Kthehu lart

Institucionet shtetërore nuk funksionojnë me inate personale

Institucionet shtetërore nuk funksionojnë me inate personale © Gazeta ExpressFoto: Rudina Hoti Autori: Bekim Çollaku GazetaExpress E martë, 01 Gusht 2017 14:25

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u mbajtën në përputhje me standardet më të larta demokratike. Por kësaj radhe, rezultati përfundimtar i këtyre zgjedhjeve nuk doli të jetë ai që partitë kryesore prisnin. Për më tepër, rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk arriti të sjellë qartësi të forcës politike te partitë kryesore në vend. Mirëpo, kjo situatë e krijuar pas zgjedhore, nuk duhet të keqpërdoret nga partitë politike kryesore të vendit tonë për të shfryer inatet primitive kundër njëra-tjetrës në dëm të interesave shtetërore.

Institucionet shtetërore nuk ndërtohen me inate personale, pavarësisht gjendjes emocionale të liderëve të caktuar. Sigurisht, jemi njerëz dhe shpesh bëhemi emocional. Gëzohemi, hidhërohemi...mbushemi me inat për shumë gjëra që na ndodhin qoftë me fajin tonë apo të dikujt tjetër. Por kur është në pyetje interesi shtetëror, ne nuk guxojmë që për shkak të ndonjë inati personal apo hakmarrje personale politike, të dëmtojmë interesat e shtetit dhe qytetarëve tanë. Pasojat e sjelljeve të tilla politike i kemi vuajtur shumë keq në vitin 2014 dhe nuk besoj qytetarët e Kosovës kanë durimin që të përjetojnë edhe një episod të dytë të ankthit politik inatçor. Sepse në një situatë të tillë, pasojat do të jenë shumë më të rënda se ato që kemi përjetuar tri vite më parë.

Kjo situatë e paqartësisë politike, e cila po mban peng themelimin e institucioneve të reja, duhet të marrë fund sepse koha po ecën dhe Kosova nuk po shënon progresin e pritur. Të enjten është caktuar seanca konstituive e parlamentit të Kosovës dhe askush në këtë vend nuk e ka idenë se çfarë do të ndodh në atë seancë. Kjo situatë është për të ardhur keq. Në mënyrë hipotetike, mendojeni për një moment se çfarë përgjigje mund t’i jap presidenti i Kosovës në takimin e nesërm më zëvendës presidentin e SHBA-ve pyetjes se ‘kur të do të formohet qeveria e re Kosovës’?

Po në pyetjen tjetër, ‘se kur do të ratifikohet marrëveshja për shënimin e vijës kufitare, e cila po mban peng heqjen e vizave nga BE-ja, si do të përgjigjet presidenti i vendit? Po kur do përfundoj procesi i transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK)? Dhe në fund, do pasojë pyetja më e rëndësishme, ‘a jeni të gatshëm për fazën përfundimtare të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? Ka edhe shumë pyetje tjera që do të mund të shtrohen në të cilat, fatkeqësisht, as presidenti i vendit tonë, dhe askush tjetër nga ne, nuk do të mund të japim përgjigje të qartë.

Pyetjet dhe çështjet e njëjta kanë mbetur të pazgjidhur në mungesë të vendimeve të përgjegjshme konsensuale. Të tilla mund të mbeten edhe pas katër vitesh, në rast se liderët të caktuar politik nuk lenë anash inatet personale politike dhe vejnë në rend të parë interesin shtetëror. 

Faza përfundimtare e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka filluar. Në Serbi, lidershipi shtetëror ka muaj të tërë që ka filluar një debat të brendshëm publik që ka për qëllim jo vetëm elaborimin e planeve dhe ideve të ndryshme, por edhe përgatitjen e opinionit publik për një marrëveshje përfundimtare për normalizim dhe pajtim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Arsyeja, se përse lidershipi i Serbisë po punon në mënyrë intensive në këtë çështje është shumë e qartë. Serbia ka vendosur që të anëtarësohet në BE dhe duhet të përmbush kushtin kryesor për arritjen e këtij qëllimi. Lidershipi në Serbi po merr përkrahje të fuqishme ndërkombëtare për shkak të përpjekjeve të tyre për arritjen e këtij qëllimi. A nuk do të duhej të bëhemi pak xheloz, të na vijë pak siklet dhe inati neve këtu në Kosovë për një situatë të tillë? Ndoshta jo, sepse ne inatet i shfryjmë vetëm me njëri-tjetrin.

Sido që të jetë, situata në të cilën jemi është shumë më e rëndë se sa duket në shikim të parë. Fatmirësisht, e vërteta tjetër është se ka mundësi dhe potencial në Kosovë që gjerat të vihen në rëndin e duhur. Liderët tanë politikë duhet ta duan pak më shumë shtetin e tyre. Edhe ne të tjerët duhet të duam dhe të bëjmë vetëm edhe pak më shumë. Në rast se pajtohemi se shteti është interesi primar, atëherë liderët politikë duhet që pa humbur kohë të formojnë institucione të qëndrueshme dhe kredibile gjithëpërfshirëse. Stabiliteti politik institucional është i domosdoshëm për të marrë vendimet e rëndësishme konsensuale të cilat po e presin Kosovën. Disa nga këto vendime mund të jenë shumë të vështira dhe të hidhura. Ato do të mund të arrihen dhe tejkalohen vetëm nga institucionet shtetërore të përgjegjshme, të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

    Data: 01 Gusht 2017 14:25
    Autori: Bekim Çollaku
    • Iluzionet tona të humbura 0

    Të tjera

    • Hipokrizi dështakësh 0

    • ​Rikthimi i Milladin Popoviqit 0