionit nuk duhet ta stepë askënd. Rrugë tjetër, edhe pse jo ideale, për luftimin e këtij fenomeni është denoncimi individual i rasteve tek organet kompetente dhe publiku. Pra, rritja e presionit institucional dhe publik ndaj institucioneve të caktuara lidhur me zyrtarët e korruptuar. Që do të thotë detyrimi i tyre për tu bërë të “vullnetshëm”.

Kjo, fatkeqësisht, në shumicën e rasteve nuk ndodhë dhe arsyeja është e thjeshtë - nuk ka besim në sistem. Duke mos pasur besim në sistem, ata frikësohen nga hakmarrja e zyrtarëve ndaj tyre. Kjo situatë e nxjerrë krejtësisht të zhveshur problemin kyç nga i cili vuan sot vendi ynë – mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë. Madje, në rastin tonë, ky mosfunksionim shprehet në variantin e plotë të tij. Pra, si në aspektin e mungesës së pavarësisë së veprimit ashtu edhe në atë të mungesës së kapaciteteve njerëzore. Përderisa aspekti i parë i mosfunksionimit, ai i mungesës së pavarësisë, është shumë më kompleks dhe mund të zgjidhet vetëm me kontributin e shoqërisë si tërësi, aspekti i dytë është shumë më i thjeshtë dhe zgjidhet me disa masa të thjeshta institucionale.

Është krejtësisht e papranueshme dhe e pafalshme që sot vendi ynë ende ballafaqohet me numër aq të madh lëndësh të pa trajtuara. Sipas statistikave të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, numri i lëndëve të pa trajtuara nëpër gjykatat e Kosovës është mbi 400.000. Arsyetim për këtë është numri i vogël i gjyqtarëve. Po a zgjidhet ky problem vetëm me konstatimin e vazhdueshëm të shkaktarit të tij, pra mungesës së stafit?

Kosto si arsyetim vs arsyetimi i kostos

Mefshtësia e reagimit është karakteristikë e përgjithshme e shoqërive ballkanike. Këtu, fatkeqësisht, nuk bëjmë përjashtim as ne. Por kur kjo manifestohet në institucione, atëherë pasojat dhe përgjegjësia janë shumë më të mëdha. Mund të tingëllojë naive, por konsideroj se ky problem, nëse do të ekzistonte vullneti, është absolutisht lehtë i zgjidhshëm. Konstatimi i numrit të nevojshëm të gjyqtarëve në bazë të ndarjes së lëndëve sipas standardeve evropiane do të duhej të pasohej me krijimin e një taskforce e cila do të merrej me to. Ndërkohë, nëse numri i zyrtarëve aktual është i pamjaftueshëm për fluksin e vazhdueshëm të lëndëve, të rekrutohet staf i ri.

Kaq e thjeshtë? Është e qartë se mund të ketë ankesa për rritje të kostos, por të gjithë ata që e nxjerrin koston si pengesë për zgjidhjen e problemit duhet ta kenë të qartë se kostoja e veprimit, për zgjidhjen e këtij problemi, është shumë më e ulët se sa ajo e mosveprimit. Sepse, pasojat e moszgjidhjes janë më tepër se financiare. Ato afektojnë prej marrëdhënieve ndër njerëzore e deri te imazhi i vendit. Cila kosto mund të jetë më e lartë se kostoja e një konflikti midis dy palëve të një kontesti që mund të përfundojë me pasoja fatale për dikë? Cilët janë ata investitorë serioz, të huaj, që do të investonin në një Kosovë me një sistem të tillë të drejtësisë? Kjo është një çështje me rëndësi të pamatshme dhe si e tillë është shumë e papërshtatshme për t’u përfshirë në politikat e disiplinimit buxhetor. Prandaj, është e pamundur që kostoja e veprimit për trajtimin e kësaj çështjeje të llogaritet nga një zyrtar i rëndomtë institucional i cili gjithçka vendos mbi kalkulimet e thjeshta numerike. Vendimi për zgjidhjen e këtij problemi duhet të merret nga institucionet më të larta të vendit, të jetë i bazuar në parametra krejtësisht tjerë dhe zbatimi i tij të jetë i mbikëqyrur rigorozisht.

Perspektiva

Kosova është një vend i vogël por me potencial të madh zhvillimi. Resurset njerëzore dhe gjithçka tjetër që i duhet një vendi për zhvillim i ka të jashtëzakonshme. Krejt ajo që i nevojitet është një menaxhim i mire i këtyre resurseve. Përgjegjësia direkte për këtë bie mbi ata që janë të ngarkuar me një detyrë të tillë. Por, beteja për të mirën është e përgjithshme dhe është totale. Pra, e keqja duhet të luftohet nga të gjithë dhe në çdo aspekt. Qarku i të keqes duhet të këputet dhe përderisa kjo nuk fillon nga lartë atëherë nuk duhet të pushohet së provuari nga poshtë. Secili prej nesh duhet t’i shmangim me çdo kusht rrugët e errëta për t’i realizuar të drejtat tona. Pikërisht këtë i inkurajoj ta bëjnë edhe të gjithë ata bashkatdhetarë tanë që kanë vendosur të investojnë në vendin tonë. Ata për iniciativat e tyre duhet t’i qasen drejtpërdrejtë institucioneve shtetërore kompetente për këtë fushë. T’i sfidojnë ato. E në rast se hasin në pengesa të paligjshme, të drejtpërdrejta nga zyrtarët e këtyre institucioneve, rastet të denoncohen ligjërisht dhe publikisht. Kjo mund të jetë një sakrificë e përkohshme për fillimin e biznesit të tyre por ajo që vërtetë do të sakrifikohet në të ardhmen është e keqja bashkë me shkaktarët e saj. Sakrificë për të cilën vendi ynë ka jashtëzakonisht shumë nevojë. Sepse ky shtet duhet të bëhet. Dhe do të bëhet.

(Autori është anëtar i Kryesisë së LB-së dhe Këshilltar Politik në Ministrinë e Diasporës)

    Data: 31 Korrik 2017 18:30
    Autori: Agim Kuleta
    • Iluzionet tona të humbura 0

    Të tjera

    • Hipokrizi dështakësh 0

    • ​Rikthimi i Milladin Popoviqit 0